
"Qindkëmbëshi nga xhehenemi" zbulohet në Kroaci
I njohur si qindkëmbëshi i Hadit, duke iu referuar zotit antik grek të nëntokës, artropodi i ri grabitqar është gjetur në shpellën e Lukës në Kroaci, e cila është shpella e 15-të në botë për nga thellësia, me rreth 1500 metra thellësi. Qindkëmbëshi duket se është përshtatur mirë në këtë ambient të thellë ku e siguron ekzistencën duke u ushqyer me insekte, të cilat i paralizon me anë të kafshimit të tij vrastar.
"Kur e pashë për herë të parë këtë kafshë dhe paraqitjen e saj mbresëlënëse, menjëherë kuptova se ishte lloj i ri, një specie ende e paemërtuar", thotë udhëheqësi i studimit, Pavel Stoev. Aktualisht shumë pak dihet rreth krijesave që jetojnë në disa nga ambientet më të thella në botë, në sistemet e shpellave sikur këto të Kroacisë, që ofrojnë ekosisteme unike me specie bizare dhe jo të rëndomta, krahasuar me homologët e tyre që jetojnë mbi tokë.
(Kosova Sot Online)