Kryeministri Hoti duhet ta përjashton Listën serbe të zv. Kryeministrit Goran Rakiq nga koalicioni qeverisës

Kryeministri Hoti duhet ta përjashton Listën serbe të zv. Kryeministrit Goran Rakiq nga koalicioni qeverisës

Hajrullah Tërnava

  • 13 July 2020 - 07:09

Shkruan: Hajrullah Tërnava

“Sikur të ishim të përpiktët dhe më rigoroz se deri më tani, gjithsesi do të ishte mjaft e arsyeshme edhe kërkesa drejtuar Qeverise Hoti për shkarkimin e zv. Kryeministrit Goran Rakiqi, për faktin se ai, me subjektin që e drejton, Lista Serbe po i shërben interesave të Serbisë, dhe se për epror politik po e njeh dhe pranon vetëm kryetarin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, me një të kaluar kriminale si kontribues i krimeve të luftës në Kosovë e që, në çdo aspekt është e pa pranueshme për Kosovën. Qëndrimet e Listës Serbe në të cilat bëhet thirrje që serbët e Kosovës, të respektojnë vendimet e qeverisë së Serbisë dhe të Vuçiqit, për një gjendje të jashtëzakonshme, janë të tepërta dhe ato thirrje nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Prandaj deputetët e parlamentit të Kosovës duhen për ta mbështetur nismën e kryekuvendares Vjosa Osmani për shkarkimin e Rakiqit dhe përjashtimin e Listës Srpska nga koalicioni qeverisës”.

-Politikat që është duke e zhvilluar Serbia karshi Kosovës janë aq nënçmuese dhe të turpshme ndaj Kosovës, sepse me këtë edhe në vepër po e konfirmon faktin se Serbia i kontrollon ato pjesë të veriut, edhe që ato bisedime të gjata që i kanë bërë mes veti,Thaçi dhe Vuçiq për bashkëngjitjen e veriut Serbisë, tani po e konfirmojnë faktin nga të gjitha anët, se sikur mos të ngritej aktakuza ndaj Thaçit, veriu ishte i përgatitur që në realitet të bëhet pjesë e Serbisë. Kjo politikë ofanzive e Serbisë e konfirmon vazalitetin e politikës kosovare që në praktikë Kosovës po i kushton shumë. Kjo tani po e konfirmon realitetin e heqjes së reciprocitetit nga ana e kësaj qeverie në pushtet, e sidomos që Lista serbe haptazi deklarohet se ata i mbrojnë masat ligjore të Serbisë që në veri të Mitrovicës, të jetësohen ligjet e situatës së jashtëzakonshme që i ka shpallë Serbia në shtetin e tyre, dhe në mënyrë të njëjtë të vazhdohen të jetësohen në „Kosovë e Metohi“ sikur që deklarohet Lista serbe, prandaj në këtë mënyrë po argumentohet se ato pjesë të veriut po i qeverisë Serbia, me ligjet e saja. Deri kur duhet Kosova ti duroj këto sjellje nënçmuese të Serbisë, që një Listë serbe edhe që është pjesë përbërëse e Koalicionit LAN sillet kështu në mënyrë nënçmuese dhe ofenduese. Me këto veprime tani që po i ndërmerr Lista serbe, po nënkuptohet që po e konsideron Kosovën sikur që e kanë në Kushtetutën e Serbisë si pjesë përbërëse të tyre. Pse politikat tona janë aq toleruese që me vite i tolerojnë lëshimet që nuk kërkojnë ndaj të gjitha komunave serbe të jenë të përpikta dhe në harmoni me ligjet e Kosovës, dhe në komunat serbe në pllakatet në hyrje duhet të shkruhen Republika e Kosovës, dhe emërimi i komunës në gjuhen shqipe dhe në atë serbe, pse tolerohen këto gjana kur nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, prandaj kur i bëjmë këto lëshime, është e kuptueshme se tani ballafaqohemi edhe me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme me ligje të Serbisë, dhe po e parasheh Kosovën si pjesë të saj. Prandaj drejtë kjo që e spjegova deri më tani, është e kuptueshme se është një provokim serioz nga ana politike serbe, para fillimit të dialogut më 12 Korrik, për të dëshmuar Bashkimit Evropian se de fakto këto pjesë të Kosovës i kontrollon shteti serb përmes Listës serbe, edhe pse bëhet fjalë për komunat që gjeografikisht janë pjesë të shtetit të Kosovës, edhe që pavarësinë e këtij shteti të Kosovës deri më tani e kanë njohur 116 shtete. Duke pasur parasysh provokimet serbe përmes Listës serbe, partnerët e koalicionit LDK-AAK-NISMA duhet që për interesa të shtetit të tyre të ndërmarrin veprime të tilla që ta largojnë Listën Serbe nga ky koalicion dhe njëherë e përgjithmonë të tregojmë seriozitetin dhe guximin e shtetit të Kosovës për një veprim të tillë, kurse paraprakisht ta sigurojnë pjesëmarrjen edhe të ndonjë grupi opozitar në këtë qeveri ose nëse ndryshe nuk sigurohet stabiliteti i kësaj qeverie, të shkohet në zgjedhje te reja. Prandaj injorimi i Kryeministrit Hoti është i pakuptimtë, dhe herëve tjera duhet ta kemi parasysh faktin se Kryeministri përpos kushteve të parapara me ligje që duhet ti plotësoj, duhet të jetë edhe më vendimmarrës dhe trim”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".