Si e luftoi Kisha Ortodokse Serbe, Kishën Katolike Shqiptare

Si e luftoi Kisha Ortodokse Serbe, Kishën Katolike Shqiptare
Si e luftoi Kisha Ortodokse Serbe, Kishën Katolike Shqiptare

Ragip Guraziu

  • 11 April 2022 - 09:49

Shkruan:Ragip Guraziu

Po t’u referohemi dokumenteve të botuar nga Akademia e Shkencave të Serbisë, por edhe nga botimet e Kishës Ortodokse Serbe, atëhere në vijimësi dhe qysh herët vemë re një qëndrim të ashpër, aspak tolerant e, mbi të gjitha, armiqësor të kësaj kishe ndaj popullsisë shqiptare e sidomos ndaj klerit katolik shqiptar.

Kjo strukturë, e cila në shtetin serb është pjesë e masakrës ndaj shqiptarëve dhe hartuese e politikave antishqiptare, akoma edhe sot harton dhe shpif, apo mundohet të rindërtojë frymën e përçarjes dhe vëllavrasjes ndër shqiptarë, të nxisë politikat e nacionalizmit ekstrem mundohet me të gjitha mënyrat të pengojë ecjen përpara, integrimin dhe mosnjohjen e shtetit të Kosovës. Akoma dhespotë të ardhur prej Serbisë turren ta quajnë Kosovën pjesë të Serbisë edhe pse kjo copë tokë e Ballkanit është larë me gjak cep më cep prej masakrave dhe Golgotës serbe. Akoma në këtë copë të Ballkanit gjenden dhespotë që rrëmbejnë armën apo bekojnë luftra ekstreme dhe masakra barbare, deri dhe vrasjen e fëmijëve në djep.

Politikanë dhe drejtues të Kishës Ortodokse Serbe, herë nën zë e herë haptazi, mundohen ta quajnë Kosovën një shtet të tipit mysliman, biles një shtet të tipit fondamentalist. Gjithashtu, kur Kisha Katolike Shqiptare nuk është gjendur në anën e tyre si falsifikatore e historisë dhe fakteve, atëhere dhe ajo është kthyer në objekt sulmi dhe shpifjesh. Ky sulm dhe këto shpifje, ashtu si dhe lufta e përhershme ndaj shqiptarëve, është e hershme.

Nëse hedhim një vështrim më herët rreth katërqind e ca vjet më parë, në një natë të ftohtë dhjetori antishqiptarët më të egër nuk patën hezituar ta mbysnin në ujërat e Drinit të Bardhë Pjetër Budin (në dhjetorin e vitit 1622), i cili ishte bërë i njohur si një atdhetar, ishte dalluar për veprimtarinë e vet të pareshtur në të mirë të atdheut. Njëri ndër hartuesit e raporteve mbi gjendjen e kishave, klerit dhe popullsisë në Shqipërinë e Veriut, por ai ishte dhe njëri ndër udhëheqësit shpirtërorë, më të spikatur e më fisnikë të kohës së vet, madhështia e të cilit veçse rritet me kalimin e viteve dhe shekujve.

Më 28 nëntor të vitit 1912 , në qytetin e Vlorës u Shpall Shteti i Shqiptar

Megjithatë Shteti Shqiptar përmblidhte vetëm përafërsisht gjysmën e regjioneve të banuara me shqiptarë në Ballkan. Më shumë se 50% e popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit kombëtar. Serbët ishin turrur të rrëmbejnë një copë të truallit të shqiptarëve.

Edhe afro 116 vjet më parë; në vitin 1913, Kisha Ortodokse Serbe e shpall Kishën Katolike Shqiptare, e në veçanti atë të Mirditës, Abatin dhe priftërinjtë si armikun më të madh të Serbisë.(2) Ndërkohë që po kjo kishë ka ngritur akuza mjaft të rënda ndaj kishës Katolike në Kosovës e vijon të ngrejë edhe sot.

Barbaria serbe nuk e kishte kursyer jetën e njërit ndër më të ndriturat mendje të shqiptarëve, At Shtjefën Gjeçovit; e kështu faktet kokëforta ndjekin njëra- tjetrën.

Gjithnjë udhëheqësit shpirtërorë, e në mënyrë të veçantë klerikët katolikë, shpalleshin armiqtë më të mëdhenj të popullit serb jo rastësisht por sepse, siç pohon Rexhep Qosja në veprën e tij “Populli i ndaluar” “…, në historinë e popullit shqiptar, faktori fetar, as ai mysliman, as ai ortodoks, nuk kanë luajtur ndonjë rol atdhetar, çka nuk mund të thuhet për një numër të klerit katolik, ndër të cilët ka të tillë, që kanë merita të mëdha në kulturën shkrim-këndim, gjuhë dhe letërsi shqipe. Ata ishin atdhetarë të mëdhenj..”

Apo siç shkruan Faik Konica në revistën e tij “Albania,” se katolikët shqiptarë janë shkak që u mbajt gjallë gjer më sot kombësia jonë.

Krishterimi ishte feja e parë ndër shqiptarë. “Ilirët ishin të parët në Ballkan që pranuan këtë besim të ri në vend të paganizmit.”(4) Kështu katolikët përbënin dhe rrezikun kryesor për kishën dhe kishtarët e Serbisë, pikërisht pse ata ishin historikisht ura lidhëse me Evropën e qytetëruar. Katolicizmi, nga njëra anë i jepte Shqipërisë bashkimin që i mungonte si shtet dhe nga ana tjetër e lidhte me botën e krishterë evropiane, vinte në dukje Fan Stiljan Noli.

Pikërisht këta atdhetarë të mëdhenj vinte së pari në shënjestër Kisha Ortodokse Serbe dhe i shpallte armiqtë më të mëdhenj të Serbisë.

Në fundvjeshtën e vitit 1912 menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Petar Karagjorgjeviq urdhëron ushtritë serbe, të cilat pasi kishin kryer masakra të pashoqe në Kosovë, të turreshin për pushtime të reja të territoreve të Shqipërisë. Ai urdhëron “… Tej shkrepave shqiptarë dhe alpeve me borë, përtej strofujve të rebelëve arnautë në detin Adriatik, për të ngritur flamurin burrëror të Serbisë…”(5) Dhe këtë e pohon në kujtimet e veta Kryeshefi i Shtabit, i cili mbërriti deri në Durrës Dragoljub M. DINIÇ vetëm se dhjetë vjet më vonë. Pra, veç shtetit serb, dhe Kisha Ortodokse Serbe kërkon të shtrihet drejt brigjeve të Adriatikut në Shëngjin apo në Durrës me çdo çmim. Ani se jeta e shqiptarëve vihej në fillen e perit.

Në Beograd gjenerali famëkeq Bozo Jankoviç merrte dhe përpunonte njërin pas tjetrit raportet e nënkolonelit Dimitrie Bulici, cili e lajmëron shefin e tij gjakësor mbi situatën e trupave që lëviznin drejt zemrës së Shqipërisë “… Situata e radhës ka qenë fatale po të mos haste në mirësjellje nga ana e Mirditës, kryeqendra e të cilës është Oroshi. Aty gjendet selia e kryesuesit të Mirditasve Marka Gjoni, i cili ka pushtet të pakufizuar gjyqësor dhe ekzekutiv dhe selia e të parit të tyre fetar msgr Prend Doçi”.

“… Ipeshkvi dhe fretërit e tjerë për nga kombësia janë arbëreshë dhe patriotë të mëdhenj. Pritjen që e organizoi ipeshkvi ishte e përzemërt, aq edhe e shkëlqyeshme, nga biseda që më të u zhvillua në gjuhën frënge, se ai është udhëheqës politik i këtij fisi (Mirditës). Pyetja e tij e parë ishte se cilat janë qëllimet tona, gjegjësisht të Serbisë, në lidhje me Shqipërinë. I është përgjigjur: se ne nuk kemi pretendime pushtuese në këto anë… dhe se jemi të frymëzuar me mendimin që pas luftës ta lëmë Shqipërinë të lirë. Në atë moment, rreth ipeshkvit ishin të mbledhur bajraktarët e këtij fisi, të gjithë njerëz të pjekur me shprehje të vendosura dhe inteligjente në fytyrë, dhe kur kjo bisedë u është shpjeguar e kanë pritur kënaqshëm.”

Dimitrie Bulici këtu në një mënyrë të stërholluar mundohet t’u hedhë hi syve parisë së Mirditës, tek e cila duke shfrytëzuar qenien e kësaj treve katolike dhe njëkohësisht e një parie jo fort të orientuar si duhet, mundohet të luajë një lojë mjaft djallëzore dhe një pabesi të tipit serb. Kështu Buliç i drejtohet shefit të tij në Beograd, Petroviç, duke i shkruar “… Përveç të tjerash ato pra (mirditasit), e kanë lajmëruar ipeshkvin e tyre dhe neve se Mbreti Nikollë,( mbreti i Malit të Zi) i ka pritur shumë keq disa udhëheqës të Mirditës. Për këtë shkak mirditasit janë shumë të prekur…Pas kësaj u kam dhënë garanci të reja gojore se në liri të Mirditës nuk do të preket, se Serbia do të përkujdeset që të ruajë të drejtat e tyre shekullore e se me ta do të mbaj marrëdhënie më të mira miqësore. Me këtë rast ipeshkvi dhe udhëheqësit deklaruan se me Serbinë do të punojmë së bashku. Pas kësaj Kapidani Marka Gjoni u vu në dispozicion që me njerëzit e tij të nxjerrë çka ka nga ushqimet në këto anë të varfra…”

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".