Dekriminalizimi i sistemit zgjedhor me reformë të thellë, detyrim parësor i të zgjedhurve nga populli me besim në premtimin për ta luftuar dhe çrrënjosur krimin

Dekriminalizimi i sistemit zgjedhor me reformë të thellë, detyrim parësor i të zgjedhurve nga populli me besim në premtimin për ta luftuar dhe çrrënjosur krimin

Hajrullah Tërnava

  • 13 June 2023 - 12:56

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

 Parlamenti si institucioni ligjor dhe kushtetues i deputetëve  të zgjedhur nga populli është institucioni më i lartë me kompetenca që kushtetuta ia garanton, prandaj përfaqësuesit e popullit gjithnjë duhet të jenë të gatshëm që ligjet në fuçi ti jetësojnë dhe në shumë raste kur ka divergjenca ligjore, duhet të bëhen reforma të kohës.  Deputetet duhet të veprojnë ashtu që ato ligje të jenë në hap me kohën, dhe shoqëria civile duhet që ta ushtron ndikimin e saj më të madh në imponimin e zhvillimit të një reforme të mirëfilltë në secilën fushë ligjore, e veçmas  tash në atë  të sistemin zgjedhor të Kosovës, pas  kalimit në Kuvend dhe miratimin në lexim të parë të Ligjit për zgjedhjet të përgjithshme në Kosovë.

 -Tani është rasti që të tejkalohen veprimet e kaluara të shabllonizimit dhe improvizimit më ndryshime të parëndësishme minimale, për ta zhvilluar në debat të gjerë publik me shoqërinë civile dhe grupet e interesit një reformë të thellë substanciale. Gjashtë organizata të shoqërisë civile Demokraci për Zhvillim (D4D), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Organizata ÇOHU, u janë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një letër publike lidhur me reformën zgjedhore, duke thënë se Projektligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk është i përkryer dhe cenon integritetin zgjedhor. Sipas tyre, Projektligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme, i cili u miratua në parim të enjten në Kuvendin e Kosovës, përveç teknikaliteteve, përmban edhe ndryshime, të cilat ata besojnë se e cenojnë integritetin zgjedhor dhe nuk adresojnë çështje të cilat do ta përmirësonin nivelin e përfaqësimit demokratik në Kosovë.

Në këtë letër të OJQ-ve thuhet se si organizata të shoqërisë civile, kanë mirëpritur një iniciativë të tillë, duke besuar që konsensusi për adresimin e problemeve teknike të administrimit të procesit zgjedhor do të pasohej edhe nga diskutime përmbajtjesore për vet sistemin zgjedhor, duke pasur në konsideratë kufizimet për shkak të pamundësive për ndjekjen e rrugës së ndryshimeve kushtetuese. Edhe në kuadër të grupeve punuese, kanë ofruar qëndrimet mbi çështjet më esenciale të projektligjit, por të cilat nuk janë marrë sa duhet parasysh. Tutje thuhet se Kosova ka nevojë për reformë zgjedhore, jo vetëm për shkak të kërkesave ndërkombëtare në kuadër të proceseve integruese, por si nevojë burimore për përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe avancimin e nivelit të demokracisë. OJQ-të kanë kundërshtuar edhe mundësinë e trajtimit të këtij projektligji në procedura të përshpejtuara, përfshirë atë në të dy leximet brenda ditës së sotme. Në këtë letër, janë listuar edhe disa nga ndryshimet që sipas tyre janë më problematike e të cilat thuhet se kanë të bëjnë me integritetin e kandidatëve, pavarësinë e KQZ-së dhe votat e kandidatëve.

Po ashtu, thuhet se përshtatshmëria juridike e kandidatëve është ndër ndryshimet më të dëmshme në kuadër të projektligjit, që sipas tyre e cenon seriozisht integritetin zgjedhor. “Me ndryshimet e propozuara, të drejtë kandidimi nuk do të kenë vetëm ata që janë të dënuar me burgim efektiv prej një ose më shumë vitesh, duke e barasvlerësuar kriterin për kandidim me atë për humbje të mandatit. Kjo dispozitë ulë standardin për aplikim të kandidatëve si dhe ngushton gamën e kufizimeve mbi pamundësinë e kandidimit, duke i dhënë mundësinë kandidatëve që kanë qenë të dënuar me dënime me kusht, gjobë apo por me më pak se një vit burgim efektiv, për të qenë pjesë e garës zgjedhore”, thuhet në letër. Për më keq, thuhet se, ky ndryshim nuk merr në konsideratë faktin që sistemi gjyqësor i Kosovës shquhet për politikë të ulët ndëshkimore, meqë siç theksohet, vetëm në dy vjetët e fundit, mbi 80% e të personave të përfshirë në vepra penale të korrupsionit, janë dënuar vetëm me kusht, me gjobë ose me më pak se një vit burgim efektiv. “Të gjithë këta individë mund të jenë potencialisht kandidatë apo deputetë në të ardhmen, duke e cenuar seriozisht integritetin por edhe imazhin e vet Kuvendit”, thuhet në letër.

Sipas tyre, Projektligji i ri rrezikon edhe pavarësinë e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), meqenëse thuhet se është paraparë mundësia e shkarkimit të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së me propozim të 2/3 të anëtarëve të KQZ-së për rastet e dëmtimit të statusit apo integritetit të institucionit. “Këto ndryshime nuk janë në linjë me rekomandimet e misioneve të BE-së, por as me standardet ndërkombëtare, për shkak se në vend të përcaktimit se cilat janë rrethanat apo veprimet që përbëjnë cenim të statusit apo integritetit, është mundësuar politizimi i përfundimit të mandateve të anëtarëve, por sidomos Kryesuesit të KQZ-së, që do ta zbehë besimin e publikut në këtë institucion”, thuhet në letër. Problematike për këto organizata shihet edhe rritja e votës preferenciale në 10 kandidatë, siç ka qenë në zgjedhjet e vitit 2007. Shoqëria civile thekson se sipas statistikave zyrtare por edhe matjeve tjera, votuesit kanë pasur mesatarisht rreth 3 kandidatë të preferuar në votën preferenciale prej 5 kandidatësh, ndërsa në vetë zgjedhjet e vitit 2007 kanë votuar vetëm rreth 5 kandidatë nga 10 vota preferenciale sa kishin në dispozicion.

“Ky ndryshim është më shumë zhvendosje e përplasjeve dhe garës brenda-partiake tek votuesit sesa që në realitet kontribuon në përfaqësim më të drejtë apo kualitativ në Kuvend. Ky ndryshim mund të jetë kundër-produktiv në raport me evitimin e grupimeve prej pesë kandidatëve që propozohen nga degë të caktuara. Dyfishimi i votës preferenciale do të dyfishojë edhe kohën e numërimit, si dhe do të rrisë potencialin e manipulimit të vullnetit qytetar nga ana e komisionarëve, sidomos në rastet kur votuesit do të shënojnë më pak se 10 kandidatë”, thuhet tutje në letër. Sipas tyre, me Projektligjin e ri numërimi i votave të kandidatëve në Qendra Komunale të Numërimit do të jetë risi e procesit zgjedhor në Kosovë. “Si rezultat i parregullsive dhe problemeve me numërimin e votave të kandidatëve të subjekteve politike është paraparë centralizimi i procesit të numërimit të votave të tyre nëpër secilën komunë.

Ndonëse duhet të testohet në praktikë, kjo formë e numërimit mund të shoqërohet nga probleme lidhur me besimin e publikut në rezultate – duke u nisur nga vet fakti që kutitë e votimit do të hapen dy herë për numërim. Po ashtu, fakti që mund të ketë gabime gjatë numërimit të votave të subjekteve politike, mund ta paralizojë punën e ekipeve të numërimit”, thuhet në vazhdim. OJQ-të theksojnë se pragu për kandidatët e pavarur dhe modeli “zebër” i përfaqësimit gjinor, janë çështje shumë të rëndësishme, por që thuhet se nuk janë trajtuar fare në kuadër të projektligjit. “Derisa kandidatët e pavarur duhet të fitojnë 5% të votave për të fituar një mandat, me përqindje të njëjtë, partitë politike dhe koalicionet fitojnë 6 ulëse në Kuvend, duke ngritur kështu dilemë kushtetuese për diskriminim.

Sipas standardeve të shumë vendeve, duhet të ketë reduktim të pragut për kandidatë në 1% apo prag natyral, duke garantuar mos diskriminim. Në anën tjetër, edhe pse viteve të fundit është shënuar një rritje e konsiderueshme e nivelit të përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës edhe pa ndihmën e kuotës gjinore, situata mbetet ende larg ideales. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, por edhe sfidimit gjyqësor të kuotës gjinore prej 30% nga Avokati i Popullit, nuk do ketë pjesëmarrje të barabartë gjinore në listat zgjedhore të kandidatëve sipas modelit ‘zebër’ – ku çdo i dyti kandidat në lista do të duhej të ishte i gjinisë tjetër, në pajtim edhe me Ligjin për barazinë gjinore”.

Pas votimit në lexim të parë procedura kalon në debate intensive me ekspert dhe shoqërinë civile dhe kjo fazë do të duhej shfrytëzuar për një reformë të thellë për të pasur zgjedhje të lira, të pa manipulueshme dhe demokratike, por për të mos lejuar improvizim të ndryshimeve nga të cilat mashtrohen qytetarët dhe përfitojnë grupet kriminale dhe manipulantët brenda subjekteve politike. Sa më pare të ndërmerren ato reforma në parlamentin e Kosovës, aq më mirë do të jetë  për shtetin tonë, sepse tani nuk do të ketë keqpërdorime për të cilat ato ligje të tanishme i kontribuojnë situatave kriminogjene që del se vetë ligjet janë të tilla që edhe kanë mundësuar që ta  kemi tani gjendjen e tillë me të cilën po ballafaqohemi. 

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".