Kundër zbrazjes së shtetit përmes migrimit, Qeveria të krijon një fond të veçantë të zhvillimit dhe punësimit  

Kundër zbrazjes së shtetit përmes migrimit, Qeveria të krijon një fond të veçantë të zhvillimit dhe punësimit  
Kundër zbrazjes së shtetit përmes migrimit, Qeveria të krijon një fond të veçantë të zhvillimit dhe punësimit  

Dardan Grapci

  • 25 November 2022 - 16:30

Shkruan:ANALISTI-Dardan Grapci

 

Raportet periodike statistikore, të cilat zbulojnë shifrat e  migrimit të qytetarëve kosovar jashtë vendit, janë shumë shqetësuese, shifra të cilat duhet të alarmojnë seriozisht Qeverinë e Kosovës, që në projeksionet e ardhme të vitit në vijim me urgjencë të investojnë në projekte serioze për zhvillim dhe punësim, për të stimuluar  fuqinë e re punëtore që të mos largohen nga vendi, të krijohen kushtet e qëndrueshme në vend dhe të kthehet besimi  e të hapen perspektiva të qëndrueshme punësimi.

 

Sikur që po raportohet vazhdimisht në media, madje me të dhëna zyrtare nga institucionet përkatëse të shtetit, largimi nga vendlindja dhe heqja dorë nga shtetësia e qytetarëve të Republikës së Kosovës , është bërë  një fenomen që po e rrezikon seriozisht substancën e shtetit dhe po merr përmasa mbi bazën e të cilave ekziston frika se çfarëdo angazhimi që do të bëhet për ta parandaluar dhe zvogëluar, do të jetë e pa mundur të ndalet. Vetëm për 10 muaj të vitit 2022, zyrtarisht është raportuar se kanë qenë tre mijë e 399 kosovarë që kanë hequr dorë për shtetësi nga shtetësia e Republikës së Kosovës, për të marr shtetësi të shteteve të tjera. Kjo është  një shifër e konfirmuar zyrtarisht  nga Ministria e Punëve të Brendshme e cila thotë se  gjatë periudhës 01.01.2022 – 30.09.2022, nga Shtetësia e Republikës së Kosovës, janë liruar 3,399 persona. Pra heqja zyrtare dorë nga shtetësia  do të thotë heqje përfundimtare dorë nga  të menduarit dhe shpresuarit për rikthim në të ardhmen në shtetin e lindjes, për krijim të familjes, për zhvillim dhe eventualisht për investim. Kjo qeveri e tanishme  e ka këtë problem me dekada të trashëguar, prandaj është koha e fundit për të menduar seriozisht që pasojat prej dy dekadash, sado pak të fillojnë të zbuten, që dëshira për migrim të zvogëlohet duke joshur zhvillimin dhe punësimin e të rinjve në vendin e tyre, për të mos shikuar vetëm jashtë kufijve të shtetit, duke shpresuar se atje është parajsa dhe duhet larguar. Ndryshe  nga të dhënat paraprake raportohet se gjatë vitit 2021, janë regjistruar  katër mijë e 600 kosovarë që kanë hequr dorë nga shtetësia. Pra gjendja është më shumë se alarmante ndaj së cilës nuk duhet të sillemi me heshtje, duhet të veprohet dhe sado pak të ndikohet që të kthehet në kufijtë e normales, lëvizja jashtë shtetit për shkollim dhe punësim të jetë e balancuar dhe e kontrolluar. Ndryshe, nëse edhe kjo Qeveri e anashkalon këtë problem serioz, atëherë duhet të pajtohemi që fenomeni I migracionit dhe largimit të plotë nga vendlindja , po na paraqitet si një element që mundë ta rrezikon seriozisht përbërjen demografike të republikës së Kosovës në të ardhmen, nëse  institucionet e shtetit nuk ndërmarrin masa dhe veprime urgjente për zhvillim dhe ngritje të perspektivës për punësim dhe qëndrim të të rinjve në shtetin e tyre. Projeksioni i buxhetit për vitin në vijim duhet ta ketë një  ndarje të veçantë për stimulim të punësimit në vend, përmes avancimit të ndërmarrësish  dhe hapjes së vendeve të reja të punës  me mbështetje të sektorit privat, sepse këtu është potenciali kryesor i mundësive të zhvillimit dhe mundësisë reale të punësimit, për ta parandaluar dhe zvogëluar në masë të madhe fenomenin e migrimit.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".