Mafia që ka kapur shtetin i reziston për Vettingun edhe karshi faktorit ndërkombëtar

Mafia që ka kapur shtetin i reziston për Vettingun edhe karshi faktorit ndërkombëtar

Gani Qarri

  • 20 September 2020 - 13:55

Shkruan: Gani Qarri

“Iniciativa e zhvendosjes së Vetingut nga një top temë me prioritet shtetëror, në një aktivitet anësor, me të drejtë është vlerësuar hap prapa në sundimin e ligjit dhe tepër qasje shqetësuese për funksionimin në mënyrë të pavarur të institucioneve shtetërore. Në këtë rrafsh Organizatat e pa varura profesionale, me arsye po e kritikojnë veçanërisht planin e Ministrisë së Drejtësisë për të hartuar pa ndonjë nevojë një reformë në sistemin e drejtësisë duke involvuar vetë krerët e korruptuar të këtij sistemi gjë që po shihet vetëm si farsë dhe paradoks më vete. Emërimi i figurave të larta aktuale të korruptuara të sistemit të drejtësisë në Komisionin e Jurisprudencës po konsiderohet qartazi tendencë klienteliste dhe forma më e trishtë kriminale e konceptit kapës ndaj sistemit të drejtësisë, që jo vetëm se nuk ka një plan të qartë anti-korrupsioni,por një akt i tillë nuk përben as prioritet qeveritar”.

Duke pasur parasysh faktin se tash e mbi 13 vite, grupe mafio-oligarkësh, kriminale dhe para politike, kanë kapur çdo pore të institucioneve të shtetit, po bëhet tepër e domosdoshme që krahas mbështetjes ndërkombëtare për të zgjidhur problemin prej dy dekadash me Serbinë, të insistohet me këmbëngulje edhe në forcimin e shtetit të Kosovës, të futet urgjentisht në agjendë vendosja e ligjit dhe funksionalizimi i shtetit të së drejtës të cilat nuk kanë funksionuar më që pas shpalljes së pavarësisë,duke mbetur gjithmonë të dirigjuara direkt nga politika dhe grupet kriminale të interesit. Për aq më tepër edhe qeveria minore aktuale, sipas vlerësimit dhe monitorimit të organizatave vendore të sundimit të ligjit, ka dëshmuar një mungesë serioze të agjendës vepruese në fushën e sundimit të ligjit; nuk është ndërmarrë asnjë iniciative që realisht do të kishte dhënë shpresë për të kontribuar për rivendosjen e ligjit dhe ç’kapjen e institucioneve shtetërore, sidomos ato të prokurorisë dhe gjykatave që janë direkt të dirigjuara nga politika.

Për të realizuar ndryshime të njëmendta edhe në drejtësinë Kosovare, duhet të futet urgjentisht modeli kroat i veprimit, shtet në të cilin nga viti 1991-2009, vetëm nën akuzat për hajni dhe korrupsion, janë arrestuar dhe burgosur 2 Prokurorë të përgjithshëm, 75 Prokororë shtetror, 90 Gjykatës dhe 150 avokat gjë që në dy dekadat e fundit, fatkeqësisht nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë. Për aq më tepër në shtetin kroat, është burgosur edhe vet ish Kryeministri Ivo Sanader, si dhe ish Kryetari i Bashkisë së Zagrebit, ndërsa lista e të përndjekurve nga ligji dhe drejtësia është shumë e gjatë, përfshi funksionarë të të gjitha shkallëve të pushtetit dhe niveleve më të larta në polici, ushtri, shërbime inteligjente e kushdo dhe ngado që është pretenduar të pengohet vendosja e rendit dhe ligjit në vend”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".