Vetëm zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nga populli shmang pazaret e partive politike

Vetëm zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nga populli shmang pazaret e partive politike
Vetëm zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nga populli shmang pazaret e partive politike

Idriz Zeqiraj

  • 07 March 2026 - 07:50

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Nga zgjedhja në zgjedhje, është përmendur dhe është përsëritur se zgjedhjet e presidentit/e nuk duhet të bëhen praktikë pazaresh të pista kuvendore. Dhe, mund të ishin zgjidhur edhe më herët, pa pritur këto ditë të fundit. Republikë parlamentare apo presidenciale, zgjedhja e drejtpërdrejtë nga populli nuk ndryshon asgjë, kur kjo e provuan edhe disa shtete të tjera, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Vetëm zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit/e nga populli shmang pazaret e partive politike, përmes deputetëve të tyre.

 

-Normalisht, kur një mandat presidencial përfundon në mënyrën më të mirë të mundshme, pse nuk duhet t’u jepet shansi dhe mundësia për një mandat të dytë protagonistes së këtij suksesi?!

Presidentja aktuale i plotëson të gjitha kërkesat dhe kriteret për vazhdimin e mandatit të dytë. Ndërkohë, opozita që humbi me votë kërkon fitore në tavolinë, edhe pse nuk kanë vota as për ta arritur kuotën prej 30 firmave të deputetëve, sa kërkohen për garë për postin e presidentit.

Kërkesa për një president konsensual nuk është plotësuar nga asnjëra nga subjektet politike, të cilat pretenduan të kenë kandidatin e tyre për këtë post. Nëse edhe nesër nuk gjendet zgjidhje, pasnesër mund të ketë vendim për zgjedhje të re, të jashtëzakonshme.

Populli thotë: "Zëri i popullit, zëri i Zotit". Nëse, vërtet, dëgjohet ky disponim i opinionit, për Vjosa Osmanin si presidente, zgjidhja është e gatshme. Kjo preferencë vjen nga suksesi domethënës që Presidentja ka arritur gjatë mandatit të saj të parë.

Pa dyshim, vazhdimi i Vjosa Osmanit do të ishte zgjidhja më e mirë. Sepse, për pesë vjet radhazi, ajo nuk i përkiste asnjë subjekti politik, dhe përmbushi një nga kushtet bazë që kandidati të jetë jashtë angazhimit partiak. Megjithatë, kjo nuk është kusht i vendosur me Kushtetutë, andaj, ta "nxjerrësh nga xhepi" tani, është bajate, jo serioze dhe hiç relevante. Përjashto një rast unik, të porositur nga ndërkombëtarët, rastet e tjera kanë qenë presidentë krye politikë, pasi vinin nga struktura të partive të tyre.

Prandaj, nuk ekziston asnjë bazë ligjore apo morale që të pengojë zgjedhjen e përsëritur të Vjosa Osmanit në krye të Presidencës së Kosovës. E gjithë kjo zhurmë është e stisur dhe e shpikur, vetëm për interesa të pista të grupeve të inkriminuara.

Angazhimi i Shoqatës së OVL të UÇK-së, dhe përkatësisht i subjekteve politike PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN, për t’u përzier në punët e drejtësisë të Gjykatës Speciale në Hagë, duke e sakrifikuar dhe viktimizuar UÇK-në për t’u konvertuar dhe inkorporuar në një ndërmarrje kriminale të përbashkët (NPK), është turp për shqiptarët. Doris Pack, eurodeputete gjermane dhe mik i madh i shqiptarëve, deklaroi: "Më armiq janë ata që protestojnë, sesa ata që janë në burgun e Hagës!"

Kjo opozitë e çoroditur, që nuk i intereson as shteti dhe as e merakoset për dëmtimin e Atdheut, për qëllime të errëta, kërkon vetëm pushtet. Sipas mendjes së tyre të mykur, ata duan një president kukullë, për ta përdorur në forumet ndërkombëtare, ashtu siç u bë edhe me Edwin Ramën. Protestat paralajmërohen për "gjykim të drejtë", por në sheshin e Prishtinës dhe të Tiranës, i bëhen ultimatum Gjykatës së Hagës për lirimin e menjëhershëm të "çlirimtarëve"! Kjo, edhe pse kjo nuk ndihmon as ata në Hagë.

Rreshtimi i presidentes Vjosa Osmani në protestën me moton fallco "Drejtësi, jo politikë", në Prishtinë, nuk ishte në standardin e saj. Sepse burgu ka një derë, kurse varri jo! Prania e saj si kreu i shtetit në atë protestë, ishte lëndim i rëndë për mijëra familje të viktimave të ndërmarrjes kriminale të përbashkët (NPK). Prindër, motra, nuse dhe fëmijë të mbetur në zi, për ekzekutimin e të dashurve të tyre.

Me Shqipërinë tonë të Londinës, dhe me popullin shqiptar, duhet ta ruajmë dashurinë e dëlirë dhe vëllazërore. Por, me Edvin Ramën dhe "byroistët" e tij, duhet të mbajmë atë qëndrim që mban opozita shqiptare, e kryesuar nga Berisha, e përjashtuar dhe e përçmuar nga kryeministri aktual.

Kryeministri Rama, në të gjitha nismat e tij për Kosovën, ka qenë palë me Serbinë dhe me Vuçiqin, vëllain e tij më shumë se ideologjik. Ai është përçarësi i përhershëm i shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë; bashkëthemelues i "Open Balkan", me primat Serbinë; projektues i ndarjes së Kosovës, së bashku me Thaçin dhe Vuçiqin; dhe i përjashtuesi i Vjosa Osmanit dhe Kurtit në Shqipëri. Ai përdor presion ndërkombëtar kundër Kosovës, për ta bërë "Zajednicën", pavarësisht nëse Serbia i përmbush obligimet reciproke, dhe të tjera veprime të dëmshme.

Kosova dhe udhëheqësit e saj duhet të jenë shumë të kujdesshëm ndaj intrigave të krye "hoshtaplerit", mashtruesit Edvin Rama!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".