Vrasjet që u ndriçuan nga personat me aftësi të jashtëzakonshme

  • 03 December 2019 - 14:56
Vrasjet që u ndriçuan nga personat me aftësi të jashtëzakonshme

Katër të vrarë në qarkun Oneida

Bëhet fjalë për një rast të tmerrshëm të krimit të organizuar, ku policia nuk e kishte as më të voglën ide se kush mund të ishte fajtori. Kur ishte e qartë se puna e policisë ishte duke pësuar fiasko, në skenë doli Phil Jordan. Ai ofroi të paktën dhjetë fakte të rëndësishme, të cilat ishin shumë të dobishme për punën hetuese të policisë. Në këtë rast, katër njerëz të pafajshëm ishin rrëmbyer, iu ishin lidhur duart dhe këmbët, derisa goja iu ishte mbyllur me shirit ngjitës. Më pas, që të gjithë ata ishin vrarë me një të shtënë në kokë. Falë ndihmës së Phil Jordan-it, kryesit e krimit u zunë dhe u dënuan. Tani ata janë duke mbajtur dënimin me nga 100 vjet burg secili. 

Rasti Andre Daigle

Derisa një djalë i ri ishte në një kafene, duke pirë birrë dhe duke luajtur bilardo me një shok të tij, atij i afrohet një femër e re, e cila i kërkon që ta dërgojë në shtëpi. Djali pranon dhe i thotë shokut të tij që të shkonte, të mos e priste atë. Katër ditë më vonë, meqë ai nuk kishte shkuar në shtëpi, familja e tij e paraqiti rastin në polici. Edhe pse ndokush do të mund të mendonte se djali duhej të kishte shkuar ndokund, që të argëtohej me atë femrën e re, kjo nuk përshtatej me natyrën e Andre Daigle-s. Ai ishte një i ri i përgjegjshëm. Meqë policia u tregua jo e interesuar në këtë rast, motra e të riut, e cila jetonte në SHBA, e mori një hartë të vendit ku jetonte vëllai dhe një fotografi të tij dhe shkoi te një grua me aftësi të veçanta, që quhej Rosemarie Kerr. Rosemarie Kerr me këtë rast përshkroi njërin nga njerëzit fajtorë dhe tregoi se ku gjendej kufoma e Andre-së. Vëllai i viktimës një ditë pa veturën e Andre-së tani të ndjerë dhe, pasi që shikoi, pa një njeri mu ashtu si e kishte përshkruar Rosemarie. Policia i zuri dy njerëzit që ishin në veturë, të cilët pranuan se e kishin vrarë Andre-në, duke e përdorë femrën e re si karrem. 

Edith "Google" Kiecorius

Nuk ka shumë gjëra që janë më të tmerrshme, sesa humbja e fëmijës. Kur Edith "Google" Kiecorius u rrëmbye në vitin 1961, policia e Bruklinit kishte punuar pa ndërprerje për të gjetur çdo dëshmi të mundshme për gjetjen e këtij fëmije 4 vjeçar. Duke dashur të ndihmonte, zëvendëspresidenti i kompanisë ajrore K.L.M. kërkoi ndihmë nga Gerard Croiset, nga Utrehti i Holandës. Croiset u pajtua që të ndihmonte, por refuzoi që të shkonte në Nju-Jork. Ai kërkoi vetëm një foto të vajzës së humbur, Edith dhe një hartë. Ai menjëherë filloi të tregonte se ku gjendej vajza dhe ta përshkruante rrëmbyesin e saj. Të dielën tjetër, Vogels nga K.L.M. shkoi në Amsterdam për t'u takuar me Croiset-in. Ai me vete kishte marrë edhe disa rroba të Edith-it. Croiset filloi të shihte ca gjëra shqetësuese dhe tregoi se vajza e rrëmbyer, për fat të keq, kishte vdekur. Zyrtari i kompanisë ajrore njoftoi policinë e Nju Jorkut, e cila, në bazë të përshkrimeve, gjeti kufomën e Edithit dhe vrasësin e saj. 

(Kosova Sot Online)