Doktori dhe fantazma

  • 22 January 2020 - 15:09
Doktori dhe fantazma

Simeoni i vogël hyri me vrap në kirurgji. Ai ishte mbushur aq shumë frymë nga vrapi dhe nga emocionet, saqë në fillim nuk mundej të fliste. "Doktor, doktor! Babit tim i është ngulur një gjilpërë me helm në gisht. Ne ia hoqëm gishtin menjëherë, por helmi është duke i shkuar lart nëpër trup. Duhet të vini menjëherë!" Doktori mori çantën e tij dhe doli nga dera menjëherë. Nuk iu desh shumë që ta shalonte pelën e tij, duke e qitur djalin përpara dhe me galop doli në rrugë, në drejtim të fshatit Houd, i cili ishte rreth 2 km larg. Babai i Simeonit gjendej shtrirë në shtrat, derisa gratë e tij kujdeseshin për të, kurse fëmijët e shumtë e kishin rrethuar. "Doktor, duhet të më ndihmoni", tha ai me gjysmë zëri, duke ia treguar gishtin e tij të amputuar. "Striknina më ka arritur deri te supi. Nëse më shkon në organet vitale, e pat puna ime". Vaji i grave dhe fëmijëve Gratë e tij filluan që të vajtonin, ku më pas të njëjtën gjë filluan ta bënin edhe fëmijët, duke shkaktuar një zhurmë të madhe në dhomë. Doktori ngriti duart lart dhe bërtiti: "Të jeni të sigurt motra dhe vëllezër, se Zoti më dërgoi në momentin e duhur për ta shëruar të parin tuaj. Me ilaçet e mia "Thomsonian" ai do të shërohet menjëherë". Fjalët e tij i qetësuan familjarët, kështu që, pas sigurimeve të përsëritura, gratë dhe fëmijët dolën jashtë, për ta lënë doktorin të qetë që ta bënte punën e tij. Derisa doktori ia jepte plakut dozën e parë të ilaçit, ai ia ndjeu aromën drekës dhe dëgjoi zërat e fëmijëve, duke bërë detyrat e shtëpisë, rreth tryezës së kuzhinës. Kur doktori zbriste shkallëve, gratë e plakut dolën nga kuzhina dhe i thanë që të rrinte për drekë. Ai refuzoi me njerëzi, duke thënë se e prisnin edhe pacientë të tjerë. Por, para se të largohej, iu dha atyre udhëzime të sakta rreth trajtimit të plakut.

Ai iu tha atyre se do të shkonte përsëri të nesërmen, për t'ia dhënë pacientit një dozë tjetër të tonikëve specialë. Doktori vazhdoi që ta vizitonte Simeonin çdo mëngjes dhe mbrëmje, për katër ditë, duke i dhënë atij ilaçe të shumta "Thomsonian" gjatë secilës vizitë. Pas ditës së katërt, plaku ishte aq mirë, sa që doktori arriti deri te përfundimi se helmi ishte neutralizuar. Pasi që tha se më nuk kishte nevojë për mjekim, mjeku e shpalli plakun të shëruar dhe u kthye në shtëpi, i kënaqur me shërimin e suksesshëm edhe të një pacienti të tij. Vizita e fantazmës Dy net më vonë, doktori u zgjua nga një gjumë i thellë, nga një dritë e fortë që i binte drejt në sy. Në fillim mendoi mos kishte fjetur tepër. Por, drita nuk vinte nga dritarja. Derisa sytë ishin duke iu mësuar me atë dritë të fortë, ai pa një grua të veshur në të bardhë, e cila i qëndronte te këmbët. Ajo rrethohej nga një dritë hyjnore, por shkëlqente edhe përbrenda. Doktorin e kaploi frika dhe u struk nën mbulesat e veta. "Mos u frikëso", tha fantazma me një zë të butë. Mjeku mori zemër nga fjalët e saj, e zbuloi kokën dhe e shikoi drejt në sy gruan shkëlqyese. "Më kanë dërguar për ju nga bota tjetër", tha gruaja. "Kush jeni ju?", pyeti doktori. "Kur isha e gjallë, më quanin Sally Ann. Isha kushërirë e motrave Thompson dhe Smith." "Pse të kanë dërguar këtu?", pyeti ai. "Më kanë dërguar që të të them se babai i Simeonit të vdesë nga helmi, nëse ti nuk bëhesh më i devotshëm". Doktori filloi të ndihej në faj, meqë iu kujtua krenaria pasi që e kishte shëruar plakun.

Njëri ndër mësimet e para që kishte mësuar ai, ishte se krenaria i paraprinë shkatërrimit. Por, megjithatë ai kishte rënë në atë kurth. Ai e falënderoi fantazmën dhe i premtoi se do të shkonte te plaku që në mëngjes. E kënaqur, fantazma u largua dhe dhoma sërish u kredh në errësirë. Të nesërmen doktori shkoi te shtëpia e plakut dhe rifilloi trajtimin e tij. Plaku i tregoi se kishte filluar që të ndjente sërish dhembje, por nuk kishte qenë i sigurt se a duhej ta thërriste përsëri, apo jo. Doktori vazhdoi mjekimin e pacientit me ilaçe "Thomsonian" derisa ai u shërua plotësisht. Plaku jetoi edhe njëzetepesë vjet, pa pasur probleme shëndetësore, duke ia dhënë meritat doktorit dhe ilaçeve të tij.

(Kosova Sot Online)