Kosova Sot, ushtare besnike në luftë dhe liri, dy dekada e gjysmë në misionin e shenjtë të informimit të drejtë për shtet dhe demokraci

Kosova Sot, ushtare besnike në luftë dhe  liri,  dy dekada e gjysmë në misionin e shenjtë të informimit të drejtë për shtet dhe demokraci
Kosova Sot, ushtare besnike në luftë dhe  liri,  dy dekada e gjysmë në misionin e shenjtë të informimit të drejtë për shtet dhe demokraci

Gani Qarri

  • 09 September 2023 - 09:02

Shkruan: Gani Qarri

-Në kohët më të vështira që po kalonte populli i Kosovës në fund të viteve 90-ta, pas suspendimit me dhunë të autonomisë së Kosovës dhe fillimit të rezistencës së popullit shqiptar, në kushte të izolimit dhe okupimit klasik të Serbisë fashiste, duke sulmuar edhe mjetet e informimit të kohës, 26 vite më parë, pra në vitin 1997 filluan përgatitjet e para për botimin e kombëtares dhe gazetës më të re "Kosova Sot", me qëllim të informimit të shpejt, të drejtë e të saktë të popullit të Kosovës dhe ballafaqimit me sfidat e kohës që kishin lindur me rastin e okupimit klasik të Kosovës nga Serbia hegjemoniste.

Numri i parë i gazetës "Kosova Sot" doli në dritë dhe botua para 25 vjetësh, pikërisht më 12 shtator të vitit 1998, kohë dhe vite kur duhej angazhuar pa kompromis e me plotë sakrifica për një informim sa më real në fushën e tregut të medies së asaj kohe, me një gazetë me përmbajtje më ndryshe nga të tjerat.

Periudhë kur duhej pasur guxim e vullnet të fort dhe treguar publikisht vendosmëri për tu pozicionuar tërësisht në mbrojtje të interesit kombëtar, kur kombëtarja "Kosova Sot" qysh në tre muajt e parë të daljes si gazetës arriti të defilojë si gazeta numër një me besim të madh në opinion për informim të paanshëm, përkundër sfidave dhe vështirësive nga regjimi okupues serb, mbi Kosovën e asaj kohe.

E meqenëse kombëtarja "Kosova Sot" doli në treg si alternativë e informimit të drejtë në kushte lufte dhe të gjendjes së okupimi të egër nga regjimi i Millosheviqit, gazetarët dhe reporterë e kësaj kombëtareje, ishin çdo ditë në misionin e tyre fisnik, të informimit të drejtë dhe në mbështetje të plot të luftës së UÇK-së, duke bërë që me angazhimin e saj permanent edhe vetë gazeta të solidarizohej me kryengritjen dhe shndërrohej në logjistikë të fuqishme të luftës së drejtë për liri.

Madje duke pasur parasysh rolin e madh që luante në atë kohë informimi i drejtë dhe në kohën e duhur, secili gazetar dhe punëtor i gazetës, sikur ishte kthyer në ushtar të UÇK-së me detyrën logjistike që kryente në mbështetje të luftës, përmes raportimit nga tereni dhe pasqyrimit besnik të ngjarjeve nga frontet e luftës, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, për të depërtuar në zonat më të thella të luftës dhe paraqitur ngjarjet besnike,nga atje me dëshmi e fakte autentike nga betejat e lavdishme të UÇK-s.

Njëkohësisht, përveç ngjarjeve të lavdishme, kombëtarja "Kosova Sot" pasqyronte edhe gjenocidin serb dhe krimet monstruoze të regjimit okupator të Millosheviqit mbi popullatën e pa armatosur dhe shqiptarët e pambrojtur, duke u hakmarrë ndaj tyre, në pamundësi të ballafaqimit me grupet e organizuara të luftëtarëve të UCK-së në frontet e luftës.

Që nga dalja e numrit të parë të gazetë, për plotë 6 muaj të botimit në kushte të luftës, Kosova Sot u bë halë në sy të pushtetit okupator të Millosheviqit, duke u përcjell hap pas hapi e bërë gjithçka për ta pamundësuar informimin dhe ndaluar edhe botimin e saj, për ta mbuluar mbarë vendin me terr informative i cili kishte filluar me mbylljen e mjeteve publike të informimit nga okupatorët barbar serb.

Pra brenda vetëm dy muajve të parë të daljes në treg, “Kosova Sot" arriti të bëhej lidere e idol i qytetarëve, si dhe të vetë ushtarëve të UCK-s për informimin e guximshëm e të drejtë kudo dhe nga i gjithë vendi.

Gazeta e cila ishte rreshtuar tërësisht në mbrojtje të luftës së drejtë dhe nuk hezitoi që ta dokumenton atë hapur edhe me rastin e nxjerrjes së kalendarit të vitit 1999, pra më 31-12 1998, dhe 1 e 2 janar të vitit 1999, me shkrimet në gazetë dhe kalendarin historik, që personifikonte publikisht ushtarin e UCK-s duke përkujtuar mësuesin dhe ushtarin e lirisë Halit Gecin, të vrarë nga ushtria serbe.

Kjo ngjalli reagimin e ashpër të regjimit okupator me ç`rast, ministri i atëhershëm i informacionit në qeverinë e Millosheviqit dhe presidenti aktual, krimineli, Aleksandër Vuqiq, kishte dalur hapur në RTS me ekzemplarin e gazetës dhe kalendarin e publikuar duke propaganduar se nuk do të durohen këto veprime dhe kërcënuar me likuidime.

Kërcënim i cili vërtetë edhe u bërë realitet shumë shpejtë, kur dora e zgjatur e regjimit vendosi për t`ju hakmarrë gazetës Kosova Sot, duke e shënjestruar ndër të parën e medieve të kohës, të cilën me 11 mars 1999 regjimi okupator serb përmes vendimit të Gjykatës së atëhershme Komunale të Prishtinës të instaluar dhunshëm sipas urdhrave të regjimit okupator, me urdhër të ish-ministrit të informacionit Aleksandër Vuçiq, presidenti i sotëm i Serbisë, si dhe me udhëzimin dhe mbështetjen e veglave të tij në Kosovës, si Boshko Drobnjak, Sekretar Krahinor i informacionit dhe spiunit besnik të UDB-s Baton Haxhiu, që fare pa ftesë dhe pa mbajtur asnjë seancë të vetme gjyqësore e dënoi gazetën Kosova Sot me dënim prej 800.000.00 dinarësh të rinj, që i bije mbi 500 mijë DM.

Krejt kjo për shkak të politikes editoriale të gazetës e cila pa kursim mbronte dhe frymëzonte luftën çlirimtare të UçK-së, si dhe denonconte okupatorin, për zullumin, krimet dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve të pambrojtur.

Dënimi u shqiptua, si për botuesin, ashtu edhe për drejtorin, për kryeredaktorin dhe krejt gazetën, e cila përkundër kërcënimeve e shantazheve të regjimit, e përkrahte dhe mbështeste luftën çlirimtare duke denoncuar publikisht dhe pa asnjë ndrojtje krimet dhe gjenocidin e okupatorëve serb, mbi popullatën e pa mbrojtur shqiptare.

Mbulimi i aktiviteteve të luftëtarëve të UCK-së, mbulimi, i ofensivave të okupatorit e ngjarjeve nga vendi, si dhe politika editoriale kundër regjimit okupues të Milosheviqit bënë që gazeta Kosova Sot të bëhej halë në sytë e okupatorit dhe armiku NR. 1 i atij okupatori vrastar, piroman e flakëvënës, andaj dhe vendosën kombëtaren "Kosova Sot" në listën për asgjësim para datës 24 mars të vitit 1999.

Kurse urdhri për ekzekutimin e dënimit me gjobë është dhënë më 16 mars të vitit 1999, pra në mënyrë urgjente, duke urdhëruar inspektorët që të zbarkojnë në ndërmarrjen “INTERPRES” për regjistrim dhe konfiskim, të të gjitha mjeteve, me qëllim të shitjes së asaj pasurie materiale deri në shumën e dënimit të shqiptuar, madje pa asnjë të drejtë ankese.

Kështu që me 18 mars 1999 regjimi serb, fillimisht i hodhi ne aksion policinë okupuese dhe e ndaloi botimin e gazetës më të madhe të kohës në vend, kombëtaren" Kosova Sot", me ç`rast të gjithë ekzemplarët e gazetës "Kosova Sot" u konfiskuan me forcë në të gjitha pikat e shitjes dhe tërë Kosovën, madje edhe rrjetit të shitjes iu konfiskuan gazetat, përfshi gazetat nëpër veturat shpërndarëse, duke kërcënuar edhe shpërndarësit e gazetës me jetë, nëse ata do ta guxonin, edhe ditën tjetër, ta bënin shpërndarjen e saj!

Por, lufta e regjimit okupues të Millosheviqit kundër gazetës më të madhe në vend "Kosova Sot" nuk përfundojë me kaq as këtu, vetëm gjashtë ditë më vonë, apo saktësisht më 24 mars të vitit 1999, që ishte edhe dita e parë e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve të okupatorit serb, vetëm dy orë pasi kishin filluar bombardimet, përgjigjja e regjimit të Milosheviqit erdhi duke nisur me flakë vënien, djegien e tërësishme dhe shkatërrimin total të mbi 3000 metrave katrore të hapësirave të shtypshkronjës se gazetës "Kosova Sot".

Bashkë me objektin u dogjën edhe të gjitha pajisjet më të avancuara të kohës në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin edhe shumica e librave shkollore dhe materialet mësimore në gjuhën shqipe.

Pra, pikërisht më 24 mars 1999 regjimi okupator i kasapit Milosheviq me ish ministrin e informatave dhe presidentin aktual serb, kriminelin Aleksandër Vuçiq zgjodhën pikërisht gazetën dhe shtypshkronjën e kombëtares "Kosova Sot" si të paren dhe gazetën NR. 1, të shtypit të kohës për t`u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi që konsideronin se edhe vetë roli dhe ndikimi i gazetës "Kosova Sot" ishte një goditje shumë e madhe kundër regjimit kriminel serb të Milosheviqit që nga dita e parë e botimit të gazetës më 12 shtator 1998 e deri në ditën kritike të ndalimit dhe të djegies së saj, me 24 mars të vitit 1999.

Kurse dëmi i djegies i shkaktuar nga djegiet arrinte shifrat në mbi 5 milionë Euro, por përkundër të gjithave,kombëtarja "Kosova Sot", nuk u dorëzua asnjëherë, madje as gjatë kohës së bombardimeve, duke u riorganizuar përsëri, për informimin e qytetarëve kosovar, edhe nën ato kushte, me redaksi të vendosura një në Shkup dhe një në Tiranë, për të mos munguar informimi për shqiptarët nga të gjitha frontet e luftës, si dhe duke quar përpara kauza për liri, për të cilën edhe po luftonte populli martir i Kosovës sër shumëvuajtur nën okupimin e egër serbosllav.

Pas përfundimit të luftës gazeta "Kosova Sot" rifilloj përsëri misionin e saj fisnik në informim, duke i qëndruar besnike dhe e pa luhatshme lexuesit shqiptar, si dhe raportuar dhe bërë dëshmitare nëpër kohë, e të gjitha rrjedhave të procesit të shtet ndërtimit dhe demokracisë se re në Kosovën e lirë!

Gazetë e cila,nuk ka hezituar asnjëherë për të denoncuar edhe devijimet, duke paraqitur gjendjen reale në vend dhe afirmuar në vijimësi vlerat e vërteta të procesit të shtet ndërtimit, por edhe duke kritikuar e denoncuar dhe mos amnistuar, të gjithë ata që ne emër të meritave të luftës, apo të benefiteve të ndryshme politike, u bënë dorë e zgjatur dhe bashkëpjesëmarrës të instalimit të krimit.

Misioni për informim të drejtë i gazetës "Kosova Sot" ka vazhduar edhe në formën e shtypur, siç vazhdon edhe tani në versionin elektronik, pa devijuar në misionin e filluar që nga dita e parë kur edhe ka nisur si organ shtypi, i botuar.

Por edhe pse tanimë po bëhen 24 vjet nga përfundimi i luftës, përkundër përpjekjeve për ta realizuar të drejtën e vet edhe ne gjykatë, ku është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëmet e shkaktuara nga okupatori serb, padia as që është marrë parasysh dhe nuk është shqyrtuar kurrë nga gjyqësori i instaluar me arsyetimin se nuk janë kompetent, duke udhëzuar që padia të dërgohet në gjykatat e Serbisë në Beograd, ose siç e thotë fjala popullore: "Cjapi të shkoj te Kasapi"!

Kjo edhe për faktin se $edhe sot e kësaj dite, mese 24 vite pas përfundimit të luftës, në krye të shtetit serb vazhdon të qëndrojë po i njëjti person i inkriminuar i cili vet ka dhënë urdhër për shkatërrim e kombëtares "Kosova Sot" pra Aleksandër Vuçiqi që atëbotë ishte ministër i informatave të Serbisë fashiste kurse sot është president dhe kontrollon përsëri të gjitha shtyllat e shtetit.

Por ajo që habit të gjithë edhe sot, është se përkundër faktit që vendi i krimit të ndodhur ishte në Prishtinë dhe Kosovë, gjykatat tona as 24 vite pas çlirimit nga okupimi serb, kurrë nuk e kanë parë të arsyeshme për ta marr parasysh e gjykuar këtë rast dhe kërkuar kompensimin e dëmit të shkaktuar, madje për turpin e tyre, edhe duke udhëzuar që e njëjta padi të bëhet në gjykatën serbe në Beograd.

Nisur vetëm nga këto sa u thanë më lartë, "Kosova Sot", para luftës, e veçanërisht gjatë saj, kur edhe nën kushte të okupacionit barbar serb, përkundër të gjitha pengesave dhe vështirësive, botoi dhe përgatiti të gjitha librat shkollore dhe tërë materialin e domosdoshëm arsimor për nxënësit tanë, por dhe jetës në liri, dëshmohet katërçipërisht se roli dhe kontributi i gazetës ishte më tepër se gjigant, madje edhe fascionues, për krejt vitet e dy dekadave e gjysmë, në procesin e informimit të drejtë, shtet ndërtimit dhe konsolidimit të shoqërisë së re demokratike në Kosovën e çliruar dhe shtetin tonë të pavarur e sovran!

(Kosova Sot Online)