Një rast i frikshëm i poltergeistit

  • 17 January 2020 - 16:08
Një rast i frikshëm i poltergeistit

Nga gjermanishtja për "fantazmën e zhurmshme", poltergeist i referohet një fenomeni, i cili ka të bëjë me shpirtrat e ligj, apo me fantazmat.

Ja një rast interesant i poltergeistit.

Në vitet 1970, në Thornton Heath, Angli, një familje ishte në telashe nga një fenomen poltergeist, i cili kishte filluar një natë gushti, kur anëtarëve të familjes iu kishte dalë gjumi në mes të natës nga muzika tepër e zëshme e radios në dhomën e gjumit, e cila ishte ndezur vetvetiu dhe ishte vendosur në një stacion me gjuhë të huaj. Ky ishte fillimi i një varg ngjarjesh, të cilat zgjatën gati katër vjet.

Kërshëndellat e vitit 1972

Një abazhur vazhdimisht binte në tokë pa e prekur kush.

Gjatë sezonit të Kërshëndellave të vitit 1972, një ornament kishte fluturuar nëpër dhomë, duke u ndeshur me kokën e të zotit të shtëpisë. Pasi që erdhi viti i ri filluan që të dëgjoheshin zhurma të hapave në dhomën e gjumit, derisa aty nuk gjendej askush. Një natë, djali i çiftit ishte zgjuar dhe papritmas kishte parë para vetes një njeri të veshur me rroba të vjetra, i cili ia kishte zgurdulluar sytë atij.

Frika e familjes u bë edhe më e madhe kur, derisa ishin duke argëtuar miqtë një mbrëmje, u dëgjua një e trokitur e fortë në derën kryesore. Më pas ishte hapur dera e dhomës së ndejës dhe dolën jashtë të gjitha dritat që gjendeshin aty.

Prifti nuk bën punë

Meqë bekimi i shtëpisë nga ana e një prifti nuk kishte bërë punë, atëherë fenomenet paranormale sa erdhën e u shtuan.

Objektet filluan që të fluturonin në ajër, zhurmat u bënë më të forta, duke përfshirë edhe një zhurmë, e cila sikur shkaktohej nga një pjesë e madhe e mobilieve. Një medium, të cilin e kishin thirrur familjarët për konsultim, u tha atyre se shtëpia me të vërtetë është e pushtuar nga shpirtrat e këqij, e sidomos shpirti i fermerit me emrin Chatterton, i cili konsideronte se familjarët i kishin hyrë pa leje në pronën e tij. Një hetim nxori në shesh se ai bujk me të vërtetë kishte jetuar në atë shtëpi në mes të shekullit XVIII. Tani në tërë këtë tollovi ishte kyçur edhe gruaja e Chatterton-it dhe shpesh e zonja e shtëpisë natën shihte shpirtin e një plake të thinjur duke e përcjellë shkallëve.

Bile, anëtarët e kësaj familjeje kishin raportuar se fantazma, shpirti i fermerit kishte filluar që të shfaqej edhe në videot e tyre familjare, duke veshur një pallto të zezë dhe një këmishë me qafë të thellë. Pasi që kjo familje doli nga shtëpia, atëherë erdhi edhe deri te përfundimi i aktivitetit poltergeist dhe banorët e mëpastajmë asnjëherë nuk ishin ankuar për diçka të ngjashme.

(Kosova Sot Online)