Gabimet tona na kushtojnë e do të na kushtojnë shtrenjtë!

Gabimet tona na kushtojnë e do të na kushtojnë shtrenjtë!
Gabimet tona na kushtojnë e do të na kushtojnë shtrenjtë!

Shefik Shkodra

  • 09 December 2020 - 14:06

Shkruan: Shefik Shkodra

Nuk do të përfillet politika e njerëzve të Kosovës nga europianët. Nuk do të përfillen, apo nuk dinë ta bëjnë këtë politikë këta tipat e kësaj garniture qe kaq vite në këtë vend?! 

S'ka qarkullim të lirë për shqiptarët e Kosovës. Shengeni europian nuk vlen për ne. Ne e kemi "Shengenin Ballkanik", të formuar nga kryeministri I "shqiptarëve", dhuratë e atij kryeministri.

Nuk na përfillin pesë shtete europiane sepse ne nuk dimë të merremi vesh me ta ndoshta. Këta zotërinjtë tanë nuk kanë një strategji të krijuar për marrëdhënie me botën e jashtme. Ndoshta nuk janë vetëm katër pesë shtete. Ndoshta janë të irrituara edhe më shumë shtete tjera në politikanët e Kosovës me sjelljen e tyre, me premtimet andej e këndej, të brendshme e të jashtme dhe gënjeshtrat që i lansojnë për çdo ditë. 

Derisa Serbia ka një strategji të kahershme në diplomaci, këta njerëzit tonë deri më sot nuk kanë krijuar diplomaci as strategji për të depërtuar në një rrugë që çon në marrëdhënie as përafërsisht me botën e jashtme. Në vend se të zgjedhin kuadro të formuara e të përgatitura në ambasadat tona, këta delegojnë panlavera partiak. Cila prej partive, individëve që janë në pushtet, kanë mundësi të plasojnë, të inkuadrojnë persona që nuk kanë minimumin e dijes. Derisa çdokush mund të jetë në shërbim të politikës së jashtme nuk ka avancim në këtë drejtim. Sepse edhe nuk kanë plan, për secilin vend çfarë duhet të veprojnë. Angazhimin e parive tona e kemi parë qe kaq kohë e qe kaq vite. 

Ministrija e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka koordinim të duhur me presidencën dhe institucionet përkatëse në vend. Interesimi i tyre deri sot ka qenë forcimi dhe strategjia për pushtet. Lufta më e madhe bëhet vetëm për pushtet. Kuadro që kanë bërë lëshime për interesa të tyre. Nuk mund të mbetemi duke i kritikuar të tjerët pa qenë asnjëherë autokritik. Nuk duhet të mbetemi duke kërkuar armiq e duke krijuar edhe atëherë kur nuk ka, por duhet të jemi korrekt para qytetarëve: jemi rrenca, hajduq (me korrupcion e krim), me pavendosmëri, me profile gjysmakë e të papërgatitur për lëmin që duhet të angazhohet. Çka flet secili politikan për ato viza? Deri kur mund t'u hedhin populli sytë dhe t'i dëgjojnë me veshët e tyre të njëtat figura qe kaq vite duke i gënjyer pa u skuqur për vizat..."vizat së shpejti bëhen. Shprsojmë brenda vitit. Brenda dy-tre muajve", etj. Me vjedhje të shtetit, me rrena për qytetarët, me kuadro militantë e injorantë nuk arrihet qëllimi për shtet. Bëhuni njëherë të sinqertë! 

Nëse e ka vjedhur bankën, institucionin publik, ndërmarrjen pubike, etj. një qytetar, ai është mësuar prej personave në pushtet. Nëse bën gënjeshtra të rrezikshme për shoqëri, tradhton të tjerët, qytetari i ka marrë si mësime të zakonshme prej pushtetit. Vjedhjen, gënjeshtrën, tradhtinë qytetari i jonë e ka bërë rutinë e eksperiencë duke përvetësuar nga sistemi iqeverive...prandaj të tjerët e kanë gjetur pikën e dobët te ne, edhe pse vetë nuk janë aq imun ndaj disa veprave të tilla. Po na nuk duhet të  krahasohemi me të tjerët. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".