
Shtëpia e tmerrit
Automobili përfundimisht u prish. Jeff i ra burisë i zemëruar. Vetëm edhe kjo i duhej. T’i prishej automobili në mes të... kushedi ku, derisa binte shi sixhim. Kjo javë kishte qenë shumë e keqe për të. Gruaja e kishte lënë, duke ia marrë fëmijët me vete, e kishin dënuar në punë, kështu që i duhej të bënte shitje në terren. Ai vendosi që të priste në veturë, derisa të kalonte ndonjë veturë tjetër. Por, meqë rruga ishte lokale, mund të kalonin edhe orë të tëra derisa t’i kujtohej dikujt t’i binte andej. Për këtë shkak, ai vendosi të dilte e të ecte. Ashtu, nëpër shi. Pasi që eci nja gjysmë ore, ai pa një shtëpi të vjetër në mal. Shtëpia ta fuste tmerrin, prandaj Jeff në fillim hezitoi që t’i afrohej asaj, por kur pa se ishte bërë qull, ndryshoi mendjen.
Plaku misterioz
Edhe pse dukej sikur askush nuk jetonte aty (aq e demoluar ishte shtëpia), Jeff trokiti në derë dhe u befasua kur dera u hap menjëherë. Aty doli një plak në të ‘70- at, duke e pyetur çka donte. Jeff i tregoi, duke pyetur a kishte ndonjë telefon. Ishte koha para shpikjes së celularëve. Plaku i tha se nuk donte të bënte me tregtarët, por meqë Jeff i dukej i sinqertë, e la ta përdorte telefonin e tij. Plaku i tregoi se quhej Joseph Palmer dhe ia dha numrin e servisit më të afërt të automobilave. Kur telefonoi, ata i thanë se nuk mund të bënin asgjë deri të nesërmen, kur do të takoheshin kah mesdita. Plaku i ofroi Jeff-it dhomën e mysafirëve për ta kaluar natën. Jeff hezitoi ta kalonte natën në atë shtëpi (e cila më e tmerrshme dukej nga brenda, sesa nga jashtë), por mendoi se as fjetja në veturë nuk do të ishte shumë e sigurt. Kur hyri në dhomë, Jeff pa se të gjitha mobiliet ishin të vjetra, më të vjetra se 60 vjet, me siguri. Kur ishte duke e zënë gjumi, Jeff filloi të dëgjonte hapat e plakut. Herë ngjitej shkallëve, e herë zbriste poshtë. Hapat u ndalën para dhomës së tij. Jeff priti gjysmë ore, por nuk dëgjoi më asgjë, me përjashtim të shiut që binte jashtë. Jeff ishte i lodhur, prandaj e zuri gjumi.
Mëngjesi i bukur, apo...
Jeff u zgjua të nesërmen i pushuar. Pa se ora ishte 11:20, prandaj i duhej të ngutej që të shkonte te vetura, për t’u takuar me mjeshtrit. Papritmas, plaku i doli përpara dhe, dorën në zemër, e frikësoi. Ai e pyeti Jeff-in si kishte fjetur. - Mirë, mirë! Faleminderit!, i tha ai pasi e mori veten. - A u frikësove të flije në këtë shtëpi të vjetër, në mes të malit?, e pyeti plaku duke pritur me padurim përgjigjen e tij. Jeff buzëqeshi dhe u skuq. Ai pranoi se ishte frikësuar, por tani i dukej e marrë frika e tij. Pa arsye. Pasi që u përshëndet me plakun, u nis për të dalë, kur diçka e fortë e goditi prapa koke dhe çdo gjë iu errësua...
Kur erdhi në vete, pa se gjendej i lidhur për karrige, në bodrum. Para tij qëndronte plaku, me thikë në dorë. Jeff u mundua të zgjidhej, por ë-ë. - Pse, zotëri?! Pse ma bëni këtë? Dhe, pse tani?!, e pyeti Jeff-i, duke iu dridhur zëri. - Sepse po të të sulmoja mbrëmë, ti do të ishe i përgatitur për t’u mbrojtur, sepse ju njerëzit jeni të marrë dhe mendoni se vetëm natën ndodhin sulmet e këtilla. Jeff filloi të qante. Plaku i afrohej dhe ai pa se sytë e tij ishin të kuq, të kuq dhe të ligë... Nuk mundi të mos bërtiste më. - Aaaaaaaaaaaaa! Dikush e shkundte nga supi i djathtë. U kthye dhe pa të birin. E tëra kishte qenë vetëm një ëndërr e keqe.
(Kosova Sot Online)