Shtetësia e Kosovës po sfidohet

Shtetësia e Kosovës po sfidohet
Shtetësia e Kosovës po sfidohet

Zef Prenka

  • 23 February 2026 - 15:32

PARADOKSI I RREZIKUT:

Kur kërcënimi ndërron formë

Nga: Zef Prenka- ( Kryetar i Rrjetit Intelektual Shqiptar- Rr.I.Sh.)

Shtetësia e Kosovës po sfidohet jo më nga tanket e fqinjit, por nga një erozion i brendshëm kulturor dhe arsimor që synon të tjetërsojë vetëdijen kombëtare.

Shteti i Kosovës, në këtë përvjetor të rëndësishëm të ekzistencës së tij de facto dhe de jure, po lëkundet nga një rrezik i ri që fshihet pas nocionit "shqiptar", por që ushqehet nga një islam radikal dhe agjenda të huaja. Ky realitet po e shtyn vendin drejt një konflikti të brendshëm religjioz, ku për herë të parë pas luftës, kërcënimi nuk vjen nga Serbia, por nga vetë shqipfolësit që tentojnë të godasin themelet e shtetit laik. Kjo gjendje ka krijuar një alarm të kuq te partnerët tanë strategjikë, veçanërisht te ShBA-të, të cilat gjenden para dilemës së rishqyrtimit të pranisë së KFOR-it. Nëse garantuesi i sigurisë sonë sheh se projekti i tyre për një shtet demokratik po zëvendësohet nga një vatër ekstremizmi, tërheqja e tyre do të ishte akti i fundit që do të rrezikonte seriozisht pavarësinë dhe ekzistencën tonë si shtet.

Në këtë klimë të tensionuar, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) duket se po luan një rol pasiv, i cili në heshtje i konvenon agjendës strategjike serbe për një konflikt ndërvëllazëror. Ky vetëshkatërrim po manifestohet edhe në institucionet tona më vitale: në shkolla. Tentimet e fundit për shkurtimin e orarit mësimor gjatë muajit të Ramazanit – i cili këtë vit rastësisht përkoi me Kreshmët e besimit katolik – nuk janë thjesht kërkesa praktike, por shenja të një ndërhyrjeje fetare në sistemin arsimor laik. Mbi të gjitha, tendenca për të ndryshuar njësitë mësimore të historisë është goditja më e rëndë që mund t'i bëhet memories kolektive. Përpjekja për t'i paraqitur Sulltanët otomanë si "mbrojtës" dhe jo si pushtues e dhunues, ashtu siç dëshmojnë faktet shekullore, synon të fshijë historinë e lavdishme të qëndresës shqiptare dhe ta kthejë popullin tonë në një masë pa identitet kombëtar, të gatshëm për t'u nënshtruar ideologjive mesjetare.

Këtë zjarr që po digjet përbrenda e ushqejnë edhe zërat që vijnë nga jashtë, si ai i gazetarit Enver Robelli, i cili shpesh "kapet" pas thënieve të pathëna apo të keqkuptuara qëllimshëm. Një shembull flagrant i këtij linçimi publik është rasti me Dr. Don Shan Zefin, një figurë elitare e Dioqezës së Kosovës. Përmes keqpërkthimeve të qëllimshme nga gjuha gjermane të një interviste për një radio të huaj, Robelli godet njeriun që përfaqëson moderimin dhe trungun e lashtë të shqiptarisë, duke nxitur përçarje aty ku duhet të kishte unitet. Ky lloj "intelektualizmi" që deformon të vërtetën dhe sulmon klerin katolik shqiptar, i shërben vetëm skenarit të atyre që duan ta shohin Kosovën të izoluar moralisht dhe të shkëputur nga rrënjët e saj evropiane. Mbrojtja e Kushtetutës dhe e historisë sonë sot është beteja kryesore për të siguruar që e ardhmja e fëmijëve tanë të mos jetë në një shtet teokratik, por në një Kosovë të lirë, laike dhe pro-perëndimore.

-THIRRJE PUBLIKE:

 MBROJTJA E ARSIMIT LAIK DHE INTEGRITETIT HISTORIK TË KOSOVËS

Drejtuar: Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI)

Për dijeni:

- Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Opinionit Publik

- Bashkësisë Islame të Kosovës dhe 

- Dioçezës së Kosovës

Duke parë zhvillimet e fundit që cenojnë drejtpërdrejt karakterin laik të shtetit tonë dhe tentativat për rishikimin e historisë kombëtare, ne – si qytetarë dhe mbrojtës të vlerave euro-atlantike – kërkojmë veprime të menjëhershme institucionale për pikat e mëposhtme:

1. Ndalimin e Ndërhyrjeve Fetare në Orarin Mësimor

Sistemi arsimor i Kosovës është dhe duhet të mbetet laik. Shkurtimi i orëve mësimore për shkak të riteve fetare (siç u tentua gjatë muajit të Ramazanit) krijon një precedent të rrezikshëm. Shkolla është institucion i dijes, jo i kultit. Çdo lëshim i tillë cenon të drejtën e nxënësve për arsimim të plotë dhe barazinë mes komuniteteve, duke krijuar ndarje në baza fetare që në bankat e shkollës.

2. Mbrojtjen e Teksteve të Historisë nga "Neo-Otomanizmi"

Jemi dëshmitarë të tendencave për të ndryshuar njësitë mësimore që pasqyrojnë periudhën e pushtimit otoman. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet sipas dëshirave të agjendave politike apo fetare të jashtme.

• Faktet janë të pandryshueshme: Sulltanët otomanë ishin pushtues që dhunuan integritetin territorial dhe kulturor të shqiptarëve.

• Parandalimi i tjetërsimit: MASHTI duhet të garantojë që komisionet e teksteve shkollore të jenë të përbëra nga profesionistë dhe patriotë që mbrojnë të vërtetën shkencore, dhe jo nga ideologë që synojnë t'i paraqesin pushtuesit si "mbrojtës".

3. Ruajtjen e Identitetit Kombëtar dhe Aleancave Strategjike

Edukimi i pasaktë dhe radikalizimi i fshehur brenda sistemit arsimor janë kërcënime direkte për sigurinë kombëtare. Një rini që nuk e njeh historinë e vet dhe që nuk respekton laicitetin e shtetit, është një rini që lehtësisht manipulohet nga qarqet që duan ta shohin Kosovën larg SHBA-së dhe NATO-s.

Kërkesa është e qartë:

Ministria duhet të deklarohet hapur kundër çdo forme të rishikimit historik që zbeh qëndresën shqiptare dhe të ndalojë çdo praktikë që fut fenë në menaxhimin e shkollave publike. Nuk mund të lejojmë që "arma mesjetare" e ideologjisë të shkatërrojë themelet e shtetit që e ndërtuam me gjak dhe me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë.

“ Po shohim, po dëgjojmë, po diskutojmë”.

Zgjidhjen e dijmë të gjithë, andaj vepro drejtë!!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".