
Lexoni edhe:
Vetëm zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nga populli shmang pazaret e partive politike
Shkruan: ANALISTI-Gezim Mekuli
Vendimi "kamikaz" i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit në një fazë kur procedura kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nuk ishte konsumuar, mund të interpretohet si një veprim politik i ngutshëm dhe institucionalisht problematik. Në planin kushtetues, një vendim i tillë krijon përshtypjen e një akti “kaubojesk”, pra një ndërhyrje të menjëhershme dhe të njëanshme që anashkalon mekanizmat proceduralë të parashikuar nga Kushtetuta.
-Një akt i tillë, në vend që të stabilizojë sistemin institucional të Kosovës, rrezikon ta paralizojë atë; ndërpret mandatin e përfaqësimit parlamentar, krijon pasiguri juridike dhe e shtyn Kosovën drejt një krize të panevojshme politike. Në një republikë normale parlamentare, presidenti duhet të jetë faktor barazpeshe dhe pjekurie kushtetuese, jo fabrikë e tensioneve institucionale, si është sot sjellja e Vjosa Osmanit.
Kompetencat e institucioneve janë të kufizuara nga teksti i Kushtetutës. Pikë! Osmani nuk mund të krijojë kompetenca të reja përmes interpretimit politik e subjektiv të situatave.
Në rastin konkret, Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë tre rrethana kur Kuvendi mund të shpërndahet. Në momentin kur u shpall dekreti presidencial, këto kushte nuk ishin përmbushur. Procedura për zgjedhjen e presidentit ishte në zhvillim dhe nuk ishte arritur faza përfundimtare e dështimit të votimit, apo jo?
Në këtë kuptim, argumenti i artikuluar nga Kryeministri Albin Kurti, se shpërndarja e Kuvendit mund të ndodhë vetëm pas konsumimit të raundeve të votimit, përputhet me një interpretim strikt të normës kushtetuese.
Në këtë moment, institucioni kyç për zgjidhjen e krizës është Gjykata Kushtetuese. Në vendet demokratike, gjykatat kushtetuese janë arbitrat e fundit të rendit juridik. Vendimi i tyre mund të ketë tre pasoja të rëndësishme:
-Pezullimin e përkohshëm të dekretit, për të shmangur pasoja të pakthyeshme institucionale.
-Shpalljen e dekretit si jokushtetues, nëse konstatohet se kushtet për shpërndarje nuk janë përmbushur.
-Vendosjen e një precedenti të rëndësishëm kushtetues për kufijtë e kompetencave presidenciale në të ardhmen.
Nëse dekreti "osmanian" shpallet jokushtetues (unë pres një vendim të tillë), atëherë Kuvendi i bllokuar i Kosovës duhet të vazhdojë punën dhe procesi për zgjedhjen e presidentit duhet të vazhdojë sipas procedurës kushtetuese.
Afati 60-ditor është një mekanizëm kushtetues që synon të parandalojë bllokadat institucionale. Ky mekanizëm krijon një hapësirë politike për negociim, duke u dhënë partive kohë për të gjetur një kompromis. Vetëm nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit, atëherë aktivizohet automatikisht mekanizmi i shpërndarjes së Kuvendit. Në këtë kuptim, ky afat nuk është një justifikim për krizë, por një instrument për ta shmangur atë.
Roli problematik i mediave dhe gazetarisë në krizën "osmaniane"
Një nga aspektet më shqetësuese të kësaj situate, sipas meje, është mënyra se si një pjesë e madhe e mediave, në Prishtinë dhe Tiranë, po e trajtojnë krizën «osmaniane».
Në vend që të kemi një debat serioz, kemi një spektakël propagandistik, ku studio televizive janë shndërruar në arena për luftëra partiake, ekonomike e për interesa të huaja.
Shumë analistë dhe gazetarë nuk funksionojnë më si intelektualë kritikë, por si zëdhënës të partive politike dhe pronarëve të mediave. Argumentet juridike zëvendësohen nga slogane politike, ndërsa analiza kushtetuese zëvendësohet nga retorika emocionale.
Në këtë rast unë kritikoj gazetarët dhe intelektualët që po shndërrohen në instrumente të partive, klaneve dhe të propagandës, duke humbur funksionin e tyre kritik në shoqëri.
Në kontekstin shqiptar, niveli i gazetarisë dhe analistëve është alarmuese; një pjesë e madhe e mediave nuk funksionojnë si institucione të interesit publik, por si fabrika të interesave ekonomike, politike dhe shumëherë edhe gjeopolitike të huaja.
Kjo është veçanërisht problematike kur media e Prishtinës dhe Tiranës prodhon lajme dhe tregime që në mënyrë indirekte përputhen me propagandën që vjen nga Serbia kundër shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi.
Në vend që të forcojnë shtetin e Kosovës, këto debate televizive kontribuojnë në dobësimin e tij.
Dua të ritheksoj se një përgjegjësi e madhe bie mbi moderatorët dhe gazetarët; Gazetaria serioze kërkon distancë kritike nga politika, por në shumë studio televizive kjo distancë është zhdukur. Shpesh shohim intervista ku gazetarët nuk bëjnë pyetje kritike që do të ndihmonte publikun të kuptoj situatën politike, por thjesht riprodhojnë narrativat e Serbisë, partive politike ose të pronarëve të mediave. E kjo po krijon një krizë të dyfishtë; krizë të informacionit publik dhe krizë të besimit në media. Media shqipe ka humbur beueshmërinë tek publiku shqiptar, fatkeqësisht.
Mos të harrojmë se historia shqiptare është e mbushur me momente kur përçarja e brendshme ka dobësuar rezistencën kolektive; Në kohën e luftërave të Gjergj Kastrioti- Skënderbeu kundër Perandorisë Osmane, një nga episodet më të dhimbshme ishte tradhtia e Hamza Kastriotit, nipit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeu, i cili e tradhëtoj atë dhe ju bashkua forcave pushtuese osmane.
Unë e kam të qartë se historia nuk duhet përdorur për analogji të thjeshta politike, por ajo ngre pyetje të rëndësishme morale: A është e mençur që në momentet më të ndjeshme të shtetit të krijohen kriza institucionale? A është e përgjegjshme që Kosova të futet në paralizë politike kur rajoni dhe bota janë në një periudhë tensioni të lartë gjeopolitik?
Krejt në fund; Kosova ka nevojë për tri gjëra themelore; Respekt rigoroz të Kushtetutës, Institucione që veprojnë me maturi dhe përgjegjësi dhe media që shërbejnë interesin publik dhe jo interesat partiake, të Serbisë e të oligarkisë.
Sepse pa këto elemente, krizat institucionale rrezikojnë të shndërrohen në kriza të besimit publik. Dhe pa besim publik, asnjë republikë nuk mund të qëndrojë gjatë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".