Jo Evropë e manipulueshme, të mos barazohet viktima me agresorin

Jo Evropë e manipulueshme, të mos barazohet viktima me agresorin
Jo Evropë e manipulueshme, të mos barazohet viktima me agresorin

Dr. Hysni Aliu

  • 29 June 2020 - 22:44

“Serbia me një mjeshtri të madhe, krimet e veta në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë, i ktheu  në një pasuri nacionale nga e cila ”pasuri” po vjel të mira për shtetin e vet, të cilin po e forcon çdo ditë me ndihmën e BE-së, Kinës, Rusisë e së fundmi edhe të Turqisë. BE-ja lejoi Serbinë që së pari të bëjë tregti me kriminelët, si Millosheviq, Mlladiq, Sheshel, Karagjiq, duke kushtëzuar dorëzimin e tyre pas përfitimit të benefiteve nga BE-ja, duke i ruajtur kriminelët, duke i maskuar dhe duke i dorëzuar në momentin që kushtet e tyre u plotësonin.

Lëshimet bëheshin në procesin e integrimit të Serbisë në BE, vjeljen e milionave nga to dhe në dëm të Kosovës e cila duhej të ishte fleksibile dhe gjeneroze ndaj Serbisë. Kosova s’guxonte të fliste për krimet serbe sepse sipas BE-së dhe Serbisë ajo do t’i dëmtonte marrëdhëniet ndëretnike. Disa kriminelë u arrestuan, disa u dënuan, e disa u liruan për shkak të ”sëmundjeve të rënda” siç është krimineli Sheshel, i cili tani lëviz lirshëm nëpër Serbi, dhe për çudi s’po ka probleme shëndetësore, ndoshta mjekësia në Serbi qenka më e avancuar sesa ajo në Evropë”.

 -Të jesh i manipulueshëm, do të thotë të kesh problem me identitetin tënd, të vuash nga shkurtpamësia dhe të qenurit jo realist në lidhje me atë se kush je, çka dëshiron, çka mundesh, si mundesh dhe deri ku mund të shkosh. Në psikiatri, të qenurit grandioz dhe jorealist me vetveten dhe me rrethin, do të thotë të qosh vetveten drejt vetë shkatërrimit. BE-ja është një bashkësi shtetesh me një aftësi dhe strategji ekonomike të shkëlqyeshme, por me  një mungesë të madhe, të mos them totale, në aspektin e politikës gjeostrategjike. BE-ja po jeton në ëndërr, duke besuar që forca e saj ekonomike determinon edhe aspektet gjeostrategjike, por duke harruar që sot po jetojmë në një botë ku këto dy aspekte janë si truri dhe zemra për organizmin e njeriut, pra njëra nuk funksionon pa tjetrën. Kemi një situatë tepër të komplikuar në botë, një Rusi që po thyen dhunshëm rendin botëror, një Kinë që po pret momentin për t’i treguar dhëmbët, një SHBA që në një masë është pothuajse me shumë pak miq të vërtetë, duke mbrojtur rendin demokratik në botë, një BE që bën politika të gabuara duke u bërë konkurrent i SHBA-së, duke harruar që në atë mënyrë po ngrit shkatërruesit e mundshëm të saj, siç janë: Rusia, Kina, Serbia. Një SHBA e vetmuar, me fronte në Azi, Afrikë, Arabi, Ballkan, do të thotë në fund të fundit një luftë e tretë botërore. 

Një Evropë që punon në mënyrë direkt ose indirekte, me vetëdije apo pa vetëdije, kundër interesave afatgjate të SHBA-së e shndërron vetveten në një Evropë nën diktatin e Rusisë dhe Kinës. Pra, BE-ja duhet të zgjedhë në mes të vlerave perëndimore të cilave duhet t’ju përket dhe në realitet ju përket sa i përket politikës së brendshme dhe ekonomike, dhe në mes të një përzierje demokratiko-diktatoriale me Lindjen e cila Evropën e qon në fund drejt dështimit dhe shkapërderdhjes. 

Evropa duhet të mendojë mirë se kë po e integron në vetvete. Rasti më i freskët ishte kur Greqia për shkak të ndikimit të Kinës pengoi BE-në të shprehet në lidhje me të drejtat e njeriut në atë vend, pikërisht për shkak të ndikimit ekonomik të Kinës në rajon. 

 Të dal në temë: Kosova u pavarësua si rrjedhojë e politikës shkatërruese të Millosheviqit, shkatërrimit të federatës së Jugosllavisë dhe si pasojë e një gjenocidi të tmerrshëm që bëri Serbia ndaj popullit të Kosovës, mbi dhjetë mijë të vrarë, gra e fëmijë, pleq e plaka, të rinj e të reja, mbi njëzet mijë gra të dhunuara, e mos të flasim për dhunën fizike e psikologjike, të cilës nuk i ka shpëtuar asnjë shqiptar gjatë dekadave, e sidomos që nga viti 1989 e tutje. Kosova u pavarësua duke iu falënderuar luftës së popullit shqiptar dhe intervenimit të NATO-s, e cila mbrojti vlerat e demokracisë në botë.  Por, që po ndodh tani: BE filloi një dialog në mes të viktimës, në këtë rast Kosovës dhe xhelatit, në këtë rast shtetit serb, me shpresën e kotë se do ta zgjidhë përgjithmonë këtë problem. Serbia me një mjeshtri të madhe, krimet e veta në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë, i ktheu  në një pasuri nacionale nga e cila ”pasuri” po vjel të mira për shtetin e vet, të cilin po e forcon çdo ditë me ndihmën e BE-së, Kinës, Rusisë e së fundmi edhe të Turqisë. BE-ja lejoi Serbinë që së pari të bëjë tregti me kriminelët, si Millosheviq, Mlladiq, Sheshel, Karagjiq, duke kushtëzuar dorëzimin e tyre pas përfitimit të benefiteve nga BE-ja, duke i ruajtur kriminelët, duke i maskuar dhe duke i dorëzuar në momentin që kushtet e tyre u plotësonin. Lëshimet bëheshin në procesin e integrimit të Serbisë në BE, vjeljen e milionave nga to dhe në dëm të Kosovës e cila duhej të ishte fleksibile dhe gjeneroze ndaj Serbisë. Kosova s’guxonte të fliste për krimet serbe sepse sipas BE-së dhe Serbisë ajo do t’i dëmtonte marrëdhëniet ndëretnike. Disa kriminelë u arrestuan, disa u dënuan, e disa u liruan për shkak të ”sëmundjeve të rënda” siç është krimineli Sheshel, i cili tani lëviz lirshëm nëpër Serbi, dhe për çudi s’po ka probleme shëndetësore, ndoshta mjekësia në Serbi qenka më e avancuar sesa ajo në Evropë!!  Cili është problemi? Evropa po dëshiron ta shlyejë nga historia gjenocidin serb në vitet e 90’ta, ajo po izolon shqiptarët dhe po integron serbët. Çfarë mesazhi po jep BE? Një mesazh që drejtësia vlen vetëm brenda kufijve të vet e jo jashtë saj!! 

Pas fazës së parë dhe përfitimet që marrin nga kriminelët e luftës dhe shfajësimin moral të Serbisë nga BE-ja Serbia së bashku me Rusinë, filluan fazën e dytë që përbëhet nga disa aspekte: e para dezintegrimi i Kosovës dhe shkatërrimi gradual i pavarësisë së saj. Çështja e dytë integrimi në BE duke e përdorur kartën e Kosovës,një gjoja se po bën marrëveshje me Kosovën, ndërsa dy gjoja se nëse nuk merr diçka si shpërblim për këto marrëveshje atëherë populli serb do të rebelohet dhe tre një marrëdhënie e veçantë me Rusinë sepse populli do t’i pranojë më lehtë këto ”lëshime” ndaj Kosovës. Ashtu sikurse strategjinë e Serbisë me kriminelët e luftës, BE-ja sërish e pranoi këtë strategji të Serbisë si të arsyeshme, duke besuar që Serbia do të bëjë marrëveshje dhe posa të hyjë në BE do të largohet nga Rusia e Kina e tani edhe Turqia. BE-ja madje ngriti gjykatë speciale, edhe pse BELEX-i e UNMIK-u ishin më tepër se 10 vjet ne Kosove, në mënyrë që të dënojë krimet e pretenduara të shqiptarëve, që ndoshta edhe janë bërë nga individë, por përse nuk i dënuat ata njerëz nga ju (BELEX-UNMIK)në Kosovë, jo jo sepse kjo gjykatë ju nevojit Serbisë e Rusisë për ta vulosur veten si viktimë e jo shqiptarët dhe Kosovën. Këtu qëndron pikërisht pika shkatërruese për BE-në. 

Rusia dhe Serbia po realizojnë disa aspekte strategjike me paranë e taksapaguesve evropianë; së pari po shkatërrojnë në mënyrë graduale shtetin e Kosovës, së dyti me ”presionin e vet” që po i bën Rusia për bazën në Nish po e ndihmon Serbinë të integrohet me shpejtësi marramendëse në BE, e në realitet në BE po integrohet Rusia sepse Serbia është një apendix i Rusisë e cila në momentin që është në BE do të përfaqësojë vetëm interesat ruse. Së treti po shkatërron interesin amerikan në Ballkan që lidhet me demokracinë dhe shtetet shqiptare. Mjafton që Rusia të dërgojë një Mig dhe BE hap 3 kapituj të rinj në negociata!! Mjafton një kërcënim për bazën ruse në Nish dhe BE-ja hap edhe dy kapituj të tjerë në negociata dhe në të njëjtën kohë kërkon nga Kosova lëshuarje pe dhe heqje dorë nga shtetësia e saj. 

Cilat janë pasojat tjera të kësaj politike? 

Duke bërë xhelatin viktimë, BE-ja po u jep mësim vendeve tjera se kjo është mënyra e vërtetë dhe më e suksesshme për të realizuar interesat e veta, qoftë edhe në mënyrën më të tmerrshme të mundshme. Këtë mësim e mori Turqia, e cila tani po luan me kartën e Serbisë, duke u ulur në dy karrige, atë ruse dhe atë perëndimore, pra kjo është pasoja e parë, pastaj ka filluar edhe Sllovakia e Hungaria, e ndoshta edhe Shqipëria e Polonia.  Pasoja tjetër: detyrimi i Kosovës që të dialogojë për pavarësinë e saj me Serbinë, trajtimi i Serbisë si një vend demokratik dhe harresa e qëllimshme e krimeve të bëra nga ky shtet në vendet e ish-Jugosllavisë, e vendosi pavarësimin e Kosovës në një nivel dhe arsye krejtësisht tjetër, pra aty ku donte Serbia dhe Rusia, si një pavarësi që nuk është pasojë e gjenocidit dhe shkatërrimit të një federate, por si pasojë e dëshirës së perëndimit për ta dobësuar Serbinë dhe Rusinë. Pra, Serbia dhe Rusia arritën qëllimet e veta. Si po duken këto pasoja brenda Evropës? Referendumi në Kataloni, referendumet në Itali, e referendume të tjera që do të vijnë, janë pasojë pikërisht e kësaj politike të gabuar evropiane, e cila nuk e mbrojti me fanatizëm atë që bëri për çlirimin e popullit shqiptar nga tmerri i Serbisë, por pranoi që të barazojë bile bile të vendosë në pozitë më të vështirë Kosovën sesa agresorin duke shlyer dhe duke bërë të pavlefshme arsyet që quan në intervenimin e NATO-s, duke formuar gjykata speciale për të njollosur një popull dhe një luftë çlirimtare. 

Evropa duhet të këndellet nga kjo mjegull dhe iluzion që e ka kapluar. Ajo duhet të kuptojë këtë formulë të funksionimit në grup të Serbisë, Rusisë, Kinës, sa nuk është vonë. 

Sipas parashikimit tim, kjo strategji e BE-së nëse nuk ndryshon, do ta qojë Ballkanin në luftë, sepse SHBA nuk do të lejojë që të shkatërrohet një demokraci në Ballkan e për të cilën ka investuar me dekada dhe me miliarda, e as nuk do të lejojë të integrohet në BE një vend që ulet në ”dy karrige” që janë larg njëra-tjetrës, pra Perëndim - Lindje. Nëse dikush dëshiron, atëherë shumë shpejt mund t’i ngritë çështjet e Vojvodinës, Sanxhakut, Preshevëse  Bujanovcit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".