NASA synon të marrë gurë nga Marsi për t’ua studiuar përbërjen

  • 24 November 2019 - 13:41
NASA synon të marrë gurë nga Marsi për t’ua studiuar përbërjen

Astronautët janë duke planifikuar që të marrin gurë nga planeti Mars dhe t’i sjellin në Tokë. Ky po vlerësohet si njëri ndër projektet më të ndërlikuara që pritet të zbatohen. Skema e hartuar nga NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës do t’i përfshijë disa robotë që gjejnë dhe marrin gurë, të cilët mund të përmbajnë dëshmi për ekzistimin e jetës në të kaluarën.

Mostrat do të dërgohen në hapësirë, do të kapen nga një sondë pa njerëz dhe do të hidhen me parashutë në shkretëtirë në Utah të Shteteve të Bashkuara. Në këtë projekt pritet të merret një sasi prej gjysmë kilogrami gurë e dhe nga Marsi, ndërsa kjo sasi më pas do të ndahet në disa pjesë për t’u studiuar nga hulumtuesit anembanë botës. 

NASA së fundi e ka dhënë miratimin për këtë projekt, i cili do të kushtojë miliarda dollarë, ndërsa ministrat evropianë do të takohen në Sevijë të Spanjës këtë javë për të vendosur nëse do ta përkrahin këtë plan apo jo.

“Projekti për Marsin është pjesë thelbësore e programit tonë për kërkimet e së ardhshme dhe shpresoj shumë që ministrat evropianë të shkencës do ta përkrahin atë”, tha Jan Wörner, drejtor gjeneral i Agjencisë Evropiane të Hapësirës. “megjithatë, ne duhet të jemi të qartë se secili hap i këtij misioni do të jetë shumë sfidues”, shtoi ai.

Shkencëtarët janë shumë të interesuar që ta studiojnë përbërjen e gurëve të Marsit, sepse kushtet në “planetin e kuq” miliarda vjet më parë ishin të ngjashme me kushtet në Tokë. Marsi në atë periudhë kishte atmosferë të dendur dhe ujë rrjedhës nëpër sipërfaqe, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)