Ish-shkencëtari: NASA ka gjetur jetë në Mars në vitet e 70-a

  • 15 October 2019 - 15:40
Ish-shkencëtari: NASA ka gjetur jetë në Mars në vitet e 70-a

Sipas një ish-shkencëtari të NASA-s, ne mund ta kemi zbuluar thelbin e jetës në planetin Mars qysh para dyzet vjetësh.

Gilbert V. Levin, i cili ishte hulumtues gjatë eksperimentit të NASA-s për dërgimin e sondave në Mars në vitin 1976, e publikoi një artikull në revistën “Scientific American”, në të cilin thotë se rezultatet pozitive të eksperimentit ishin dëshmi e ekzistimit të jetës në “planetin e kuq”.

Eksperimenti i quajtur “Lëshimi i etiketuar” ishte realizuar me qëllim të hulumtimit të sipërfaqes së këtij planeti për praninë e mundshme të materieve organike. “Dukej sikur e kemi gjetur përgjigjen për pyetjen përfundimtare”, shkroi Levin në artikullin e tij.

Në këtë eksperiment, me sonda ishte vendosur materie ushqyese në mostrat e dheut të Marsit. Nëse aty do të kishte jetë, kjo materie do të zbërthehej dhe do të linte pas vetes gjurmë në formë të gaztë, të cilat do të vëreheshin nga pajisjet për vërtetimin e radioaktivitetit. Sipas këtij veterani të shkencës, një gjë e tillë kishte ndodhur.

“NASA e kishte gjetur një substancë që i ngjante substancës që dëshmon praninë e jetës, por jo saktësisht atë”, shtoi shkencëtari i pensionuar, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)