Kosova, detyrimisht në zgjedhje të parakohshme

Kosova, detyrimisht në zgjedhje të parakohshme
Kosova, detyrimisht në zgjedhje të parakohshme

Skender Kapiti

  • 07 November 2020 - 09:28

Shkruan: Skënder Sadri KAPITI

Kosova sot  realisht është në një ngërç politik e demokratik. Falë demokracisë daljen nga ky udhëkryq e bëjnë vetëm zgjedhjet e parakohshme dhe jo me aventura politike, as me garnitura të gërrditshme dhe as me arnime politike.

Sot është urgjencë kombëtare fjala dhe vendimmarrja popullore, janë zgjedhjet e parakohshme si domosdoshmëri, pasi çdo kush sot e di mirë se kjo qeveri nuk është legjitime pasi erdhi si rezultat i një puçi parlamentar kundër verdiktit popullor të zgjedhjeve të 6 Tetori 2019.

Ky parlament që është sot , i cili devijoi dhe goditi rëndë verdiktin  dhe vullnetin  popullor nuk ka legjitimitetin as për të zgjedhur Presidentin e Republikës.

Ky parlament duhet të shpërndahet pasi ka prodhuar edhe një qeverisje jo vetëm jolegjitime por edhe krejtësisht të paaftë për të zgjidhur problemet jetike me të cilat po përballet sot Kosova.

Me dorëheqjen e detyruar dhe të imponuar të Thaçit nga posti i Presidentit, kjo fillimisht shënon çkapjen e institucionit të Presidentit gjë që tashmë është një lehtësim i frymarrjes demokratike dhe institucionale për shtetin e Kosovës, pasi tashmë dihet roli i tij kryesor në organizimin bashkë me Isa Mustafën në rrëzimin e qeverisë legjitime së mëparshme,  KURTI,   si dhe  në atë të formimit të qeverisë të palegjitimitet, HOTI.

Kosovës i duhen zgjedhje të parakohshme për t’i dhënë hov, impuls dhe vizion të ri zhvillimeve, perspektivës dhe progresit demokratik, ligjor e kombëtar të cilët i ka marrë peng politika e vjetër dështake, korruptive dhe penguese e bllokuese e sistemit.

Së pari zgjedhjet e parakohshme do të mundësonin VETING-un politik,pra skualifikimin dhe ndëshkimin e të gjithë politikanëve me rekorde krimi duke mos u dhënë më atyre mundësinë që të zgjidhen si deputetë.

Dhe me pastrimin e parlamentit detyrimisht nuk do të ketë më as qeverisje dhe as qeveritarë të korruptuar.

Elita e re politike që do të zgjidhej prej këtyre zgjedhjeve duke mos qenë e kapur dhe as e shtrënguar nga korrupsioni,  krimi, hajnija, as nga injoranca e as nga tradhtia, me siguri që do të ndërmerrte një reformë VETING-u për drejtësinë që është aq jetike për Kosovën. Pra, Kosovës,  pas zgjedhjeve të parakohshme do të shtrohej si detyrë jetike për të,    një ndërmarrje e një VETING-u gjithpërfshirës juridik e politik së pari, gjë që do të bënte të mundur   ndarjen përfundimtare  me këtë klasë politike të kalbur nga injoranca, krimi, korrupsioni dhe hajnija duke  ndëshkuar dhe çuar në pension politik të gjithë ata politikanë që janë krimbur nga paraja e pasuria e vjedhur dhe e grabitur, që janët trashur nga zullumi dhe tradhtia.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".