Aziri: Kredibiliteti i VV-së varet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të ofruar zgjidhje

Aziri: Kredibiliteti i VV-së varet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të ofruar zgjidhje
Aziri: Kredibiliteti i VV-së varet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të ofruar zgjidhje

Arsim Aziri

  • 22 May 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Mendoj se refuzimi i kandidaturës së Albulena Haxhiut nga opozita mund të shihet në dy mënyra: Nga një këndvështrim parimor, opozita mund të pretendojë se ka rezerva të qëndrueshme ndaj figurës së saj, duke përmendur ndoshta mënyrën e saj të drejtimit si ministre e Drejtësisë, retorikën konfrontuese apo lidhjen e fortë me udhëheqjen e VV-së. Në këtë prizëm, kundërshtimi ndaj një kandidateje nuk është vetvetiu destruktiv, por pjesë e procesit të verifikimit të balancave institucionale në një demokraci.

 

-Nga një këndvështrim cinik, refuzimi i saj pa një alternativë konstruktive – pra pa propozime konkrete për figura kompromisi – mund të lexohet si përpjekje për të zvarritur ngërçin aktual dhe për të përdorur këtë bllokadë si levë për të minuar legjitimitetin e zgjedhjeve të ardhshme ose për të nxitur një krizë të re institucionale. Dhe kjo situatë s’i shkon për shtat askujt, veçse dëmton rendin e përgjithshëm dhe tregon mjaftueshëm për nivelin moral të politikanëve, më saktësisht papërgjegjësinë, për të cilën do të na ndëshkojë koha.

Në këtë kontekst, opozita nuk del me një platformë të qartë se çfarë e bën një kandidat/e të pranueshëm/e, çka e shton dyshimin për motive të tjera përtej shqetësimeve për integritetin e kandidatit.

Vetëvendosje ka ndërtuar për vite me radhë një narrativë të fuqishme mbi ndryshimin, shtetin e së drejtës dhe kapërcimin e krizave të vjetra politike.

Megjithatë, insistimi tejet i ngurtë në një emër të vetëm për konstituimin e parlamentit përballë një refuzimi të përsëritur, e vendos këtë narrativë në tension me realitetin politik:

Nga një këndvështrim parimor, VV mund të pretendojë se nuk po bën pazare për postet kyçe, dhe se Albulena Haxhiu përfaqëson përkushtimin ndaj reformës në drejtësi. Në këtë rast, ata mund të pretendojnë se kompromisi mbi drejtësinë është pikërisht ajo që ka shkatërruar institucionet në të kaluarën.

Por, nën syrin pragmatik, fakti që nuk ofrohet një alternativë tjetër e denjë nga vetë mazhoranca ngre pyetje mbi aftësinë e saj për të qeverisur në situata ku kërkohen aleanca dhe bashkëpunim institucional. Ngurtësia, në vend të fleksibilitetit konstruktiv, mund të interpretohet si mungesë vizioni për një dalje dinjitoze nga ngërçi.

Pra, kredibiliteti i VV-së varet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të ofruar zgjidhje, jo vetëm për të denoncuar problemet e të tjerëve.

Ndërsa, sa i përket presidentes Osmani, ka një pozitë të ndërlikuar: nga njëra anë, është një figurë që ka dalë nga radhët e VV-së, edhe pse me një profil institucional më të pavarur; nga ana tjetër, është përgjegjëse për të siguruar funksionalitetin kushtetues të shtetit. Pra, edhe ajo gjendet në një situatë dualiste dhe, nën gjykimin pragmatik, ajo duhet ta ofrojë zgjidhjen duke tejkaluar krejt ndasitë politike, për ta drejtuar vendin drejt zgjidhjes, pasi situata ku jemi është qesharake.

Nëse shohim rolin e saj si ndërmjetësuese, mungesa e një zgjidhjeje pas disa takimeve me liderët politikë, si dhe heshtja e saj publike për afatet dhe rrugët alternative, nxit perceptimin se ajo nuk po arrin të ushtrojë ndikimin e duhur si garante e funksionimit institucional.

Por, çka po evidentohet mjaftueshëm ka të bëjë me nivelin e dobët të funksionimit si shoqëri politike, duke ofruar dëshmi të bollshme për mostrajtim të mirë edhe në sferën ndërkombëtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".