Zgjidhja e nyjës së Kryeprokurorit të ri të Shtetit vetëm pas miratimit të Ligjit te ri për KPK-në!

Zgjidhja e nyjës së Kryeprokurorit të ri të Shtetit vetëm pas miratimit të Ligjit te ri për KPK-në!

Gani Qarri

  • 29 May 2022 - 16:09

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Hezitimi për deklarim pro as kundër dekretimit nga ana e Presidentes, tërthorazi lë të kuptohet, se ajo është në pritje të miratimit të ligjit të ri për Këshillin Prokurorial, në mënyrë që kryeprokurori i ardhshëm të zgjidhet me ligjin e reformuar, i cili tanimë ka kaluar leximin e parë në Kuvend dhe kanë ngelur vetëm edhe pak ditë, që të bëhet edhe leximi i dytë për miratim dhe shpalljen nga Presidentja. Në këtë mënyrë, do të mënjanohej edhe dekretimi i kandidatit të katapultuar nga KPK-ja e kapur aktuale, me plot vërejte dhe kontestime vendore e ndërkombëtare, si dhe do të përgatitet terrenin që kryeprokurori i ri i shtetit, të zgjidhet me ligj të ri i cili, ka kaluar në lexim të parë, qysh më 14 prill të këtij viti.

Megjithëse po bëhen 2 muaj, prej kur Këshilli Prokurorial ka dorëzuar në Zyrën e Presidencës, emrin e Blerim Isufajt për t’u dekretuar si kryeprokuror i Kosovës, Presidentja Dr. Vjosa Osmani, duke marrë parasysh kundërshtimet e fuqishme brenda dhe jashtë vendit, pa miratimin e ligjit të ri, duket se e ka të pamundur, të marrë vendim për dekretimin e tij. Vet fakti se kryeprokurorin që u përzgjodh në mënyrën të paqartë nga KPK pas një procesi i cili vërtetë u kritikua ashpër për parregullsi të mëdha, nga shoqëria civile dhe ambasadorët e Quintit në Republikën e Kosovës, ka bërë që para se të vlerësohet në detaje, nga ekspertët e brendshëm dhe ata ndërkombëtar, mënyra imponuese e katapultimit kundërligjor të njërit nga anëtarët e kupolës së vjetër të prokurorisë, si Blerim Isufaj, duke eliminuar kandidatët dhe konkurrencën serioze, Presidentja e ka të vështirë, e ndoshta edhe të pamundshme ta thotë fjalën e vetë. Për aq më tepër, në vend të dekretimit, faktet që do të zbardhen, ndoshta do ta detyrojnë Presidenten si instanca më e lartë e vendit, që ta hedhë poshtë emrin e përzgjedhur dhe të kërkojë nga KPK, një emër të ri, e të panjollosur nga aferat e ish prokurorisë së kapur SHIK-iste dhe të shantazhuar nga ish qeveritë dhe partitë e inkriminuara tani opozitare.  

Kosovës në prag të reformave ligjore, të cilat pas vizitës së Komisionit të Venecias, janë në përfundim të konkretizimit final, i duhet një kryeprokuror i pastër i cili është në gjendje ta kalojë filtrin e VETTING-ut dhe nuk është i përzier në aferat dhe dallaveret e prokurorëve të katapultuar dhe të kapur e të shantazhuar nga ish qeveritë dhe udhëheqjet e partive të inkriminuara opozitare, të cilat për gati dy dekada e mbajtën të ngulfatur, shtetin dhe gjithë sistemin e drejtësisë.

Prandaj Kosovës i duhet një kryeprokuror i legjitimuar nga VETTING-u, në mënyrë që të mund të dekretohet sipas ligjit të ri dhe Kushtetutës edhe nga Presidentja e shtetit, që do të shënonte përfundimin e procesit dhe mundësonte ushtrimin fuqiplotë të mandatit të kryeprokurorit, në aspektin vendimmarrës, për gjithë mandatin e ardhshëm. Hezitimi për deklarim pro as kundër dekretimit nga ana e Presidentes, tërthorazi lë të kuptohet, se ajo është në pritje të miratimit të ligjit të ri për Këshillin Prokurorial, në mënyrë që kryeprokurori i ardhshëm të zgjidhet me ligjin e reformuar, i cili tanimë ka kaluar leximin e parë në Kuvend dhe kanë ngelur vetëm edhe pak ditë, që të bëhet edhe leximi i dytë për miratim dhe shpalljen nga Presidentja.

Në këtë mënyrë, do të mënjanohej edhe dekretimi i kandidatit të katapultuar nga KPK-ja, me plot vërejte dhe kontestime vendore e ndërkombëtare, si dhe do të përgatitet terrenin që kryeprokurori i ri i shtetit, të zgjidhet me ligj të ri i cili, ka kaluar në lexim të parë, qysh më 14 prill të këtij viti.  Për aq më tepër, vendimi i Presidentes ka edhe një arsye tjetër, shtesë që të mos nxitohet, për vet faktin, se për shkak të parregullsive të mëdha në proces, njëri nga kandidatët i cili ishte në garë për kryeprokuror, tanimë ka dorëzuar ankesën e tij, edhe në Gjykatën Kushtetuese. Me ligjin e vjetër, KPK kishte në përbërje mese 13 anëtarë, kurse me ligjin e ri, i cili pritet të miratohet së shpejti, KPK do të ketë vetëm 7 anëtarë.  Dhe në përbërjen e deritanishme të KPK-së,10 prej anëtarëve, ishin prokurorë, përfshirë këtu edhe ish Kryeprokurorin e Shtetit, nga Oda e Avokatëve 1 anëtar avokat, Nga Universiteti 1 anëtar profesor i drejtësisë, si dhe 1 anëtar përfaqësues nga shoqëria civile. Anëtarët të cilët nuk janë prokurorë (që deri më tani ishin 3-prej tyre), si përfaqësuesi nga oda e avokatëve, profesori universitar dhe përfaqësuesi nga shoqëria civile, i zgjedhë Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse me projektligjin e ri, parashihet ndryshimi i përbërjes së Këshillit dhe nga 13 sa ishin në Këshillin e vjetër, synohet që Këshilli i ri, të përbëhet nga 7 anëtarë, me 4 prokurorë, 2 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, si dhe 1 anëtar të deleguar nga Avokati i Popullit.

Ky vendim u inkorporua pas opinionit të Komisionit të Venecias, gjë që e bënë jo vetëm të logjikshme, por edhe të domosdoshme që edhe Presidentja Dr. Vjosa Osmani, ta pres miratimin e ligjit të ri, të rishpallet konkursi për kryeprokuror te shtetit dhe ta bëjë dekretimin e kryeprokurorit që do të zgjidhet me ligjin e ri në fuqi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".