Lëndët e krimit dhe korrupsionit nuk po zgjidhen, po mrizojnë pafundësisht nëpër gjykata

Lëndët e krimit dhe korrupsionit nuk po zgjidhen,  po mrizojnë pafundësisht nëpër gjykata

Gani Qarri

  • 18 April 2022 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Gjendja aktuale jo funksionale në sistemin e drejtësisë, në gjyqësor, e bën të domosdoshëm dhe plotësisht të patejkalueshëm, një sanksionim më të ashpër në të ardhmen, për vlerësimin e punës individuale të secilit gjykatës dhe prokurorë të cilët kanë në trajtim rastet e tilla dhe të njëjtit të vlerësohen, shpërblehen apo edhe ndëshkohen, vetëm sipas rezultateve në lëndët që i trajtojnë, të avancohen sipas rezultateve në punë dhe jo me lidhje preferenciale sipas preferencave të grupeve të interesit dhe rrjeteve kriminale, vetëm pse atyre, gjykatësit e tillë, ua bëjnë mbrojtjen dhe avokatinë nga zyrat e shtetit dhe me paratë e popullit të varfër të Kosovës.

-Dështimi i vazhdueshëm i luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga institucionet e drejtësisë kosovare, tregon se ka një hallkë shumë të fortë e të koordinuar ngushtë ndërmjet rrjetit të fuqishëm të krimit të organizuar dhe prokurorëve e gjyqtarëve të kapur e të korruptuar në vend. Dhe krejt kjo, po bënë që përkundër kritikave dhe presionit të fuqishëm publik e mediatik, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,edhe pas ndryshimeve politike, të mbetet në vijimësi njollë e zezë, si dhe një nga segmentet më të dështuar të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Për aq më tepër raporti i fundit i mbikëqyrjes së institucioneve të sundimit të ligjit nga Grupi për studime juridike dhe politike, luftimin e krimit e të korrupsionit, pastrimin e parasë së piste dhe rastet e fajdeve, i vlerëson si dështimet më të mëdha në gjykatat e Kosovës, lëndë këto që përkundër seriozitetit, vazhdimisht barten nga viti në vit dhe nuk gjykohen gati kurrë deri në fund.

Sipas GLPS- problematikë kryesore, mbetet numri i madh i lëndëve të trashëguara për veprat penale korruptive, krim të organizuar dhe shpëlarje të parave në nivel vendi, veçanërisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila edhe më tutje mban primatin me numrin më të madh të lëndëve të trashëguara. Në raportin gjithëpërfshirës për vitin e kaluar, janar-dhjetor 2021 , thuhet se sa u përket lëndëve të korrupsionit, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special dhe Departamenti i Krimeve të Rënda, në vitin 2021 kanë pasur në punë 214 lëndë ndërsa kanë zgjedhur vetëm 40 sosh të kësaj natyre, që do të thotë, se nuk kanë arritur të zgjedhin as 1/5 e lëndëve, kundër të cilëve, për shkak të mos efikasitetit, shteti duhet të ndërmarr urgjentisht masat adekuate ligjore. Me numër më të vogël lëndësh, por që po ashtu nuk kanë treguar as për së afërmi performancë pozitive në këtë drejtim, janë edhe gjykatat tjera në Kosovë.

Gjykata Themelore në Prizren, nga 43 lëndë, ka zgjidhur vetëm 23 prej tyre, Gjykata Themelore në Pejë, nga 33 ka zgjidhur 14 lëndë, Gjykata Themelore në Mitrovicë, nga 48 ka zgjidhur vetëm13 nga lëndët aktive, Gjykata Themelore në Ferizaj nga 24 ka arritur të zgjidh 10 lëndët që ka pasur në punë, Gjykata e Gjilanit nga 39,ka zgjidhur vetëm 16 lëndë aktive, kurse Gjykata në Gjakovë nga 22 ka arritur të zgjidh 13 lëndët që ka pasur në punë. Raporti nga kjo analizë konstaton se mes lëndëve aktive dhe atyre që janë zgjidhur, Gjykata Themelore në Gjakovë ka pasur shkallë më të lartë të efikasitetit, kurse Gjykata në Mitrovicë, është me performancën më të dobët dhe pothuajse tërësisht e dështuar.

Bazuar në të dhënat e monitorimit të GLPS, në vitin 2022, gjykatave të shkallës së parë i janë trashëguar edhe 294 lëndë të korrupsionit, duke mos përfshirë këtu lëndët e reja që po pranohen në vijimësi gjatë këtij viti. Prandaj vet konstatimi negative i (mos)funksionimit të gjykatave në luftë kundër korrupsionit, flet hapur për amnistinë e para programuar që gjyqtarët dhe prokurorët e kapur e të korruptuar, po ua bëjnë me vetëdije të plotë korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjendja aktuale jo funksionale në sistemin e drejtësisë, në gjyqësor, e bën të domosdoshëm dhe plotësisht të patejkalueshëm, një sanksionim më të ashpër në të ardhmen, për vlerësimin e punës individuale të secilit gjykatës dhe prokurorë të cilët kanë në trajtim rastet e tilla dhe të njëjtit të vlerësohen, shpërblehen apo edhe ndëshkohen, vetëm sipas rezultateve në lëndët që i trajtojnë, të avancohen sipas rezultateve në punë dhe jo me lidhje preferenciale sipas preferencave të grupeve të interesit dhe rrjeteve kriminale, vetëm pse atyre, gjykatësit e tillë, ua bëjnë mbrojtjen dhe avokatinë nga zyrat e shtetit dhe me paratë e popullit të varfër të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".