Drejtësia kosovare duhet pastruar urgjentisht nga zyrtarët e jo profesionistë të dështuar, të lidhur me krimin e organizuar

Drejtësia kosovare duhet pastruar urgjentisht nga zyrtarët e jo profesionistë  të dështuar, të lidhur me krimin e organizuar

Gani Qarri

  • 28 July 2022 - 14:09

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Mjerisht edhe 23 vite pas lufte, në sistemin e drejtësisë së deformuar të Kosovës, gjykatat e kapura vazhdojnë ti minimizojnë, amnistojnë dhe neglizhojnë deri në parashkrim rastet e veprave penale, të krimit e të korrupsionit, gjithmonë në rastet kur kemi të bëjmë me abuzimet e politikanëve, kurse nga ana tjetër Prokurori i Shtetit, pa fije turpi njerëzor e sensi profesional, vazhdon të ngrit aktakuza edhe ndaj të vdekurve, për të siguruar dosje të mjaftueshme për angazhimin e gjyqësorit dhe për mbulesat numerike në të dhënat e raporteve statistikore!

-Në një hulumtim të realizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan–Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit, është prezantuar raporti “Sfidat në trajtimin e krimeve të përgjithshme”, i cili derivon nga monitorimi sistematik që u është bërë Divizioneve Penale të gjykatave, ku ka konstatuar një dështim total të funksionimit të pa varur dhe profesional të tyre, në fushën e Prokurorisë dhe të Gjyqësorit.

Hulumtimi ka nxjerr në pah se Divizionet Penale të gjykatave edhe gjatë vitit 2021 janë ballafaquar me një numër të madh të lëndëve të pazgjidhura dhe në fund të këtij viti të pakryera kanë mbetur edhe 31,314 lëndë penale të përgjithshme, fenomen i cili është ndër arsyet kryesore se pse lëndët në Divizionet Penale të Gjykatave të Kosovës zvarriten dhe nuk trajtohen brenda afateve ligjore dhe nuk ka ndarje proporcionale të lëndëve në nivel të gjykatave . Madje gjetjet e IKD tregojnë se gjykatësit e Gjykatës Themelore në Prishtinë janë gati pesëfish më shumë të ngarkuar me lëndë të tilla në krahasim me gjykatësit e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, arsye për të cilën edhe i është rekomanduar Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) që ta bëjë riorganizimin e punës dhe të ndërmarrë masa për shpërndarjen proporcionale të gjykatësve, duke aplikuar edhe transferimin e tyre, në mënyrë që të sigurohet procedimi efikas i lëndëve dhe që gjykatësit të kenë një numër të menaxhueshëm të lëndëve në punë.

E stërngarkuar dhe pa një plan të ndarjes proporcionale të rasteve është konstatuar gjendja edhe në sistemin prokurorial, ku prokuroria më e ngarkuar me lëndë në Departamentin Penal gjatë vitit 2021 ka qenë Prokuroria Themelore në Prishtinë me 9,780 lëndë në punë, derisa më së paku lëndë të tilla ka pasur Prokuroria Themelore në Ferizaj me 2,120 lëndë. Sipas raportit të IKD-së Prokuroria e Prishtinës prin edhe sa i përket ngarkesës mesatare me lëndë për një prokuror, ku një prokuror i kësaj prokurorie ka pasur gjithsej 407,5 lëndë në Departamentin Penal, derisa më pak të ngarkuar gjatë vitit 2021 ishin prokurorët e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, me një mesatare prej 212 lëndëve në punë për një prokuror.

E kur këtyre ngarkesave ju shtohet edhe mos respektimi i afateve ligjore dhe zvarritja e qëllimshme sipas ndikimeve të grupeve të interesit, lëndët e pa zgjidhura vijnë duke u shtuar, sidomos aty ku përfshihen figurat e politikës, ku sipas monitorimi të punës së divizioneve penale, është vënë në pah një trajtim jo efikas i aktakuzave të ushtruara ndaj politikanëve. Kjo manifestohet me faktin se gjykatat gjatë procedimit me lëndë të tilla nuk kanë respektuar afatet ligjore, duke i lënë këto lëndë të pagjykuara për vite me radhë, zvarritje që sipas monitorimit të IKD-së ka qenë karakteristikë e rasteve të politikanëve të cilat trajtohen në këto departamente, gjë që krijon një përcepcion negativ tek publiku për mungesë të guximit të gjyqësorit në trajtimin e rasteve të politikanëve, veçanërisht nëse rastet e të njëjtëve parashkruhen. Sipas hulumtimit zvarritjet në këto raste janë shumë më të mëdha se sa zvarritjet e rasteve të tjera të kësaj natyre”, thuhet në njoftim lidhur me hulumtimin e realizuar, skandal që sipas këtij hulumtimi çuditërisht Prokurori i Shtetit ka vazhduar të ngrit aktakuza edhe ndaj të vdekurve, aktakuza të cilat përveç paqëndrueshmërisë në aspektin juridik, e kanë ngarkuar pa nevojë edhe gjyqësorin me lëndë të paqena.

Ushtrimi i aktakuzave të tilla, sipas këtij raporti, dëshmon për një mungesë totale profesionalizmi të prokurorëve që veprojnë në kuadër të sistemit prokurorial, akt që po ashtu, përbën edhe shkelje të rëndë të detyrave dhe kompetencave të prokurorit të shtetit, të cilët duhet të zbatojnë standardet më të larta të kujdesit gjatë kryerjes së funksioneve zyrtare. Mungesë profesionalizmi sipas hulumtimit të IKD-së, Prokurori i Shtetit kishte dëshmuar edhe me rastin e ngritjes së aktakuzave ndaj personave të gabuar, madje edhe për çështjet e gjykuara më parë. Për aq më tepër edhe sa u përket të dhënave të siguruara nga analizimi i 100 aktgjykimeve penale ku është shqiptuar dënimi i kushtëzuar, sipas hulumtimit del se flasin për aplikim “shabllon” të dënimit me kusht, i cili nuk kombinohet ashtu siç e parasheh ligji, me urdhra tjerë të veçantë. Të gjitha këto, flasin më tepër se mjaftueshëm për gjetjet skandaloze dhe urgjencën e veprimit në fushën e pastrimit dhe reformimit të plotë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, ku jo vetëm ka gjyqtar e prokuror të korruptuar, por edhe totalisht të pa aftë e të lidhur me nëntokën kriminale dhe grupet e interesit të kontrolluar e të shantazhuar nga krimo-politika në vend.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".