Shqipërinë dhe demokracinë e shpëton vetëm mos bindja qytetare!

Shqipërinë dhe demokracinë e shpëton vetëm mos bindja qytetare!
Shqipërinë dhe demokracinë e shpëton vetëm mos bindja qytetare!

Fadil Maloku

  • 10 September 2021 - 17:02

Shkruan: Sociologu Fadil Maloku

 Për t’u funksionalizuar demokracia e një vendi pra për t’i ikur keqkuptimit mbi vetë termin , dhe botëkuptimin e qeverisjes demokratike, e në veçanti pēr ta kundërshtuar e kontestuar antipodin e saj-totalitarizmin (qē ndryshe nē terminologjinë shkencore sociologjike njihet, shquhet e shpesh edhe identifikohet edhe si populizëm!) duhet doemos të “instalohet paqësisht filozofia dhe institucioni social i mosbindjes qytetare.

Duhet tē instalohet, edhe për shume arsye e shkaqe; S’pari shkaku i “shëndetit”me tal të vetë demokracisë si sistem, si ideologji si botëkuptim dhe si mënyrë të qeverisjes më të mirë gjerē më tani, që shpiku mendja dhe ambicja e njeriut. S’dyti, instalimi i mosbindjes qytetare, si platformē dhe si altenativē mobilizuese për përsosjen demokratike garanton qeverisje shumë më perfeksioniste se sa sistemet tjera. S’treti, mosbindja e rritë adrenalinen qytetare në drejtim të mbajtjes nën rrogozë të mashtruesve dhe matrapazëve që i “prodhon” sidomos filli i instalimit të demokracisë.

Studimet e gjithanshme sociologjike, në pothuajse të gjitha vendet e tranzicionit kanë dëshmuar një fakt të paqenë deri më tani se: çdo vend postkomunist për t’u bërë një shtet i fortë dhe demokratik, patjetër duhet që të demokratizohet. Dhe se ky proces jo vetëm që është çelësi por mbetet edhe kushti kryesor i futjes së atyre shteteve në agjenden e konkurrencës dhe prosperitetit rajonal, kontinental e madje edhe global.

Mosbindja qytetare (civil disobedience) duket që shkaqeve të lartpërmendura duhet shtuar edhe një segment tjetër që në Kosovë e sidomos në Shqipëri ende nuk i ka marrë përmasat dhe rrjedhat e natyrshme imponuese. Të natyrshme imponuese në kuptimin që ajo të bëhet një aleate she kujdestare e fuqishme për ta demokratizuar dhe socializuar qytetarinë e një vendi.

2. Thënë me parametra dhe logjikë sociologjike, mosbindja qytetare, i bie si një lloj përpjekje e një grupi njerëzish apo elitash (periferike ende!) të reja politike që për qëllim e imperativ e kanë ekskluzivisht ndryshimin e politikave diskriminiese: sociale, politike, ekonomike dhe sosh juridike me mjete paqësore, pra mosnjohje të vetëdijshme të pushtetit që pretendon të ushtrohet qëllimshëm mbi vetën tënde, mbi familjen komunitetin dhe kombin tënd.

Por, dilema “hamletiane” në këtē rrugëtim çlirues gjithnjë do mbetet ajo; si ta ndryshosh pushtuesin apo pushtetin e pushtuesit prej të cilit aspiron të çlirohesh. Në këtë lloj “beteje” kundër legjitimitetit të pushtetit të tëhuajsuar nga qytetaria në demokracitë e avancuara, është interesant që mosbindja qytetare pērkufizohet edhe si “përvojë e delegjitimitetit”!?

Ky term tipik sociologjik për herë të parë u përdorë në Amerikë nga Henry David Thoreau (1849), me qëllim të mbrojë mospagesën e taksave si protestë kundër mbështetjes së skllavërisë nga ish qeveria amerikane. Për kosovarët “shija” e mosbindjes qytetare u kalit qysh gjatë kohēs së okupimit dhe ushtrimit të diskriminimit dhe apartejdit të pushtetit serb, në vitet ’90-ta, pra, kohēs së joviolencës e cila në fillim me mobilizimin e vetë racional por edhe atë euforik, ka qenë shumë e suksesshme karshi regjimit serb.

Mirëpo, më vonë erdhi duke u atrofuar dhe duke u keqkuptuar edhe nga vetë iniciatorët, gjë që u pa në periudhat e viteve 1997/8 kur shqiptarët iu kthyen kodit të tyre identifikues të rebelimit të njëmendët që prodhoi luftën e vitit 1999. Por, të shohim cilat kualitete, mund të prodhojë mekanizmi i mosbindjes qytetare në rastin dhe momentin në të cilin gjendet aktualisht Kosova, pra koha kur po provohet tashme të hiqet pengesa e mbikëqyrjes ndërkombëtare në këtë vit.

Në fakt, koncepti i mosbindjes nënkupton një mënyrë të re të ndërgjegjësimit qytetar për rreziqet dhe padrejtësitë që ushtrohen në publik nga ana e pushteteve, çfarëdo qofshin ato, pra një momentum kur kuptohet se janë harxhuar të gjitha kredot dhe të gjitha metodat e tjera ligjore, përmes të cilave mund të arrihen rezultate të njëjta të avancimit të drejtave sociale qytetare të një vendi.

3. Në kohërat e revolucionit teknologjik, kur me me një klikim të vetëm në mediet sociale, mund tē mobilizosh miliona njerëz, lëvizjet e reja qytetare që prodhojnë një mosbindje të mobilizuar padyshim që nuk janë kundër sistemit në përgjithësi, por vetëm kundër instancave që dëshmohet psh. se manipulojnë: me procesin zgjedhor: që abuzojnë me ekonominë (sidomos në vendet që gjenden në tranzicion); që korruptohen skajshmërisht; që pasurohen jo ligjërisht; që përhapin dhe përkrahin pa ose me vetëdije forma të sjelljeve kriminale dhe devijuese; pra, që nuk ushtrojnë detyrimet e tyre të kontrollit social mbi qytetarët e atij vendi.Një eveniment që zakonisht e karakterizon mosbindjen qytetare pa dyshim që ka të bëjë me parimin apo kërkesën fondamentale të demokracisë se çdokush duhet të japë llogari për shkeljet dhe padrejtësitë, të ketë transparencë sa më të plotë në vendimmarrjet publike: të emërohen kompetentët për punët dhe administrimin të shteti: etj.Ndonëse, në këtë vorbull të mosbindjes qytetare, mund të ketë edhe grupe të atilla që mund ta keqpërdorin fisnikërinë e idesë së rebelimit ndajë padrejtësive që u bëhen qytetarëve të vetë, prapëseprapë ideja e ushtrimit të mosbindjes qytetare nga shumica e sociologëve sot konsiderohet si diçka krejtësisht legjitime. Ajo kontestohet zakonisht nga grupet mafioze që kanë hyrë në politike (e që ne rastin e Kosovës, Shqipērisë dhe shumicës së vendeve në tranzicion janë evidente).

Mosbindja qytetare ndonëse ngandonjëherë (kur nuk arrin t’i formatizojë caqet e veta publike, shkaku i rezistencës nga ana e pushtetmbajtësve…) përdorë metodat që dalin jashtë kornizave ligjore, prapëseprapë ajo konsiderohet se iniciativë legjitime. Duhet cekur që mosbindjen qytetare shumica e demokracive të konsoliduara e kanë shijuar, andaj as Kosova e as Shqipëria s’do duhej bërë ndonjë përjashtim të theksuar. Një gjë është e sigurt, se asnjë nga subjektet aktuale politike, nuk do të mund ta shihnin veten në proceset e mëpastajme edhe për shkak se mosbindja e ngjarë do të prodhojë përveç njerëzve e vizionit edhe ide të reja sociale e politike për vendin.

Andaj na vërtitet pyetja: të demokratizohemi paqësisht apo të mosbindemi paqësisht? Unë padyshim që jam për opsionin e parë, por nuk e përjashtoj as ate të dytë, ngaqë, opsioni e parë e vonon demokracinë por në anën tjetër e konsolidon shtetin, gjersa opsioni i dytë e vonon ndërtimin e shtetësisë, por e konsolidon demokracinë…!

Mosbindja qytetare ndonëse ngandonjëherë (kur nuk arrin t’i formatizojë caqet e veta publike, shkaku i rezistencës nga ana e pushtetmbajtësve…) përdorë metodat që dalin jashtë kornizave ligjore, prapëseprapë ajo konsiderohet se iniciativë legjitime…

Mosbindja qytetare, i bie si një lloj përpjekje e një grupi njerëzish apo elitash (periferike ende!) të reja politike që për qëllim e imperativ e kanë ekskluzivisht ndryshimin e politikave diskriminiese: sociale, politike, ekonomike dhe sosh juridike me mjete paqësore, pra “mosnjohje e vetëdijshme e pushtetit që ushtrohet qëllimshëm mbi vetën tënde, familjen komunitetin dhe kombin tënd.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".