Misteret e Long Ajlendit

  • 04 nëntor 2019 - 15:00
Misteret e Long Ajlendit

Në këtë ishull të shtetit amerikan të Nju-Jorkut ekzistojnë disa legjenda shumë shqetësuese 

Çdo legjendë, qoftë edhe ajo që duket më e pamundur, ka një pjesë të vogël, të vërtetë, në veten e saj. Por, në rastin e legjendës së Long Ajlendit të njohur me emrin “Hatchet Mary”, duket se kemi të bëjmë me një legjendë tërësisht urbane. 
Legjenda thotë se, në vitin 1978, një femër e re mbyti prindërit e saj me një sakicë të vogël, e më pas e kishte vrarë edhe veten e saj. Shpirti i saj tani endet në malet anës rrugëve gjatë natës, në rrugën “Sweet Hollow”, si një zonjë e veshur në të bardha. Një variant tjetër thotë se femra e re ishte pranuar në një spital psikiatrik, pasi që i kishte vrarë prindërit.
Në fakt, rrugët “Sweet Hollow” dhe “Mount Misery” konsiderohen vende tepër të pushtuara nga fantazmat në Long Ajlend. Aty janë raportuar edhe pamje të UFO-ve, janë parë hije duke lëvizur, si dhe çudira të tjera, të cilat lidhen me regjionet “portale” apo e vendet me aktivitet të shumtë paranormal në një zonë gjeografike. 

Legjenda tjetër  

Një legjendë tjetër e këtij regjioni njihet me emrin “Mount Misery”, një shprehje lokale për një spital të mbyllur psikiatrik, të quajtur Spitali psikiatrik “Kings Park”. Njerëzit besojnë se kjo zonë është e pushtuar nga shpirtrat e ish-pacientëve. Disa nga këto legjenda janë tepër të detajuara dhe shqetësuese, sikur kjo në vijim.
Nëse ju ndal ndonjë polic, atëherë shikojani pjesën e pasme të kokës. Nëse nuk ka kafkë aty, atëherë dijeni se keni takuar një shpirt të spitalit psikiatrik. Nëse e shihni një njeri duke ecur rrugës në shi, por kur ta ndalni veturën për ta marrë, ai nuk është më aty, atëherë mos u shqetësoni fort, por ai mund të ketë qenë një fantazmë. Disa dëshmitarë kanë raportuar ta kenë parë një njeri me pamje të çrregullt, duke ecur me një shportë kokash, me gjasë të njerëzve që janë zhdukur në regjion.

Legjenda thotë se aty dikur ishte një spital psikiatrik dhe një paciente ndezi një zjarr në dhomën e saj, duke vrarë veten dhe duke e shkatërruar spitalin. Dhjetë vjet më vonë spitali u rindërtua, por vetëm pak muaj më pas shpërtheu një zjarr tjetër. Duke u frikësuar nga përsëritja e ngjarjeve të tilla, qyteti vendosi që të mos e rindërtonte më atë spital, por ta përdorte atë truall për të ndërtuar shtëpi. Edhe sot e kësaj dite mund të shihen disa shtëpi, të vendosura thellë në male, por ato janë të pakta.

Legjenda thotë se, nëse e gjeni rrugën e duhur, e cila të çon aty ku gjendej spitali psikiatrik, atëherë do të shihni fantazma në flakë, duke vrapuar dhe duke bërtitur. Një pjesë tjetër e legjendës thotë se rruga “Mount Misery” është e pushtuar nga shpirti i pacientes, e cila e shkaktoi zjarrin. Ajo është parë me rroba të spitalit dhe me flokë të bardhë. Disa thonë se ajo vallëzon përgjatë rrugës. 

Liqeni 

Liqeni Ronkonkoma njihet nga banorët vendorë si vend për pelegrinazh dhe shërim. Ai po ashtu është pjesë e legjendës rreth tuneleve nëntokësore, dritave të çuditshme, vorbullave dhe rreth një tregimi për një grua e cila kishte lidhur gurë rreth këmbëve të saj dhe, për shkak të dashurisë së njëanshme, kishte mbytur veten në liqen. Thuhet se çdo vit ajo merr nga një notues, mashkull, duke e mbytur në ujë. 

(Kosova Sot Online)