Ethet e ftohta të Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale, mashtron dhe tradhton shokët e luftës

Ethet e ftohta të Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale, mashtron dhe tradhton shokët e luftës

Gani Qarri

  • 11 August 2020 - 07:31

Shkruan: Gani Qarri

“Ndaj,duke pasur parasysh faktin që Hashim Thaçi, nga frika se do ti mbylleshin të gjitha dyert për shpëlarjen e vetvetes para prokurorëve të Speciales dhe shkurtohej mundësia për hedhjen e fajësisë mbi komandantët e zonave, të cilët që nga fillimi, kanë qenë të kyçur drejtpërsëdrejti në luftime, ai ka përdorur një taktikë të habitshme, por mjaft funksionale, duke porositur të gjithë komandantët e dëgjueshëm ndaj tij, që të heshtin dhe të mos flasin gjatë marrjes në pyetje nga Gjykata, në mënyrë që ai vet të flasë atë që dëshiron edhe për ata”.

-I frikësuar nga fakti se shumica e pikave që përmban aktakuza e shpallur kundër tij, mund të konfirmohet edhe nga gjykatësi i procedurës paraprake të Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi vendosi ti mashtrojë edhe një herë, sa më rëndë dhe sa më pakuptueshëm komandantët. Ai me gjetjen e pashembullt dhe të padëgjuar ironizuese, në këtë formë e përmbajtje,se gjoja me heshtje para Prokurorëve të Gjykatës Speciale, mbrohet më së “miri” lufta e UÇK-s, Thaçi jo vetëm që i shkalloi tërësisht komandantët e dëgjueshëm, por u mori atyre edhe të drejtën personale për vetëmbrojtje me argumente dhe autorizoi vetveten të flasë në emër të tyre, jo atë që ishte dhe ka ndodhur gjatë atyre viteve, por atë që dëshiroi vet dhe i konvenoi Thaçit në ballafaqimin katër ditorë me prokurorët e Gjykatës Speciale. Kjo edhe për faktin se, përderisa vitin e kaluar është arritur një marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës dhe Shërbimin Holandez të Burgjeve për përgatitjen e objektit të ndalimit,si dhe ka përfunduar edhe përzgjedhja e oficerëve të paraburgimit, pas propozimit të aktakuzave të para dhe përgatitjes së qendrës së paraburgimit në Hagë, tashmë duket se do të kemi edhe të burgosurit dhe të dënuarit e parë nga Gjykata Speciale. Megjithëse Gjykata Speciale me seli në Hagë, tërësisht është funksionalizuar në korrik të vitit 2017, Prokuroria Speciale vetëm në dhjetor të vitit 2018 ka nisur të intervistojë personat e parë të ftuar dhe mbi 21 vite pas përfundimit të luftës, Gjykata Speciale ka filluar të merret seriozisht me temën më të nxehtë që nga çlirimi i vendit e këndej, si krimet e supozuara të luftës dhe ato kundër njerëzimit, kinse nga pjesëtarët e UÇK-s, në Kosovë. Lidhur me këtë temë, nga dhjetori i vitit 2018 e deri më tani, nga Prokuroria Speciale,janë intervistuar mese 100 persona, e cila përveç disa nga ish komandantët e zonave të ndryshme operative të UÇK-s, që nga Ramush Haradinaj, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Sami Lushtaku,Rexhep Selimi,Kadri Veseli etj, së fundi ajo ka intervistuar për 4 ditë me radhë edhe vet Hashim Thaçin, personin e parë dhe kryesor të akuzuar në Raportin famëzi të Dick Martit. Kjo nënkupton se Prokuroria Speciale, vërtetë më në fund ka nisë të punojë me dinamikë më të shtuar dhe këtë vit pritet të zhvillohen edhe seancat e para për krimet gjatë luftës por edhe pas saj, sidomos ato të vrasjeve politike në Kosovë. Ndaj,duke pasur parasysh faktin që Hashim Thaçi, nga frika se do ti mbylleshin të gjitha dyert për shpëlarjen e vetvetes para prokurorëve të Speciales dhe shkurtohej mundësia për hedhjen e fajësisë mbi komandantët e zonave, të cilët që nga fillimi, kanë qenë të kyçur drejtpërsëdrejti në luftime, ai ka përdorur një taktikë të habitshme, por mjaft funksionale, duke porositur të gjithë komandantët e dëgjueshëm ndaj tij, që të heshtin dhe të mos flasin gjatë marrjes në pyetje nga Gjykata, në mënyrë që ai vet të flasë atë që dëshiron edhe për ata. Me moton "Bëni çfarë u temë unë dhe mos bëni atë që bëjë unë", Thaçi i mashtroi rëndë edhe njëherë "bashkëluftëtarët" duke ua marrë edhe të drejtën e shprehjes dhe rezervuar vetëm vetvetes privilegjin që të flasë pareshtur për katër ditë me radhë para prokurorëve në Hagë, ndaj dhe është plotësisht e natyrshme që të intervistuarit e deritanishëm, të frikësohen shumë prej Thaçit por edhe prej njeri tjetrit, për deklaratat e dhëna dhe ato që mund të jepen para Gjykatës Speciale, gjatë procesit të intervistimit, mbi akuzat që u ngarkohen dhe dyshimet e ngritura ndaj të kaluarës së tyre. Për aq më tepër edhe vet shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi duke folur për Gjykatën Speciale dhe intervistën e presidentit Thaçi atje, deklaroi se është pikërisht Hashim Thaçi ai i cili i ka porositur të gjithë të intervistuarit e deritanishëm që të mbrohen në heshtje, si strategjia me e mirë e mbrojtjes, por ai vetë nuk ka respektuar këtë porosi të dhënë ish kolegëve të luftës dhe kur ka shkuar në Hagë, ka folur katër ditë për ta, thotë Selimi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është deklaruar personalisht disa herë se duhet të flitet dhe të mbrohet me fakte lufta e UÇK-së në Hagë, sepse ajo nuk mund të mbrohet nëse atje heshtet, ndaj dhe ai ka folur në Gjykatën Speciale gjë që nuk do të mbetet sekrete për kohë të gjatë dhe do të shihet që përfiton UÇK-ja”, ka shtuar deputeti i LVV-së,Rexhep Selimi, njëri prej ish komandantëve të UÇK-së,të intervistuar nga Prokuroria Speciale. Sidoqoftë ai thotë se presidenti aktual Hashim Thaçi vazhdimisht ka kërkuar, madje edhe nën presion, që të ftuarit për intervistim të mos flasin fare, të mbrohen në heshtje, presion ka pasur edhe ndaj meje që edhe unë të heq dorë dhe të mos flasë në Gjykatën Speciale, e megjithëse me Thaçin nuk kam pasur komunikim të drejtpërdrejt, porosi kam marrë nga të gjitha anët që të mos flasë as unë në Gjykatën Speciale. Por përkundër faktit se kam pasur porosi nga Thaçi dhe njerëzit rreth tij që të mbrohemi në heshtje dhe këtë ai nuk e ka bërë vetëm në adresë time por ka bindur edhe disa të tjerë, Hashim Thaçi vet ka folur në Speciale, madje më së gjati dhe për katër ditë me radhë”, ka shtuar ndër të tjera Rexhep Selimi. Kështu që edhe ky shqetësim i ngritur nga z. Rexhep Selimit, flet hapur për mundësinë hedhjes së përgjegjësisë eventuale të shkeljes së ligjeve të luftës, nga niveli më i lartë i hierarkisë komanduese, tek disa epror të vegjël, sidomos mbi ata të cilët janë mbrojtur në heshtje, me qëllim për ti shpëtuar drejtësisë "udhëheqësit" kryesor, që kanë komanduar dhe lejuar shkeljet eventuale të ligjeve të luftës, për çka edhe është krijuar Gjykata Speciale”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".