Gëzimi e hareja...rrapëllini i koreve të "kurdisura" do të zgjojnë nga gjumi

Gëzimi e hareja...rrapëllini i koreve të
Gëzimi e hareja...rrapëllini i koreve të

Shefik Shkodra

  • 09 September 2020 - 18:27

Kur i dëgjon njerëzinë e dehur me entuziazmin dhe krenarinë e do "marrëveshjeve" të pa favorshme,  e mendon veten ëndërr apo në një botë tjetër. Në një 'tebdil dynja'. Në një mes vokarrimë zërash të shtihuar. Një zhurmë e çakorduar. Një grumbull gumëzhitje prej shumë brumbuj në zhegun e mërzitshëm të verës. Fluturues me fleta mize e insektesh tjera, që lëvrijnë nëpër fusha të gjera.

Po fluturues pa derte, pa gjak, pa mend. Krejt me taktika nga patronët, sikur dikush po donë ta çoj punën deri në fund për Pavarësinë e Kosovës, por qe, "nuk po lejojnë..." të tjerët. Kush beson në këtë farë sintagme?! Kush thotë se mundësitë janë shterë në dialogun me palën tjetër. Sikur të mos kishim pasur të drejtë?! Sikur na shqiptarët ta kishim sulmuar dhe okupuar Serbinë?! Në realitet, provat për mos pavarësi tregojnë se, po dalin nga vetë iniciativa e shqiptarëve. - Jo për bashkim të një Shqipërie Etnike, jo se jo!

Sepse shqiptarët nuk janë të gatshëm as në veri e as në  jug për këtë proces. Sepse, grupe politikanësh ngrihen në vagë kah peshon interesi i tyre dhe intimja. Kah rehatia dhe deliri i tyre, kah vëllazërim-bashkimi i kësaj epoke të re. Ripërtëritje historie. Kah ndonjë rezultat i origjinës së gjakut e fesë. Kah...edhe kush di kah tjetër. Ai i Tiranës, jo si ndihmës politike të favorshme për shqiptarët, por si paternalist i "do fëmijëve" injorantë e të mbetur në "rrugë", mendjemadh e i përzier në "çorba", si pronari i çifliqeve të tij dhe sikur, Aga i kryen këto punë!  "Unë jam këtu. Unë e zgjidhi klonopin!" Bëri ç'bëri, me Serbinë miqësi, e futi në hise me një projekt - Mini Shengeni ballkanik?! Këtë edhe e ka kërkuar dhe e ka dashur me shekuj Serbia. Kur nuk ka mundur me paqe, si sot, me luftëra deri në  Durrës. E di Edi Rama këtë farë vepre historike. Këtë fabulën e ujkut! Ky në veri (i Kosovës) u tërhoq, sikur nuk pajtohet, por pa reagime lidhur me këtë farë Shengenin.

Hë de! Asgjë. Shumë alegorike kjo episod! Dhe me taktikë para opinionit publik. U gatua mirë!  Krejt ajo psikologji politike për opinionin e brendshëm doli për fushë me zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar (2019). Këtu nuk u përballua. Shpërtheu dhe vërshoi fushë e male. Saktë kur u suspendua një qeveri e Kosovës,  nga muajt e parë të këtij viti (2020), cila pretendonte ta administrojë vendin sipas kushtetutës, partitë u rebeluan dhe e rrëzuan nga ai parlamenti i çalë e i pa dinjitetshëm.

Më shumë në ikje nga drejtësia vetë ata, që e  donin këtë mocion, sesa diç për favore politike të Kosovës. Sepse, me të drejtë edhe është prishur sovraniteti i Kosovës nga të njëjtit që e shpallën të pavarur me 17 shkurt 2008. Ata nuk tregojnë pse kështu.

Por ata e dinë mirë pse-në. Dhe po këta të njëjtit, filluan të heqin nga kjo "kala" nga një gur në çdo takim me serbijanin. - Më parë, t'i vihet kësaj republike një yll, sa të mos mendohet se është e pavarur. Serbia nuk e duron dhe nuk do këtë. "Ky është  vendi ynë!" Thërriste Serbia dhe klithte Kisha ortodokse serbe bashkë politikën zyrtare. Dalëngadalë kërkesat e Serbisë po shtoheshin.

Doli propozimi për lëvizje kufijsh. Pastaj për ndarje toke dhe pasurive të paluajtshme. Themelim të komunave një etnike serbe për mjedis të Kosovës. E shqiptarët vetëm sa mbeten në karantinë, jo për shkak të pandemisë, po pikërisht për shkak të reklamave që politikanët e Kosovës i bënin këtij vendi, herë republikë e pavarur me kushtetutë të votuar të veten, herë një vend pas sakrificave shekullore që, nuk i dihet statusi ende në asnjë kohë. Do të thotë, kthim në pikën zero.

Kjo ishte politika e këtij vendi, nga Hashim Thaçi, herë i vetëm e herë në bashkëveprim me Isa Mustafën, ky për t'ia tumir "tezat" shumë 'historike' bashkëveprimtarit Thaçi, këtu brenda në Kosovë, e herë me Edi Ramën, atje në Tiranë. Inteligjenca shqiptare andej e këndej dhe forcat tjera - Krushqit e Varreve! Pulsi veç sa po ndihet. Pula ka mbetur pa kokë! Shkapurthje pa ligj natyror e të pa respektueshme në aspektin shoqëror e njerëzor! Shumë ndrojtje po e edhe guxim nga shtresa e "lavdiplotshmëve" që kanë "punuar" qe sa vite për këtë ditë. Që e kanë "zie" mirë këtë "grusht gështenjash", për hare dhe dt. historike. 

Takimi i fundit, në Shtëpinë e Bardhë, në Amerikë, me kryetarin e  forcës më të madhe Botërore, më shumë për interesa personale. Edhe Ekipi i  Kosovës shumë fatlum që ka mbërri deri në këto Dyer. Të fotografohet me zyrtarë të super fuqisë botërore. Dhe s'ka rëndësi, më në  fund, u nënshkrua edhe në prekjen e pikave strategjike nacionale. Bën e s'bën, krejt mirë është, thanë. E para, nuk është thënë ndarje, veç nga Ujmani duhet të ketë hise edhe Serbija! Ndoshta, atypari edhe diçka tjetër, pak më vonë.

E dyta, projekti i Edi Ramës, Mini Shengeni ballkanik, tash forcat politike kosovare - si pulat, u tërhoqën nga prapavija e një strehimi të përkohshme dinakërisht si dhelpra, e që dikur bisedohej veç nga mediet, dhe u nënshkrua nga kryeministri i "butë" e i pa fjalë, prof. Abdullah Hoti. Ekipi shend e verë! Korrje e suksesit! Datë historike për Kosovën! Lavdi politikës ekspresioniste të kosmopolitanizmit!

Lavdi kokave të politikanëve shqiptarë! Këta janë babaxhanët që i shtrijnë krahët nga lirimi i ankthit të deri deshëm. Dhe rrapëllimat e tupanëve dhe koncerteve koresh, jehojnë deri në skaj bote, përveç për vetëkënaqësi, edhe për zgjim ndërgjegje!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".