Historia 12.000-vjeçare e svastikës

  • 21 gusht 2019 - 15:04
Historia 12.000-vjeçare e svastikës

Sapo të përmendet svastika, apo kryqi i thyer, menjëherë na shkon mendja te tmerret e shkaktuara nga nazizmi i Hitlerit. Por, ai nuk ishte i pari që e përdori këtë simbol

Svastika, apo kryqi i thyer, është përdorur si simbol i fuqishëm për mijëra vjet me radhë. Për hindusët dhe budistët në Indi, por edhe në vendet e tjera aziatike, svastika ishte dhe vazhdon të mbetet simbol i rëndësishëm, që mund të shihet në tempuj, autobusë, taksi dhe ballina të librave. Ky simbol ishte i pranishëm edhe në Greqinë antike dhe është gjetur në gërmadhat e Trojës, qytet që ka ekzistuar 4000 vjet më parë. Svastika ishte e pranishme edhe te druidët dhe keltët, sikur që përdorej edhe nga popujt nordikë. Kalorësit teutonikë, një urdhër mesjetar ushtarak gjerman, i cili u bë më pas një urdhër katolik, po ashtu e përdorte këtë simbol. Por, pse ky simbol është i rëndësishëm, dhe pse Hitleri vendosi ta përdorte atë?

Domethënia e fjalës “svastika”

Fjala “svastika”  në sanskrite (‘svasktika’) dmth “ai është”, “mirëqenie”, “ekzistencë e mirë”, apo “fat i mirë”. Ky simbol ka edhe emra të tjerë: ‘Uan’ në Kinë; ‘Manxhi’ në Japoni; ‘Fylfot’ në Angli; ‘Hakenkreuz’ në Gjermani dhe ‘Tetraskelion’ ose ‘Tetragammadion’ në Greqi.

Një shkencëtar sanskrit P. R. Sarkar, në vitin 1979 tha se domethënia më e thellë e këtij simboli është “Fitore e vazhdueshme”. Ai po ashtu tha se, si çdo simbol tjetër, edhe ky simbol mund të ketë kuptim pozitiv, apo negativ, varësisht sesi vizatohet.

Svastika më e vjetër që është gjetur ndonjëherë, është zbuluar në Mezine, Ukrainë, e gdhendur në një figurë të fildishtë, e cila është plot 12,000 vjet e vjetër. Kultura më e vjetër që dihet se e ka përdorë këtë simbol, ishte një kulturë neolitike në Evropën jugore, e quajtur kultura e Vinçës, e cila është rreth 8000 vjet e vjetër.

 

Te budistët, indianët e Amerikës, te grekët e lashtë...

Te budizmi, svastika është simbol i fatit të mirë, prosperitetit, bollëkut dhe përjetësisë. Ajo është e lidhur direkt me Budën dhe mund të gjendet në këmbët, apo zemrën e tij. Thuhet se svastika përmban mendjen e Budës.

Në muret e katakombeve të krishtera në Romë, svastika gjendet e shoqëruar me fjalët “Zotiko, Zotiko” gjë që dmth “Jeta e jetës”.

Në mitet nordike, Odin paraqitet duke udhëtuar në gjithësi, derisa svastika përfshin të gjithë planetët. Në Amerikën veriore svastika përdorej nga fisi Navajo. Në Greqinë antike, Pitagora e përdorte svastikën me emrin ‘Tetraktys’ dhe ajo ishte simboli që e lidhte qiellin me tokën. Svastika përdorej edhe nga fenikasit si simbol i diellit. Është interesant sesi një simbol i jetës dhe përjetësisë, pas përdorimit nga nazistët, u bë simbol i urrejtjes dhe vdekjes.

(Kosova Sot Online)