Qyteza e pushtuar nga shpirtat (2)

  • 16 August 2019 - 16:04
Qyteza e pushtuar nga shpirtat (2)

Rasti i familjes së Shirley Hitchings-it

Paqja në Batersi nuk zgjati shumë. Ajo mbaroi pasi që 15 vjeçja Shirley Hitchings, bashkë me familjen e saj, u vendosën në shtëpinë në rrugën “Wycliffe Road” numër 63. Më pak se një kilometër nga shtëpia famëkeqe në rrugën “Eland”. E tëra filloi një natë të vitit 1956, kur Shirley-n e kapi gjumi shumë shpejt. Në mes të natës, shtrati i saj papritmas mori flakë. Shirley u zgjua me kohë, duke ia dalë që t’i shpëtonte zjarrit misterioz.

Familja kërkoi shkaqet e zjarrit, por nuk gjetën asgjë. I zoti i shtëpisë u sigurua që të gjitha shkrepëset t’i nxirrte jashtë shtëpie. Pas disa ditësh, ata filluan të dëgjonin zëra të çuditshëm rreth shtëpisë. Familja Hitchings shumë shpejt u ballafaqua me trokitje misterioze, me zhurma të hapave dhe me zjarre gjithandej shtëpisë. Hitchings-ët përpiqeshin ta bënin një jetë normale, por lajmi rreth ndodhive në shtëpinë e tyre mori dhenë. Sidomos kur ngjarjet e pashpjegueshme të rrugës “Eland” ende ishin të freskëta në mendjen e shumë banorëve. Aktiviteti poltergeist filloi që ta përcillte Shirley-n edhe në vendin e saj të punës, duke shkaktuar kaos.

Nga zërat, te prekjet

Nuk vonoi shumë dhe zërat misteriozë filluan të shoqëroheshin nga prekjet misterioze, tërheqjet e çarçafëve dhe nga ngritja pezull e Shirley-t derisa ishte në shtrat. Në shtëpinë e tyre shumë shpejt shkoi një studiues paranormal. Spiritualisti Harry Hanks arriti në shtëpi dhe shumë shpejt organizoi një seancë, me qëllim që ta largonte aktivitetin poltergeist. U tha se seanca ishte e suksesshme, meqë më nuk pati zjarre dhe zhurmë të hapave. Vazhduan të mbërrinin vetëm letrat misterioze. Njëra nga këto letra thuhet se kishte ardhur nga Louis Capet, i cili ishte i biri i dytë i mbretit Louis XVI dhe i Marie Antoinette-s. Pjesa tjetër e letrave ishin të nënshkruara thjesht si “Donald” ose “Willie i Frikshëm”.

Hanks konstatoi se Shirley kishte zhvilluar një raport jo të natyrshëm me përndjekësin e saj. Shirley filloi të komunikonte rregullisht me Donaldin. Kjo i shtyri shumë studiues të thoshin se Donald e kishte pushtuar vajzën dhe e kishte bërë atë që t’i dërgonte letrat. Kur u analizua shkrimi në ato letra, me shkrimin e Shirley-t dhe pasi që u gjetën ngjashmëri, filluan akuza të shumta në drejtim të vajzës. Edhe pse aktiviteti poltergeist më pas u ndal, letrat vazhdonin të vinin. Të gjithë ishin të bindur se këtë e bënte Shirley, e pushtuar nga shpirti me emrin Donald.

Fundi, apo vetëm një pauzë?

Por, pas një kohe, letrat u ndalën dhe bizariteti edhe një herë u largua nga kjo qytezë në periferi të Londrës. As sot e kësaj dite askush nuk di t’i shpjegojë incidentet paranormale të cilat kanë ndodhur në shtëpitë në rrugët “Eland” dhe “Wycliffe Road”. Ka të tillë që mendojnë se aktiviteti poltergeist ka rënë në një gjendje gjumi, sikur që kishte bërë më parë midis viteve 1927 deri në vitin 1956. Athua, kur do të zgjohet ai?

(Kosova Sot Online)