Gjyqësorin e korruptuar do ta godet tërmet i fuqishëm me ligjin Vetting, për ta pastruar nga lidhja e thellë me krimin e organizuar

Gjyqësorin e korruptuar do ta godet tërmet i fuqishëm me ligjin Vetting, për ta pastruar nga lidhja e thellë me krimin e organizuar

Gani Qarri

  • 26 June 2022 - 09:03

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Vetëm miratimi i Vetting-ut, mund ti ndalojë njëherë e mirë, rastet që po vazhdojnë të nënçmohen, dhe të mos trajtohen në mënyrë të ashpër meritore, aktet e korrupsionit nga gjyqësori i korruptuar e nënshtruar nga krimi i organizuar. Nga procesi Vetting, do të goditen në rend të parë dhe me prioritet, gjyqtar dhe prokuror të lidhur me krimin që bashkëjetuan me rrjetet e krimit të organizuar, duke mos i ndëshkuar sipas ligjit por me dënime të buta e simbolike, vetëm për të mos thënë se i kanë amnistuar.

Në një analizë të fundit të kësaj fushe të publikuar nga rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese, konstatohet se gjetjet e analizës së 40 aktgjykimeve të rasteve të korrupsionit të shpallura nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2021 evidentojnë se sistemi i drejtësisë, gjykatat në veçanti, por edhe prokuroria, nuk po arrijnë t’i përmbushin pritjet ligjore prej tyre. Për aq më tepër dhe në veçanti, politika ndëshkimore jo-uniforme e jo proporcionale në rastet e korrupsionit shqetëson dhe ndjell pasiguri dhe pakënaqshmëri te qytetarët si dhe ndjell kritikat më të ashpra të organizatave të shoqërisë civile dhe raporteve ndërkombëtare.  Madje edhe Orvatjet e Gjykatës Supreme të Kosovës për t’i dhënë zgjidhje problemit të mungesës së dënimeve adekuate në sistemin e drejtësisë, me theks të veçantë në rastet e korrupsionit, deri më tani nuk po rezultojnë të jenë  të suksesshme.  Megjithëse udhëzuesi i përgjithshëm i Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore, Udhëzuesi për shqiptimin e gjobave dhe Udhëzuesi i veçantë për rastet e korrupsionit orientojnë drejt dhe saktë gjyqtarët dhe prokurorët lidhur për shqiptimin e dënimeve adekuate dhe proporcionale për rastet e korrupsionit. Por përkundër të gjithave, nga analiza e 40 aktgjykimeve të korrupsionit të nxjerra në vitin 2021 rezulton se këto dokumente që u dedikohen gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk po merren parasysh aq sa kërkohet, ndaj kjo dhe po reflekton në cilësinë e gjithëmbarshme të aktgjykimeve të korrupsionit, në efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të drejtësisë çka e kushtëzon edhe perceptimin e opinionit publik për kritika drejtuar sistemit të drejtësisë. Mungesa e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit kur bëhet fjalë për dënimet meritore, konfiskimet e pasurisë, kompensimet e dëmit shkaktuar parasë publike, tjetërsimet e rasteve të profilit të lartë – madje atyre të shënjestruara për liberalizim të vizave - jep përshtypjen se dukuria e korrupsionit është bërë imune përball çdo përpjekjeje të sistemit të drejtësisë në vend. Në veçanti, si shumë shqetësues shihet përdorimi i tepruar dhe pothuajse tërësisht i paarsyetuar i rrethanave lehtësuese në rastet e korrupsionit dhe injorimi i rrethanave evidente rënduese në këto raste. Në hiq më pak se 38 raste, nga 40 aktgjykimet e analizuara nuk ka pasur fare peshim/ matje as ballafaqim të rrethanave lehtësuese me ato rënduese, çka ka rezultuar me dënime shumë të buta që përbëjnë minimumin e dënimeve të parapara me Kodin Penal të Kosovës. Janë paraparë 49 rrethana rënduese dhe 163 rrethana lehtësuese, por përveç dallimit evident mes rrethanave lehtësuese dhe atyre rënduese, edhe më shqetësuese, po bëhet mungesa e gjithëmbarshme e arsyetimit cilësor siç kërkojnë udhëzuesit e pjesës së dënimeve në aktgjykimet e analizuara. Kështu që në 27 nga 40 aktgjykimet e analizuara numri i rrethanave lehtësuese ishte më i lartë se ai i rrethanave rënduese . Në 9 nga 40 aktgjykimet e analizuara numri i rrethanave lehtësuese ishte i barabartë me rrethanat rënduese.  Kurse vetëm në 4 nga 40 aktgjykimet e analizuara numri i rrethanave rënduese ishte më i lartë se ai i rrethanave lehtësuese. Në 18 nga 40 aktgjykimet e analizuara nuk është evidentuar asnjë rrethanë rënduese. Në 5 nga rastet e analizuara nuk është evidentuar asnjë rrethanë lehtësuese.  Vetëm 5 nga 40 aktgjykimet e analizuara janë arsyetuar në përputhje të plotë me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale dhe në veçanti me Udhëzuesit e nxjerrë nga Gjykata Supreme e Kosovës në drejtim të evidentimit dhe arsyetimit të rrethanave lehtësuese dhe rënduese, llojit të dënimit, lartësisë së dënimit, shqiptimit të dënimeve me kusht dhe lejimit të konvertimit të dënimeve me burg efektiv në dënim me gjobë dhe mungesës së shqiptimit 4 të dënimeve plotësuese. Në vetëm 12 nga 40 rastet e analizuara aktgjykimi i shqiptuar ishte në përputhje me Udhëzuesit lidhur me lartësinë e dënimit. Në vetëm 10 nga 40 aktgjykimet e analizuara është shqiptuar dënim me burg efektiv ndërsa dënimi më i lartë i shqiptuar ishte me 3 vjet burg (1 rast i vetëm). Po ashtu, në 35 nga 40 aktgjykimet e analizuara, dënimi i shqiptuar përkon me kufirin minimal ose në disa raste është nën kufirin minimal të dënimit të paraparë për atë vepër penale. Në vetëm në 2 nga 40 rastet e analizuara, dënimi i shqiptuar është më i lartë se pikënisja e dënimit e paraparë me Udhëzuesin e Përgjithshëm të Politikës Ndëshkimore. Po ashtu tejet shqetësues evidentohet edhe përdorimi i paarsyetuar i dënimeve alternative në rastet e korrupsionit. Në 14 nga 40 aktgjykimet e analizuara është shqiptuar dënim me burg i kushtëzuar dhe asnjë nga këto raste nuk është arsyetuar në përputhje të plotë me Udhëzuesit se përse është shqiptuar dënimi alternativ.  Krahas dënimeve me kusht, në 12 nga 40 rastet e analizuara është lejuar kthimi i dënimit me burg efektiv në dënim me gjobë dhe në vetëm 1 nga 12 raste aktgjykimi ishte i arsyetuar në përputhje të plotë me Udhëzuesit. Në anën tjetër vetëm në 10 nga 40 aktgjykimet e analizuara është shqiptuar dënim plotësues ndaj të dënuarve për korrupsion teksa në një nga rastet e analizuara është refuzuar propozimi për dënim plotësues me arsyetimin se dënimi plotësues nuk mund të shqiptohet në rastet e dënimit me kusht – qartazi në kundërshtim me përcaktimet e Udhëzuesve.  Dhe për fund edhe analiza e të dhënave statistikore në 5 rastet e fundit, për fat të keq, nuk evidenton progres në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".