Shifra alarmante të zbrazjes së shtetit të Kosovës, ja çka e pret vendin pas liberalizimit të vizave

Shifra alarmante të zbrazjes së shtetit të Kosovës, ja çka e pret vendin pas liberalizimit të vizave

Gani Qarri

  • 08 July 2020 - 16:04

Shkruan: Gani Qarri

“Nëse nuk ndalohet zhvatja, nepotizmi, korrupsioni e krimi i organizuar dhe nuk ndryshon urgjentisht mënyra e qeverisjes, mjerisht do të shtohet ky trend i migrimit akoma më shumë, në pritje të dritës së gjelbër të liberalizimit të vizave, pritje që shpresojmë se mundë të merr zhvillim pozitiv gjatë këtij mandati të Presidencës gjermane në Bashkimin Evropian”.

-Duke pasur parasysh faktin se vetëm vitin e kaluar, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar–31 dhjetor 2019, u zvogëlua për -13 551 banorë, kjo dëshmon se sa seriozisht po rrezikohet shteti i ri i Kosovës nga zbrazja dhe humbja afatgjatë e të rinjve dhe fuqisë punëtore, pikërisht për shkak të dështimit për më tepër se dy dekada të pas luftës në zhvillim dhe sigurim të perspektivës për të rinjtë e këtij shteti.

Fenomeni i ikjes së qytetarëve të Kosovës nga vendi është bërë aq shqetësues dhe i frikshëm sa që sipas raportit zyrtar të Entit të Statistikave,vetëm në vitin 2019, migruan mbi 28 mijë e 845 persona nga Kosova .

Për aq më tepër, ASK ka njoftuar se popullsia e Kosovës në vitin 2019 ishte 1 782 115 banorë rezidentë, ndërsa gjatë këtij viti, Kosova pati një rritje natyrore për 15 294 persona. Mirëpo trendi i rritjes së numrit të popullsisë, në raport me migrimin jashtë vendit është në një disproporcion tepër të madh.

Po ashtu është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre, 9 132 persona;kanë imigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 6 066 persona, kurse jashtë vendit kanë emigruar 34 911 persona. Përderisa bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2019 ishte -28 845 banorë,popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2019, u zvogëlua për -13 551 banorë.

Ndaj krejt kjo flet më së miri se sa seriozisht po rrezikohet shteti i ri i Kosovës nga zbrazja dhe humbja afatgjatë e të rinjve dhe fuqisë punëtore, pikërisht për shkak të dështimit prej dy dekadave të pas luftës në zhvillim dhe sigurim të perspektivës për brezat e rinj që po i shtohen tregut të punës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".