Martin Pistorius ishte i zënë kurth në trupin e tij të pajetë

  • 27 November 2019 - 14:51
Martin Pistorius ishte i zënë kurth në trupin e tij të pajetë

 Një i ri ka zbuluar ankthin e vërtetë - të zgjimit nga koma, por pa pasur mundësi t'i tregonte kujt. Martin Pistorius kishte rënë në komë në moshën 12-vjeçare dhe nuk mund të lëvizte, të komunikonte, apo të bënte ndonjë gjë. Dhe, që tmerri të ishte më i madh, pasi që u zgjua nga koma (u kthjell), ai konstatoi se nuk ishte në gjendje t'iu tregonte të tjerëve se tani mund të shihte dhe dëgjonte gjithçka. Diagnoza e rëndë Ky i ri nga Afrika e jugut ishte diagnostikuar me një formë paralizuese të meningjitit në fund të viteve 1980 dhe, si pasojë e kësaj, nuk kishte mundur të lëvizte, të fliste, apo edhe të vinte kontakt me sy. Prindërit e tij, Rodney dhe Joan Pistorius, duhej të bënin gjithçka për të - duke filluar nga pastrimi dhe ushqimi, e deri te rrotullimi i tij në shtrat, në mënyrë që të mos i bëhej trupi varrë.

Për më keq, atyre iu kishin thënë mjekët se djali do të vdiste shumë shpejt. Por, me kalimin e ditëve, jeta për të gjithë anëtarët e familjes ishte bërë aq e vështirë, saqë e ëma, Joan, një ditë, nga zemra e plastë, i kishte thënë të birit: "Ishalla vdes". I vetëdijshëm, por pa vetëdije Por, që nga mosha 14 apo 15- vjeçare, Martin, i cili tani i ka 39 vjet, ishte i vetëdijshëm, edhe pse i palëvizshëm. Ja se çka deklaron ai tani: "Unë isha i vetëdijshëm, jo që nga fillimi, por pas rreth dy vitesh pasi që mbeta i palëvizshëm. Isha i vetëdijshëm për gjithçka, sikur çdo person tjetër normal. Të tjerët tanimë ishin mësuar me gjendjen time komatoze, kështu që as që vërejtën kur dola nga koma. Realiteti i tillë, i hidhur, më goditi shumë, tej mase, meqë mendoja se tërë jetën do ta kaloja ashtu, pa pasur mundësi të komunikoja me të tjerët". Të menduarit, mundësia e vetme Martin tregon se e tëra që mund të bënte përgjatë atyre viteve ishte të mendonte, por me kalimin e kohës mendimet sa vinin e bëheshin më të zymta, më pesimiste.

Për këtë shkak, ai vendosi që t'i bllokonte mendimet, apo thënë ndryshe, të mos mendonte fare. Ja si e shpjegon ai këtë: "Ti thjesht ekziston. Kjo është një gjendje shumë e vështirë, meqë, në njëfarë mënyre, e sheh veten duke u zhdukur dalëngadalë". Rikthimi Truri i Martinit filloi të funksiononte në tërësi në moshën 24- vjeçare. Storja e tij është treguar gjerë e gjatë në "NPR.org" në një program të quajtur "Invisibilia". Lëvizjet e tij të para dhe mendimet e thella janë regjistruar në këtë program, i cili i dedikohet sjelljes njerëzore. Martin tani ka botuar edhe një libër me titullin "Ghost Boy: My Escape From a Life Locked Inside My Own Body" ("Djali fantazmë: Ikja ime nga një jetë e ngujuar në vetë trupin tim").


(Kosova Sot Online)