Pushtimi nga djajtë dhe praktikat antike të ekzorcizmit

  • 23 August 2019 - 16:35
Pushtimi nga djajtë dhe praktikat antike të ekzorcizmit

“Pushtimet nga djajtë janë në rritje e sipër, si pasojë e njerëzve që jepen pas okultizmit”, deklaroi at Francesco Bamonte, president i Shoqatës ndërkombëtare të ekzorcistëve.

Pushtimi nga djajtë thuhet të manifestohet kur njerëzit fillojnë të flasin në gjuhë të panjohura për ta, të dridhen dhe të vjellin thonj, pjesë të metalta dhe copëza të qelqit.

Ekzorcizmi te religjionet e ndryshme

Por, Kisha katolike nuk është institucioni i vetëm religjioz që bën rite për ta pastruar dikë nga pushtimi i djajve. Çdo religjion dhe traditë kulturore në botë flet për pushtimin nga djajtë (shpirtrat) dhe për një nevojë të njëfarë ekzorcizmi. Kjo traditë është e vjetër me mijëra vjet.

Në Mesopotaminë antike, besohej se të gjitha format e sëmundjeve shkaktoheshin nga shpirtrat e fuqishëm, të cilët hynin në trupin e njeriut, duke u lidhur me të. Shkrimet asiriane flasin për yshtjet dhe lutjet drejtuar zotave, si dhe për sfidat direkte drejtuar kah djajtë. Babilonasit e vjetër, respektivisht priftërinjtë e tyre, bënin rituale duke shkatërruar imazhin e demonit, të bërë nga dylli, apo plastelina.

Në regjionin hinduse, tekstet antike, të njohura me emrin vedat, të cilat ishin kompozuar rreth vitit 1000 para erës së re, iu referohen qenieve të këqija të cilat përzihen në punën e zotave hindusë dhe duke dëmtuar gjallesat.

Rrëfimet nga Persia antike, të cilat datojnë përafërsisht nga viti 600 para erës së re, ofrojnë dëshmi rreth ekzorcizmit me anë të lutjeve, ritualeve dhe ujit të shenjtë nga lideri religjioz Zoroaster, i cili konsiderohet magjistari i parë dhe i cili e themeloi religjionin Zoroastrianizëm.

Në botën e krishtere  ka shumë referenca që thonë se Krishti kishte bërë ekzorcizëm, kurse edhe dishepujt e tij e kishin aftësinë e dëbimit të shpirtrave të këqij.

Edhe në botën islame pranohet fakti se njeriu mund të pushtohet nga djajtë. Ekzorcizmi këtu praktikohet nga klerikë (imamët).

Mesjeta

Mesjeta ( nga viti 500 – 1500 të erës së re) përjetoi një ringjallje të besëtytnive antike dhe sëmundjet mendore, te të krishterët, konsideroheshin si pasojë e pushtimit nga djajtë. Në botën islame mbretëronte një qasje më empirike, ku aty lindën e u themeluan edhe spitalet e para psikiatrike. Por, më vonë, dituria ia lëshoi rrugën injorancës.

Përgjatë shekujve, ritet e ekzorcizmit kanë përfshirë përdorimin e lutjeve, urdhrave, ujit të shenjtë, kripës, trëndafilave, etj. Por, shumë shkencëtarë thonë se i ashtuquajturi “pushtimi nga djajtë” është thjesht një formë e sëmundjes mendore, sikur që është histeria, mania, psikozat, sindroma Tourette, skizofrenia, apo çrregullimi i personalitetit. Për skeptikët, shenjat e pushtimit nga djajtë largohen si rezultat i sugjestionit, efektit placebo, etj.

(Kosova Sot Online)