Kosova ka nevojë për politika sociale më të forta por po aq për stabilitet financiar

Kosova ka nevojë për politika sociale më të forta por po aq për stabilitet financiar
Kosova ka nevojë për politika sociale më të forta por po aq për stabilitet financiar

Isuf Bajraktari

  • 18 February 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI- Isuf Bajrakatri

Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti e ka nisur mandatin me premtime sociale që tingëllojnë tërheqëse: paga mesatare mbi 1,000 euro në sektorin publik, dyfishim i shtesave për fëmijë dhe rritje e mbështetjes për lehonat. Në planin social, këto zotime janë të mirëpritura. Por kur premtimi shndërrohet në politikë publike, lind pyetja thelbësore: kemi përpara një program ekonomik të kostuar apo një listë dëshirash që rrezikon të përplaset me realitetin buxhetor? Sepse teoria dhe praktika rrallë ecin paralel.

 

-Deri më tani nuk është prezantuar publikisht një dokument i detajuar që të tregojë koston fiskale të rritjes së pagave në sektorin publik, dyfishimit të shtesave për fëmijë dhe rritjes së mbështetjes për lehonat. Sa është kostoja vjetore? Sa kushton për katër vite? Sa përfitues parashihen? Pa këto elemente bazë, debati mbetet deklarativ. Në një shtet modern, çdo reformë sociale kërkon faturë financiare dhe plan të qartë zbatimi.

Rritja e pagave në sektorin publik është ndër vendimet më të mëdha fiskale. Pagat janë shpenzime të përhershme që krijojnë detyrime afatgjata. Shpenzimet e reja financohen vetëm në tri mënyra: rritje e të hyrave buxhetore, rishpërndarje e shpenzimeve ekzistuese ose rritje e borxhit publik. A mund të garantohet se nuk do të ketë rritje taksash? Nëse po, cilat shpenzime do të reduktohen? Nëse jo, pse nuk thuhet hapur?

Mbështetja për familjet është e domosdoshme, por dyfishimi i shtesave për fëmijë përfaqëson zgjerim të përhershëm të shpenzimeve sociale. A është bërë analiza e plotë e kostos afatgjatë? A është llogaritur ndikimi në buxhet nëse rritet numri i përfituesve? A ekziston plan rezervë në rast të ngadalësimit ekonomik? Ekonomia nuk rritet sipas dëshirës së politikës. Kur rritja ngadalësohet, presioni mbi buxhetin rritet menjëherë.

Këto premtime janë veçanërisht tërheqëse për shtresat me të ardhura të ulëta, pikërisht për ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Por këtu qëndron rreziku më i madh: krijimi i pritjeve që mund të mos realizohen. Kur pritjet rriten më shpejt se kapaciteti ekonomik, pasoja e parë është zhgënjimi publik dhe rënia e besimit institucional.

Çfarë ndodh nëse të hyrat buxhetore nuk rriten sipas planit? A do të shtyhen masat, do të reduktohen apo do të financohen me borxh? Një plan ekonomik serioz gjithmonë ka një plan B. Publiku ende nuk e ka parë një të tillë.

Qeveria mund t’i adresojë këto dilema vetëm përmes transparencës së plotë fiskale: kosto reale, numër përfituesish, burim financimi dhe skenarë rreziku. Transparenca nuk e dobëson qeverinë; përkundrazi, e forcon besimin publik.

Kosova ka nevojë për politika sociale më të forta, por po aq për stabilitet financiar dhe përgjegjësi fiskale. Sfida e mandatit të ri është balancimi mes këtyre dy objektivave.

Pyetja mbetet thelbësore: kemi përpara një program ekonomik të qëndrueshëm apo një paketë premtimesh që rrezikon të mbetet në letër? Sepse në fund, çdo premtim politik ka një faturë dhe ajo faturë paguhet gjithmonë nga qytetarët.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".