Hashim Thaçi ta ndjek shembullin e Ramush Haradinajt pas publikimit të aktakuzës

Hashim Thaçi ta ndjek shembullin e Ramush Haradinajt pas publikimit të aktakuzës

A.P

  • 26 June 2020 - 07:09

Shkruan: Gani Qarri

“Ndaj unë kam pritur që të paktën sot, populli i Kosovës, rinia dhe studentët, do të ngriheshin gjithandej vendit në protesta e demonstrata masive, të papara ndonjëherë deri më tani, për distancimin publik nga kuislingu Hashim Thaçi dhe rrëzimin e tij nga pozita e pamerituar e presidentit të vendit, deri te detyrimi që ai vet të ofrojë dorëheqje, gjë që po të kishte sado pak moral, do të duhej ta bënte vullnetarisht menjëherë pas paralajmërimit të aktakuzës, siç ka vepruar më parë edhe Ramush Haradinaj, në mënyrë që për faj të tij, Kosova të mos vazhdojë të mbetet top lajm në mediet e huaja ndërkombëtare, ngase përderisa ai nuk shkarkohet, vazhdon të ekspozohet edhe më tej si "president" dhe përfaqësues i kriminalizuar i shtetit tonë të brishtë,të paktën në rrafshin formal diplomatik”.

Takimi në Washinton, ashtu siç u shpreh edhe ndërmjetësuesi special i presidentit Trump, Richard Grenell nuk do duhej assesi të anulohet, por të shkarkohet urgjentisht kuislingu Hashim Thaçi nga kreu i shtetit dhe në vend të tij, të emërohet krye parlamentarja Vjosa Osmani, si presidente e përkohshme deri në zgjedhjet e ardhshme, e cila do ta udhëhiqte në mënyrën më të mirë të mundshme dhe profesionale edhe delegacionin e Kosovës bashkë me Avdullah Hotin në bisedimet me përfaqësuesit e shtetit serb në SHBA.

Realisht unë kam pritur që të paktën sot, populli i Kosovës, rinia dhe studentët, duke pasur parasysh faktin se siç thotë edhe z. Daniel Server, nuk është më problemi vetëm tek ngritja e akuzave,por fakti se me akuzimin edhe zyrtar për krime lufte kundër vet të parit të shtetit, në telashe ka rënë e gjithë Kosova, do të ngriheshin gjithandej vendit në protesta e demonstrata masive, për distancimin publik nga kuislingu Hashim Thaçi dhe rrëzimin e tij nga pozita e pamerituar e presidentit të vendit, deri te detyrimi që ai vet të ofrojë dorëheqje,si person me padi penale, gjë që po të kishte sado pak moral, ai vet do të duhej ta bënte vullnetarisht këtë, menjëherë pas paralajmërimit të aktakuzës, siç ka vepruar që në ngritjen e padisë së parë edhe Ramush Haradinaj.

Njëzet e një vite mosndëshkim i krimeve, mos zbardhje e mijëra vrasjeve, plagosjeve, rrëmbimeve me forcë, vjedhjeve, hajnisë, nepotizmit, korrupsionit, gllabërimit të çdo gjëje të vlershme në këtë vend, krimit të organizuar e deri te kapja mafioze e çdo poreje të shtetit, të gjitha këto, të pandëshkuara asnjëherë, nuk mund ti duronte më tej as Zoti në Qiell, se lëre më njeriu i vuajtur prej tyre në tokë, akte që konsiderohen edhe si shkeljet më serioze të të drejtave të njeriut në kohë paqeje dhe jo konflikti të armatosur, të parashikuara në të drejtën ndërkombëtare, ndaj të cilave kërkohet ndëshkim ligjor nga sistemi i drejtësisë.

Por megjithëse ngritja e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit ishe e paralajmëruar qysh me publikimin e raportit të Dick Martit dhe kombëtarja "Kosova Sot" ka vite që ka paralajmëruar dhe tërhequr vërejtjen në vijimësi për një mundësi të tillë, vetëm Hashim Thaçit nuk i mbushej mendja kurrë se mund të vinte kjo ditë ndonjëherë, kur do të mund ta rrëzonte edhe atë ndokush, nga maja e pushtetit ku e pati katapultuar në mënyrë klandestine, Isa Mustafa me sejmenët e tij.

Për aq më tepër, Thaçit çuditërisht, kësaj radhe nuk i ndihmoi as emërimi i spiunëve të Stanishiqit si Baton Haxhiu dhe bashkëpunëtorëve të konfimuar të shërbimit të fshehtë serb-BIA, si Branisllav Nikoliq, të cilin dhjet vite pasi që ky spiun u kap me detyrën e agjentit të shërbimit sekret të Serbisë, duke u ofruar mijëra euro njerëzve në brendi të Kosovës për të dëshmuar rrejshëm kundër UÇK-së, Hashim Thaçi megjithatë me porosi të Aleksandër Vuçiqit, e emëroi edhe atë këshilltar të vetin politik, me gjithë faktin se pas publikimit të videos nga Televizioni Publik,akti i tij,pati tronditur gjithë opinionin kosovar.

Përkundër të gjithave, mjerisht goditja më e rëndë që tani për tani ka mundur ti ndodhte vendit në këto momente vendimtare, është pikërisht ngritja e këtyre akuzave që i erdhën Kosovës kaq papritur, si sihariq i keq, mu në prag të rifillimit të dialogut me Serbinë në Washinton me ndërmjetësimin e SHBA-s.Vendimi që Gjykata Speciale ta bëj publike pikërisht në këtë kohë dhe mënyrë, aktakuzën e parë të ngritur nga Zyra e Prokurorit Special, aktakuzë që atakon drejtpërdrejtë të "parin" e shtetit Hashim Thaçin vetëm dy-tre ditë para rifillimit të bisedimeve me Serbinë, mendojë të jetë akt paksa konspirativ, por jo dhe aq koincidencial, sa duket në fillim.

Kjo për vet faktin se Aleksandër Vuçiq dhe Serbia, pasi e shtrydhën deri në fund si limoni, komprometuan politikisht brenda dhe jashtë vendit, si dhe e bënë tërësisht të pabesueshëm e qesharak në sytë e shqiptarëve dhe gjithë arenën evropiane dhe atë ndërkombëtare, duke parë që ai tanimë është denigruar dhe degjeneruar deri në atë masë, sa që nuk mund t`ia kryej asnjë shërbim tjetër Serbisë, me tu vërtetuar edhe nga Grenell se nuk do të ketë as bisedime për harta dhe ndryshimin e kufijve të Kosovës në Washinton, Vuçiq e vuri në shërbim menjëherë armën e tij më të fortë politike-Gjykatën Speciale.

Kështu që miku "për kokë"(-ardë) i Edvin Ramës e i besuari i plotfuqishëm i Hashim Thaçit, ndërroi qëndrim aty për aty dhe me porosinë për publikimin e aktakuzës nga Gjykata Speciale, Aleksandër Vuçiq jo vetëm që e nxori atë përjetësisht nga loja e presidentit të gjithëfuqishëm, por dhe i solli përgjithmonë vdekjen politike, kuislingut të gjorë dhe shitësit të pështirë tokave të vendit të vet Hashim Thaçit, me të cilin Vuçiq gjatë gjithë kohës ka luajtur si macja me miun.

Për aq më tepër aktakuza e ngritur nga Prokuroria dhe e dorëzuar ne Gjykatën Speciale të Hagës kundër Presidentit Hashim Thaçi, dhe ish Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ndonëse është ende e pakonfirmuar edhe po qe-se nuk konfirmohet nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, ajo pas bërjes publike, ka marr aq shumë vëmendjen e të gjitha medieve me renome ndërkombëtare, sa që gjatë gjithë kohës vazhdon të nxirret si top lajm në TV-t e huaja, për denigrimin e rëndë e të paprecedent që me ngritjen e aktakuzës kundër Hashim Thaçit për krime lufte, iu bë Kosovës.

Dhe ky është lajmi më i keq që nga pas lufta, për të gjithë Shqiptarët në përgjithësi, e në veçanti për Shqiptarët e Kosovës dhe ish pjesëtarët e UÇK-se, kur dihet fakti i dhembshëm se për krimet të cilat Serbia gjatë okupimit të Kosovës i ka kryer në vendin tonë, edhe sot e kësaj dite nuk kemi ndjekje as ndëshkime meritore.

Madje, për aq më keq, ndëshkimi i krimeve serbe jo vetëm që nuk ka ndodhur në nivel ndërkombëtar por as gjykatat e Kosovës nuk janë lejuar asnjëherë deri më tani të merren me to, të cilat pikërisht Hashim Thaçi ,nga frika se mund ti prishej "jarania" me Vuçiqin, gjatë gjithë këtyre viteve i ka mbajtur nën presion të vazhdueshëm gjykatat vendore, që të mos guxojnë të bëjnë asnjë përpjekje për ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës të cilat Serbia i ka kryer në Kosovë, duke i detyruar ato që ti hedhin poshtë edhe paditë private penale, të familjeve të prekura dhe personave të dëmtuar juridik shqiptar nga gjenocidi i Serbisë

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".