Shoqëria jonë të vetëdijësohet për rrezikun që paraqesin këto dukuri

Shoqëria jonë të vetëdijësohet për rrezikun që paraqesin këto dukuri
Shoqëria jonë të vetëdijësohet për rrezikun që paraqesin këto dukuri

Ismail Muçiqi

  • 23 February 2026 - 15:28

Shkruan Ismail Muçiqi


Tashmë është evidente se një pjesë e industrisë globale të teknologjisë, përmes rrjeteve sociale si Facebook dhe Instagram, në emër të interesave financiare, ka tejkaluar kufijtë e etikës dhe të përgjegjësisë shoqërore. Kjo qasje ka ndikuar drejtpërdrejt në ekspozimin dhe shpesh në degradimin e jetës private dhe publike të qytetarëve. Plasimi i përmbajtjeve të papërshtatshme, përfshirë materiale me karakter seksual apo pornografik, që qarkullojnë lirshëm në këto platforma, përbën një goditje serioze ndaj normave të edukatës, moralit dhe dinjitetit njerëzor.

Këto fenomene negative janë një shkelje flagrante e privatësisë dhe një tregues i krizës së vlerave në shoqërinë bashkëkohore. Një tjetër shqetësim i madh është prania e reklamave dhe përmbajtjeve të dyshimta, shpesh të lidhura me produkte mjekësore apo farmaceutike, të promovuara nga individë anonimë ose profile të rreme. Këto raste kërkojnë hetim urgjent nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, veçanërisht nga njësitë për krime ekonomike dhe mashtrime digjitale. Këto rryma të amoralitetit po shndërrohen në një kërcënim serioz për strukturën morale të shoqërisë. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në edukimin e brezave të rinj, të cilët sot janë të ekspozuar që në moshë të hershme ndaj teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Fëmijët dhe nxënësit, në vend që të orientohen drejt dijes dhe arsimimit, përballen çdo ditë me përmbajtje të dëmshme që ndikojnë negativisht në zhvillimin e personalitetit te tyre psikologjik dhe etik. Populli Shqiptar, ndër shekuj, ka ruajtur me përkushtim të madh vlerat morale dhe traditat kombëtare. Megjithatë, depertimi  i pakontrolluar i kulturave të jashtme dhe i industris se rrokut po e shfrenon këtë trashëgimi, duke e larguar rininë nga arsimi cilësor dhe nga vlerat e familjes, humanizmit dhe respektit shoqëror. Pasojat e këtyre fenomeneve tashmë janë të dukshme: rënie e cilësisë në arsim, mungesë motivimi te të rinjtë dhe dobësim i lidhjeve familjare e shoqërore. Është e domosdoshme që shoqëria jonë të vetëdijësohet për rrezikun që paraqesin këto dukuri. Nëse nuk veprohet me kohë, këto fenomene mund të çojnë në një degradim të thellë moral dhe shoqëror, duke cenuar identitetin dhe vlerat themelore të një populli.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".