Datë urimi dhe shembull veprimi për brezat e ardhshëm

Datë urimi dhe shembull veprimi për brezat e ardhshëm
Datë urimi dhe shembull veprimi për brezat e ardhshëm

Gani Qarri

  • 28 November 2025 - 14:15

Nga Gani Qarri

Gëzuar 113 vjetori i mëvetësisë kombëtare

 Datë urimi dhe shembull veprimi për brezat e ardhshëm

Dita e 28 nëntorit është festë e shënuar historike mbarëkombëtare për shqiptarët kudo jetojnë, ditë e mirënjohjes së veçantë, vlerësimit më të lartë dhe nderimit më sublim, ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën e u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë edhe pse jo të plotë, jo me shtrirje në të gjitha trojet tona etnike dhe ende të pa-bashkuara në një shtet kombëtar.

 

Pavarësia e shtetit shqiptar me historikun mbi një shekullor, ishte Rilindja e kombit dhe akti më i lartë i lavdisë, vlerësimit, e nderimit të përjetshëm të heronjve më të mëdhenj shqiptar dhe të gjithë patriotëve të shquar të kombit që me përpjekjet e tyre të pareshtura shumë vjeçare më 28 Nëntor të vitit 1912, përfundimisht arritën, ta shpallnin në Vlorë-Shqipërinë e pavarur!

 

Ditë që ngjallë emocione të shumta dhe zgjon ndjesi të veçanta edhe sot,113 vite më vonë, deri në lartësitë e pakapshme të alpeve tona mijëravjeçare, tek të gjitha shtresat popullore dhe në mbarë hapësirën tonë etnike, kudo jetojnë shqiptarët në rruzullin tokësorë, veçanërisht te mërgimtarët tanë, të cilët ishin ata që në të gjitha kohët kontribuuan pa kursim e ditën ta duan gjithmonë pa hile-atdheun e tyre të shtrenjtë, luftuan e ranë për lirinë e tij dhe përjetojnë thellë në shpirt çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë, mungesën e Atdheut nga distancat mijëra kilometërshe ku ata detyrohen të punojnë e jetojnë.

 

Me këtë datë të lavdishme historike Shqiptarët e të gjitha trojeve dëshmojnë si një, se në zemrat e tyre sot e përgjithmonë, Flamuri kombëtar është i pa zëvendësueshëm me asgjë tjetër dhe mbetet përjetësisht thellë i ngulitur si simboli shpirtëror i të gjithë shqiptarëve, atdheu i të cilëve 113 vite më parë nën valëvimin e po këtij Flamuri, shpalli pavarësinë e të gjitha trojeve etnike të Shqipërisë natyrale.

 

Me rastin e kësaj feste të shënuar kombëtare me hare e gëzim dhe shijen e ëmbël të idealeve të lirisë, megjithëse ende të pa realizuara plotësisht për dhe në të gjitha trojet tona etnike, meritë e madhe e udhëheqësve të shquar të kombit, ishte edhe vendimi i tyre historik në të cilin ndikuan veçanërisht shumë mërgimtarët e kohës për shpalljen e pavarësisë dhe përcaktimin properëndimor të Shqipërisë që atëbotë kishte nevojë imediate për përkrahjen e pavarësisë  nga vendet e Evropës dhe botës perëndimore

 

Shpallja e Pavarësisë ishte dhe mbetet kulmi i të gjitha të arriturave dhe kurorëzimi i shpresave të kombit shqiptar për të cilën shumë breza atdhetarësh kanë sakrifikuar edhe jetën, e veçanërisht mërgimtarët e të gjitha kohëve, të cilët u bënë shembull i shkrimit të një historie sublime kombëtare me plot sakrifica që bashkë me angazhimin e rilindësve tanë edhe nga mërgimi, quan vendin deri te ngritja e Flamurit dhe shpallja e Pavarësisë kombëtare.

 

Pra 28 nëntori është datë festive dhe krenaria që na bashkon të gjithëve si komb, është era e ngrohtë e lirisë, është liria vet, është dinjiteti ynë kombëtar e njerëzor, që hapi dyert e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, trasoi rrugët e shpresave të mëdha për realizimin e mëvetësisë kombëtare dhe bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare, që edhe sot mbetet jo vetëm ëndërr e ideal, por edhe detyrë kombëtare, që duhet realizuar!

Andaj vepra e atyre që luftuan, ngritën lartë heroizmin e luftëtarëve të kombit dhe ranë për çlirimin e atdheut, i jep vlerën më të lartë lirisë që sot ne gëzojmë dhe çon deri në zenit, aktin e nderimit madhështor ndaj atdhetarëve të njëmendtë shqiptarë, për veprën e shkëlqyer heroike të të cilëve, përveçse jemi tej çdo mase krenar, ndihemi fort me fat dhe shumë të privilegjuar që tu shprehim atyre sot, nderimet tona të veçanta dhe tu themi publikisht se për të arriturat e pavdekshme kombëtare, që ata kanë realizuar, janë dhe do të mbeten përjetësisht të nderuar deri në lartësitë e përbotshme qiellore dhe shembull i vijimit të sakrificës, për bashkim kombëtar nga shqiptarët kudo.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".