Helmimi  i qytetarëve të Deçanit dhe Pejës me ujin e “kontaminuar” një mësim i mirë për institucionet e shtetit të Kosovës 

Helmimi  i qytetarëve të Deçanit dhe Pejës me ujin e “kontaminuar” një mësim i mirë për institucionet e shtetit të Kosovës 
Helmimi  i qytetarëve të Deçanit dhe Pejës me ujin e “kontaminuar” një mësim i mirë për institucionet e shtetit të Kosovës 

Dr. Hysni Aliu

  • 19 July 2021 - 10:10

Shkruan:Dr. Hysni Aliu

Epidemia që ndodhi në Deçan dhe pjesërisht edhe ne Pejë, e ka shqetësuar seriozisht mbarë opinionin Kosovarë por edhe më gjerë, gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe punojnë. Raste të infektimit me ujë, ushqim apo mënyra tjera ndodhin edhe në perëndim, por, për dallim nga Kosova, atje shteti është funksional, ka resurse njerëzore dhe kapacitete të mjaftueshme shtetërore, për menaxhimin e epidemive të tilla që lehtë mundë të shndërrohen në tragjedi njerëzore. 

Ne në Finlandë, kemi një mënyrë të zakonshme të reagimit në situata të këtilla: Rregull numër një është, që të menaxhohet kriza emergjente në mënyrën më të mirë të mundshme duke u organizuar të gjitha strukturat sikurse ato lokale po ashtu edhe qendrore.  Rregull numër dy është që në këso situatash nuk kërkohet fajtori, por kërkohet  shkaku dhe menaxhohet problemi, në mënyrë që pasojat tek njerëzit të jenë sa më të vogla.

 Ndërsa rregulla numër tre, është që pasi që të ketë kaluar situata emergjente, analizohet se cila hallkë në zingjirin funksionues ka dështuar, në mënyrë që së pari të sigurohen që gabimi mos të përsëritet, së dyti që të mësohet nga gabimi, dhe së treti, nëse kemi të bëjmë me neglizhencë apo diçka edhe më e rëndë që ndërlidhet me faktorin njeri, të vendoset para drejtësisë secili individ , ku drejtësia e thotë fjalën e fundit. 

Dezinformatat  apo manipulimi i opinionit duke shkaktuar panik te popullata  janë gjërat  më të rrezikshme në këto situata. Roli i mediave në situata të tilla në Finlandë, është në mënyrë absolute i mahnitshëm. Atje mediat i peshojnë mirë gjërat që i publikojnë në mënyrë që popullatën mos ta dezorientojnë ose ta orientojnë në iluzione që në situata të tilla mundë të shkaktojnë  dëme të pariparueshme dhe reagime të pakontrolluar. Pra, atje, media, ashtu si çdo institucion tjetër është në nivel te detyrës, ku në rend të parë vendosin shtetin e jo interesin material apo klikimet. 

Këtu në Kosove, shumica e mediave kanë një sjellje plotësisht jo profesionale gjatë situatave emergjente, ku natyrshëm sytë dhe veshët e secilit janë të drejtuar pikërisht kah to, për të marr informata sa më të shumta dhe të besueshme, dhe kjo është shqetësuese. Ne, fatkeqësisht jemi  me dekada mbrapa perëndimit, me arsimim, me shëndetësi , me teknikë, me aspekte kulturore, sociale e ekonomike, andaj jemi shumë të ndjeshëm ndaj dezinformatave dhe fatkeqësisht lehtë të manipulueshëm. Nëse i shtojmë këtu edhe besimin e cenuar në institucionet shtetërore,  atëherë manipulueshmeria bëhet edhe më e madhe. Edhe mungesa e laboratorëve për analiza toksikologjike dhe nevoja apo detyrimi që për analizat më të thjeshta të kërkohet ndihmë jashtë shtetit, është tepër shqetësuese. Unë ju garantoj, që laboratorë të tilla që i nevojiten Kosovës kësaj radhe për të identifikuar viruset, bakteret, apo parazitët në fekalet e pacientëve, apo ujin e pijshëm, gjenden në çdo qendër shëndetësore në Finlandë.

Ne si shtet, që tani po formojmë edhe ushtrinë tonë, domosdoshmërisht duhet të kemi së paku një laborator i cili është i nivelit perëndimore, laborator i cili ofron mundësinë e testimit për çdo agjent kimik, biologjik apo i ndonjë lloj tjetër. Ne kemi ndërtuar autostradat miliardësh, ndërsa nuk kemi laborator të specializuar që nuk besoj që kushton më shumë se disa miliona euro. Ne duhet të mësohemi që punët ti kryejmë në shtëpinë tonë e jo të kërkojmë lëmoshë te fqinjët apo miqtë ndërkombëtarë sa herë që kemi të bëjmë me diçka të komplikuar.  Ministria e shëndetësisë dhe ajo e mbrojtjes duhet të mendojnë mirë këtë aspekt që ndërlidhet edhe me shëndetin e popullatës por edhe me sigurinë nacionale.

Si rrjedhojë e gjithë kësaj, shtrohet një pyetje e thjeshtë dhe logjikë; Si mundemi ne të jemi të sigurt që laboratorët Kosovar që bëjnë kontrollin e rregullt të ujit të pijshëm apo ushqimeve, mundë të identifikojnë në të ardhmen patogjen të ndryshëm, nëse kësaj radhe për gjërat më të thjeshta u nevojiten analizat jashtë shtetit? Logjikisht dhe thjeshtë, a do të thotë kjo, që deri më tani  me vite të tëra, çdo informatë që ka ardhur nga institucionet mbikëqyrëse sanitare   se uji i pijshëm është i pastër dhe ushqimi që konsumojmë  është  në rregull, na paska qenë gjysmake apo edhe gënjeshtër??!!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".