Vendet më të tmerrshme në fytyrë të tokës (2)

  • 21 June 2019 - 17:13
Vendet më të tmerrshme në fytyrë të tokës (2)

Spitali psikiatrik “Byberry”

Historia: Spitali shtetëror i Filadelfias në Bajberi (Byberry), apo i njohur vetëm me emrin “Byberry”, ishte bërë simbol i keqtrajtimit të pacientëve. Shumë shpejt aty ishte tejkaluar numri i pacientëve, duke mbërritur në 7,000 pacientë në vitin 1960. Për shkak të kushteve çnjerëzore, spitali u mbyll në vitin 1990.

Tmerri: Në këtë rast, tmerri nuk ka të bëjë me ndonjë fantazmë, por me vetë kushtet dhe rrethanat në të cilat ishin mbajtur pacientët. Gjithandej korridoreve shiheshin jashtëqitje, ku mbi to flinin shumë pacientë. Stafi mjekësor abuzonte në të gjitha mënyrat me pacientët, kurse vetë pacientët midis veti vriteshin e copëtoheshin thuajse çdo ditë. Për këtë shkak, banorët lokalë kërkuan që ish-ndërtesa e spitalit të rrafshohej me tokë, gjë që edhe u bë në vitin 2006.

Kështjella “Leap”

Historia: Kjo kështjellë irlandeze është goxha e njohur. Edhe pse u ndërtua nga familja O’Bannon në shekullin XV, ajo u mor më pas nga familja O’Carroll, me çka filloi një rivalitet i madh midis tyre. Njëri ndër vëllezërit, i cili ishte prift, u vra mizorisht në dhomën e tij të lutjeve, e cila tani quhet Dhoma e përgjakshme. Në këtë kështjellë janë mbajtur të burgosur dhe janë ekzekutuar shumë njerëz.

Tmerri: Thuhet se kjo kështjellë është e pushtuar nga shumë shpirtra, duke përfshirë edhe një fantazmë tepër të dhunshme, të quajtur Elemental. Prania e tij hetohet nga era e mishit të prishur dhe sulfurit.

Rruga “Hijet e Vdekjes”

Historia: Kjo rrugë në Nju-Xhersi kalon nëpër një ambient të frikshëm rural. Rreth emrit të kësaj rruge, ka shumë teori. Disa thonë se në këtë rrugë plaçkiteshin dhe vriteshin kalimtarët, të tjerët thonë se emri ka të bëjë me tri vrasjet që ndodhën këtu gjatë viteve 1920 dhe 1930, apo edhe me ndeshjet e shpeshta të trafikut.

Tmerri: Afër kësaj rruge, e cila të rrëqethë me vetë emrin e saj, gjendet një liqen, i cili quhet Liqeni i fantazmave. Aty shpesh shihen avujt me forma njerëzore dhe qielli mbi të është tepër i ndritshëm pa marrë parasysh a është ditë, apo natë.

Minierat e Parisit

Historia: Rrjeti i tuneleve që duken se nuk marrin fund kurrë, e që shtrihen nën rrugët e Parisit. Këto tunele, nga ku dikur nxirreshin xehe, janë të vjetërsisë së ndryshme dhe hyrja aty është rreptësisht e ndaluar tani.

Tmerri: Këto tunele tani nuk mirëmbahen nga askush, prandaj nuk janë të sigurta. Legjenda thotë se aty gjenden kulte dhe krijesa antike. Thuhet edhe se aty mund të jetë porta e ferrit. Tunelet shtrihen për rreth 600 km nëpër tërë pjesët e Parisit, ku për pjesën më të madhe të tyre nuk ka kurrfarë harte. Është e tepërt të thuhet se të humbësh këtu është shumë lehtë. Në tunele gjenden skelete të shumta, si dhe disa vizatime të çuditshme në mure. Për shkak të rrjetit të gjerë të tuneleve, është e kotë të bërtasësh për ndihmë, meqë zëri shpërndahet gjithandej dhe askush nuk të dëgjon. (FUND)

(Kosova Sot Online)