Premtime mashtruese për marrjen e votës
Gani Qarri
Nga Gani Qarri
Të presësh rritje 50 % të pagave nga ata të cilët, vetëm pak javë më parë kanë bllokuar edhe buxhetin e vendit dhe ndihmat ndërkombëtare, duke rrezikuar funksionalitetin e shtetit, përkeqësuar gjendjen sociale të qytetarëve dhe quar në humbjen e qindra miliona eurove ndihma nga Plani për Rritje i BE-së dhe Banka Ndërkombëtare, është vërtetë çmenduri dhe hipokrizi e llojit të politikanëve më të degjeneruar, që gjejnë terren të zhargaviten edhe sot.
Politikbërës të degjeneruar edhe moralisht që për fatin e keq të Kosovës, nuk u mjaftuan vetëm me barrikadimin për mbi 9 muaj, kundër konstituimit të institucioneve të shtetit, por i vendosën Kosovës edhe sanksione, e madje edhe më të rënda se vet BE, dhe derisa BE ngriu rreth 216 milion euro për dy vjet të masave shtrënguese, partitë opozitare me një të rënë si mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, me BE-në dhe Bankën Ndërkombëtare, i shkaktuan Kosovës mbi 200 milion euro humbje dhe krejt kjo vetëm për periudhën aktuale.
Prandaj ndoshta duke menduar se pasi-që Kosova u përfshi në dokumentin e Senatit amerikan, mund të ketë qasje edhe në buxhetin triljardësh të SHBA-ve, pikërisht ato parti opozitare të cilat me barrikadime e bllokada unike, dëmin më të rëndë edhe financiarisht, ia shkaktuan Kosovës, keqpërdorin edhe fushatën zgjedhore, për mashtrimet e tyre, me të cilat ndotin jo vetëm tokën, por edhe qiellin, duke bërë premtimet të rrejshme për gjoja- rritjen e pagave “50%”, sikur Kosova ta kishte në pronësi buxhetin e miratuar nga Donald Trumpi, për SHBA-të.
Krejt këto, në përpjekje për tu qitur hi syve qytetarëve, si mënyra e vetme, që u ka mbetur opozitarëve të inkriminuar, për të marrë edhe ndonjë votë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Premtimet e tilla marramendëse, që të realizohen dhe bëhen të besueshme edhe për qytetarët, duhet të shoqërohen me projekte të mirë-studiuara dhe transparencë të plotë nga ekspertët e fushave përkatëse për realizimin e tyre, të shpjegohet se nga do ti marrin mjetet dhe kush- e si, do të financoi për këto përmasa të rritjes së pagave.
Pastaj duhet të shpalosen edhe treguesit bindës se në bazë të cilave kritere është e mundshme të realizohet kjo rritje tre-dimensionale dhe për të fituar besimin dhe votën e qytetarëve, për të gjitha këto premtime marramendëse, duhet të ofrohet plani me afatet konkrete të realizimit të tyre.
të shpjegohet se a do të bëhet luftimi i korrupsionit, përshpejtimi i zhvillimit ekonomik, përmirësimi i cilësisë së arsimit, sanimi i shëndetësisë etj
Prandaj, qytetarët e Kosovës, para se tu besojnë sloganeve kamufluese të partive politike, për rritje 50% të pagave, në vend se kandidatët për kryeministër të zotohen për luftimin e korrupsionit, nepotizmit, evazionit financiar, reformimin e sistemit gjyqësor e prokurorial, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve jetësore për punësim dhe mbështetje shtetërore të të rinjve tanë, që ata të mos largohen nga vendi, por të punojnë e kontribuojnë për shtetin e tyre, fillimisht duhet ti shikojnë me kujdes përformancën dhe programet zhvillimore të kandidatëve.
Dhe ata kandidatë që bëjnë premtime pa mbulesë, pa u zotuar me argumente bindëse para qytetarëve se do të mbajnë edhe përgjegjësi nëse, premtimet e tyre nuk arrijnë ti realizojnë dhe premtimet e kandidatëve për kryeministër edhe në këtë fushatë zgjedhore, nuk bazohen në treguesit realë të jetësimit, sipas gjendjes ekonomike të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit, çdo premtim jashtë këtyre parametrave është bosh dhe mashtrim publik i qytetarëve.
Premtimet paushallë që nuk përputhen me mundësitë financiare të shtetit as gjendjen ekonomike të vendit, nga figura të padëshmuara se i kanë realizuar ndonjëherë premtimet e dhëna në fushata zgjedhore, derisa nga përvoja me ta- në të kaluarën, njohim rritje pagash vetëm deri 4-5 %, propagandimet për rritje pagash 50% , të kandidatëve të tillë për kryeministër, janë thjeshtë premtime pa mbulesë, e pse jo edhe sajime tullumbacesh, të pompuara me frymë të gënjeshtërt njëpërdorimshme, vetëm sa për këtë fushatë elektorale.
Kështu që, qytetarët e Kosovës para se tu besojnë premtimeve paushallë me përmasa të pabesueshme që edhe vet kandidatët e dinë mirë, se nuk mund të realizohen, nuk mjafton vetëm përcjellja e ekspozimeve partiake, por duhet ta njohin mirë edhe të kaluarën e kandidatëve, sepse për jetësimin e premtimeve të tyre megalomane, Kosova nuk ka potenciale ekonomike as mundësi reale financiare, ndaj keni kujdes dhe mos ju besoni, sidomos atyre që kanë bllokuar buxhetin dhe kanë sanksionuar Kosovën me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe quar në humbjen e qindra milionave euro, të ndara për vendin tonë nga BE dhe Banka Ndërkombëtare: Mos ua besoni Votën!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
