Në Argjentinë bien fragmente të UFO-s nga qielli?

  • 06 June 2020 - 09:01
Në Argjentinë bien fragmente të UFO-s nga qielli?

A ka mundësi që në qiellin mbi Amerikën jugore të ketë eksploduar ndonjë UFO? Banorët e frikësuar në një qytet të vogël argjentinas mendojnë kështu dhe ata kanë dëshmi për t'i mbështetur pohimet e tyre. Qyteti paqësor Berrotarán në provincën e Kordobës ka rreth 7,000 banorë. Mund ta merrni me mend shpejtësinë e përhapjes së lajmit në një qytezë të tillë, se fragmente të çuditshme kishin filluar të binin nga qielli, pas një eksplodimi të zëshëm, i cili ishte dëgjuar nga të gjithë ata. Disa banorë kanë gjetur fragmentet e tilla në oborret e tyre dhe tani janë të shqetësuar rreth sigurisë së familjarëve. Miguel Coranti ishte ndër të parët që zbuloi fragmentet e tilla:

"Fragmentet që i kemi gjetur janë të rënda, të trasha dhe të çuditshme. Kurrë në jetë nuk kemi parë gjëra të tilla. Kemi pasur fat që këto objekte nuk na kanë lënduar neve, si dhe nuk i kanë dëmtuar shtëpitë tona", thotë ai. Por, skeptikët përmendin faktin se, në këto fragmente, janë parë shkronja dhe numra që i përdorim ne. Ose këto simbole i përdorin edhe alienët, gjë që nuk është edhe aq e mundshme, ose bëhet fjalë për ndonjë objekt të bërë nga njerëzit. Por, për çfarë objekti, se?! 

(Kosova Sot Online)