Ashpërsimi i kushteve për anëtarësimin e Serbisë në BE, formulë e detyrimit për marrëveshje me Kosovën

Ashpërsimi i kushteve për anëtarësimin e Serbisë në BE, formulë e detyrimit për marrëveshje me Kosovën
Ashpërsimi i kushteve për anëtarësimin e Serbisë në BE, formulë e detyrimit për marrëveshje me Kosovën

Gani Qarri

  • 06 February 2024 - 07:50

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Siç u mor vesh edhe nga mediet ndërkombëtare, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS), më 2 janar, përfundimisht i kanë dorëzuar Këshillit të BE-së një propozim për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok.

-Propozimi i dorëzuar Këshillit të BE-së, për rishikimin e kritereve për anëtarësimin e Serbisë në bashkimin Evropian, është grushti më i rëndë politik dhe diplomatik, që për herë të par, nga fillim i dialogut, bëhet kundër Serbisë dhe paralajmëron seriozisht hapjen e fazës së vërejtjeve më serioze për stopim të procesit të anëtarësimit, pikërisht për shkak të bllokimit të procesit të dialogut me Kosovën dhe mos zbatimin e marrëveshjeve nga Serbia, të dakorduara në Bruksel. Ndryshimet në kapitullin 35 kanë të bëjnë me përfshirjen e zbatimit të marrëveshjeve, si kusht detyrues për Serbinë, që ajo i ka arritur deri më tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 për Serbinë vjen si përgjigje ndaj letrës së Serbisë drejtuar BE-së nga Ana Bërnabiq, në dhjetor se vendi i saj nuk do t'i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua në Bruksel me Kosovën. Në fakt ky propozim u dorëzua dy ditë më vonë, nga sa ishte afati i dhënë nga vendet anëtare në takimin e 12 dhjetorit të vitit të kaluar, kur kishin kërkuar që para fundit të muajit janar të këtij viti Komisioni dhe EEAS ta dorëzonin propozimin në Këshillin e BE-së.

Megjithatë Bashkimi Evropian, por edhe SHBA, tanimë i kanë të gjitha argumentet e mundshme që ta identifikojnë pa asnjë dilemë sabotuesin e vërtetë, e bllokuesin dhe mashtruesin e paskrupull politik të dialogut dhe mos-zbatuesin tipik të marrëveshjeve, që në fakt dihej edhe më parë, se ajo ishte Serbia. Siç dihet Aleksandër Vuçiq dhe komplet qeveria serbe në Beograd po refuzojnë ti zbatojnë marrëveshjet në pako të cilat janë arritur në Bruksel dhe Ohër, duke insistuar për zbatim të vetëm atyre segmenteve nga të cilat përfiton dhe ka interes politika zyrtare e Serbisë, për ta penguar dhe pamundësuar funksionimin e shtetit të Kosovës. Pas arritjes së Marrëveshjes në Bruksel në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe aneksit për zbatimin e saj në Ohër në mars, Bashkimi Evropian kishte ngulur këmbë se këto marrëveshja janë ligjërisht obliguese për palët, pavarësisht se ato nuk janë nënshkruar.

Në rastin e Serbisë, sipas zyrtarëve të BE-së, zbatimi do të bëhet edhe formalisht obligues duke u përfshirë si kusht specifik në kornizën e bisedimeve të saj për anëtarësim në bllok, por në fakt, për më shumë se dhjetë muaj, BE-ja nuk e kishte ndryshuar këtë kornizë. Prandaj, në konkluzionet që i nxorën nga takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, ministrat e vendeve anëtare kishin kërkuar që ky ndryshim edhe të ndodhë sa më parë dhe Komisioni i EEAS ta bëjnë propozimin e tyre. Kështu që "Këshilli kërkonte nga Komisioni dhe nga përfaqësuesi i lartë, që para fundit të janarit të vitit 2024, të propozojnë dhe plotësojnë kushtet nga kapitulli 35 i negociatave të anëtarësimit për Serbinë” thuhej në këto konkluzione. Ato më vonë ishin mbështetur edhe nga shefat e shteteve anëtare në samitin e BE-së në Bruksel. Prandaj kapitulli i 35 i negociatave të anëtarësimit, në rastin e Serbisë përfshin edhe normalizimin e raporteve me Kosovën, kapitull ky që ishte hapur ndër të parët qysh në dhjetorë të vitit 2015, për të përcjellë përmes tij përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Marrë parasysh bllokadën që Serbia u shkakton zbatimit të marrëveshjeve Këshilli i BE-së, tani duhet ta votojë propozimin e Komisionit dhe EEAS për ndryshimin dhe plotësimin e kapitullin 35 për Serbinë, pasi që Bashkimi Evropian gjithmonë u ka dërguar porosi Serbisë dhe Kosovës, se rrugëtimi tyre drejt anëtarësimit në bllok kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".