
Lexoni edhe:
Trupat e NATO-s mund të reduktohen por nuk do të tërhiqen nga Republika e Kosovës
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Duke pasur parasysh faktin se Kosova, në ligjin e nënshkruar nga presidenti Donald Trump, përfshihet edhe në buxhetin e mbrojtjes së SHBA-ve për vitin 2026, dhe po në këtë dokument theksohet si shtet kyç për sigurinë evropiane, stabiliteti i të cilës lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike amerikane, si dhe vetë SHBA-të edhe zyrtarisht ofrojnë garanci për mosndryshim të kufijve dhe riafirmojnë se bisedimet Kosovë–Serbi duhet të përmbyllen me njohje reciproke, duke kundërshtuar çdo ide për ndarje, rishikim të kufijve apo shkëmbime territoriale mbi baza etnike, përkundër raportimeve për reduktim të mundshëm të trupave amerikane, besoj se kjo më tepër ka të bëjë me Lindjen dhe vendet arabe, por jo edhe me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, ku ushtria amerikane është shtylla kryesore e qëndrueshmërisë dhe moseskalimit të gjendjes politike në rajon.
Trupat e NATO-s mund të reduktohen por nuk do të tërhiqen nga Republika e Kosovës
Lexoni edhe:
-Përndryshe, edhe nëse rastësisht bëhen përgatitje “në heshtje” për rikonfigurim të rolit të NATO-s, në Kosovë ka një numër konstant të ushtarëve dhe mjeteve ushtarake të SHBA-ve, për të cilat aktualisht nuk parashihen lëvizje, ndaj edhe deklarata se “nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim” është më shumë garanci sesa mesazh politik.
Madje, edhe nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zvogëlonin realisht praninë ushtarake, kjo, ashtu siç është paralajmëruar, do të mund të ndodhte në Gjermani, ku prania e numrit aktual të kontingjenteve ushtarake të SHBA-ve nuk shihet e nevojshme në përmasat aktuale.
Në anën tjetër, disa funksione të NATO-s është paraparë t’u kalohen vendeve më të fuqishme evropiane, me çka transferimi i pjesshëm i kompetencave nuk nënkupton domosdoshmërisht se do të cenohej edhe kapaciteti real i KFOR-it për të garantuar sigurinë në Kosovë, derisa edhe Ushtria e Kosovës po rritet e forcohet dita-ditës dhe pritet të marrë kompetenca shtesë në mbrojtjen e vendit, ndërsa shtetet evropiane, me marrjen përsipër të kompetencave të NATO-s, janë të gatshme ta plotësojnë edhe boshllëkun strategjik, nëse rastësisht ndodh një gjë e tillë.
Në parim, NATO, për t’u dhënë prioritet angazhimeve politike, thekson se stabiliteti “varet edhe nga zgjedhja e diplomacisë”, por ne vetë jemi dëshmitarë se aty ku nuk ka funksionuar politika dhe diplomacia, NATO ka treguar disa herë në vepër se nuk e ka të pamundur ta përdorë edhe forcën, siç ndodhi në mars të vitit 1999 kundër caqeve dhe ushtrisë okupatore serbe të Slobodan Milosevic-it, me rastin e dëbimit me forcë të më shumë se 1 milion shqiptarëve nga Kosova, si dhe në raste të tjera në botë, ku përdorimi i forcës është parë si i domosdoshëm.
Veçanërisht sa i takon Kosovës, nuk mendoj që ka asnjë sinjal se përgjegjësia po zhvendoset nga garancia ushtarake tek presioni politik ndaj palëve në dialog, derisa Kosova nuk gjendet në luftë me askënd, ka shtrirë sovranitetin shtetëror në të gjithë territorin e vet dhe presidenti Trump deklaron publikisht që, në rast rreziku, Presidentja e Kosovës t’i telefonojë drejtpërdrejt atij, apo e përkthyer në mënyrë diplomatike, nënkupton se Kosova, në rast nevoje, e ka linjën e hapur për të kontaktuar drejtpërdrejt SHBA-të; pra realisht nuk shoh krijimin e asnjë vakuumi, as teorik e as praktik, të sigurisë për vendin tonë.
Edhe pas raportimeve në mediat ndërkombëtare se SHBA do të reduktojë trupat e veta në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Kosovën, kjo mund të ndodhë në proporcion me marrjen e kompetencave mbrojtëse të FSK-së; përndryshe, siç shprehen edhe nga NATO, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe në të gjithë rajonin.
Sipas NATO-s, “forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, në përputhje me kushtet dhe rrethanat, kur ato evoluojnë, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin”, dhe aktualisht “nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim”, kështu që “KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e vet për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”.
KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me FSK-në, Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), prania dhe aktivitetet e përditshme të të cilit në të gjithë Kosovën krijojnë hapësirë për dialog politik dhe stabilitet në rajon.
E në rastin e Kosovës, fatmirësisht, nuk kemi të bëjmë me asnjë dhunë; madje SHBA-të, edhe në raportimet mbi Ligjin e Mbrojtjes, theksojnë qartë se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe rruga drejt paqes afatgjatë duhet të jetë politike, ndërsa NATO, pjesë e së cilës janë vetë SHBA-të, vazhdon të mbështesë fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të zgjidhur me respekt çështjet e pazgjidhura për të drejtat e të gjitha komuniteteve; pra, siç thuhet edhe në përgjigjen e NATO-s, në rastin e Kosovës bëhet fjalë vetëm për të drejtat e komuniteteve dhe jo për luftë, ndryshim kufijsh apo këmbim territoresh në baza etnike, kundër të cilave është shprehur Kosova, dhe po ashtu kundër janë deklaruar me vendosmëri edhe vetë SHBA-të.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".