Njeriu-ujk i Londrës

  • 19 July 2019 - 19:51
Njeriu-ujk i Londrës

Arsyeja e vetme pse tregimet rreth njerëzve-ujq nuk duken të besueshme, është se ato tentojnë të jenë tepër të vjetra. Por, çka thoni për një rast të njeriut-ujk të vitit 1983, madje në Londër?

E kemi fjalën për britanikun e quajtur Bill Ramsey, i cili kur ishte nëntë vjeçar, ishte i pushtuar nga djajtë, e më pas edhe në moshë të rritur, transmeton Kosova Sot Online.

Ishte një fëmijë me imagjinatë të zhvilluar dhe luante me orë të tëra prapa shtëpisë së tij, në Londër. Atij i pëlqente roli i heroit që shpëtonte njerëzit nga përbindëshat e ndryshëm. Gjatë një fundjave me diell, derisa shkonte në shtëpi nga kinemaja, filloi të mendonte rreth ushtarëve të Forcës ajrore, që luftonin kundër avionëve gjermanë. Pasi që luajti për një orë, ai filloi që ta ndjente një ndjenjë të të ftohtit, e cila ia përshkoi tërë trupin. Më pas, çdo gjë u duk se ishte normale, por megjithatë paksa ndryshe. 

Shndërrimi i parë

Tani të gjitha lojërat që i bënte deri tani, i dukeshin tepër fëmijërore. Njerëzit filluan të frikësoheshin nga ai. Temperatura filloi t’i binte sërish. Në mendje iu paraqitën pamjet e veta, si njeri-ujk. Arriti në shtëpi dhe e rrëzoi rrethojën me dhëmbë dhe kthetra, sikur të ishte një ujk i vërtetë. Prindërit e tij u frikësuan dhe hynë brenda. Më pas, zemërimi erdhi duke iu larguar dhe ai sërish u bë një djalë 9 vjeçar i rëndomtë. Prindërit e futën brenda dhe askush më nuk foli për këtë ngjarje, e cila me kalimin e kohës erdhi duke u harruar.

Shndërrimi i dytë, apo pushtimi nga djajtë?

Billi iu kthye jetës normale, u martua dhe pati një vajzë. Punonte si zdrukthëtar. Por, një natë fatkeqe, më 5 dhjetor të vitit 1983, Billi ishte duke shkuar në kompani, kur ndjeu një dhembje të fortë në gjoks. I tërë trupi iu mbulua me djersë të ftohtë. Mezi arriti në spitalin më të afërt, ku dy infermiere e qitën në karrocë dhe filluan ta futnin korridoreve, për te dhoma e emergjencës. Por, pas disa minutash, ai ulëriu dy herë dhe pa se infermieret u larguan nga ai me frikë. Bill arriti që ta kafshonte një infermiere në dorë. Më pas erdhi një polic, punëtori i sigurimit dhe disa të tjerë, të cilët mezi e lidhën Billin, duke e shpëtuar infermieren e gjorë. Billit i erdhi vetëdija derisa gjendej në një autoambulancë, e cila e çonte për në psikiatri. Nuk i kujtohej asgjë që kishte ndodhur.

Kishte shumë dyshime se Bill ishte i pushtuar nga djajtë, kështu që lindi ideja e ekzorcizmit. Peshkopi Robert Mckenna u caktua për ta bërë këtë ekzorcizëm. Derisa prifti thoshte lutjet, Bill hetonte sesi trupi i bëhej i dobët dhe i ngrohët. Pasi që ulëriu disa herë, i ra të fikët. Demoni kishte dalë nga trupi i tij.

I sëmurë, apo i pushtuar nga djajtë?

Edhe pse, sipas psikiatrisë, u tha se Bill vuante nga demonopatia (gjendje ku personi është i bindur se është i pushtuar nga djajtë) dhe likantropia klinike (një çrregullim psikiatrik ku viktima mendon se ndonjëherë shndërrohet në njeri-ujk), fakti se atij i kishte ndodhur një gjë e tillë edhe gjatë fëmijërisë, flet më shumë në favor të teorive paranormale. 

(Kosova Sot Online)