Tregime të frikshme nga Gadishulli Ballkanik

  • E.K /
  • 03 korrik 2020 - 14:56
Tregime të frikshme nga Gadishulli Ballkanik

Kasollja e pushtuar nga gjyshja Tri mikesha kishin shkuar për ta kaluar natën në një shtëpi të vogël vikendesh, ku gjyshja e njërës prej vajzave kishte jetuar përgjatë gjithë jetës së saj. Gjithçka kishte shkuar mirë gjatë ditës, ku vajzat ishin argëtuar nëpër pyll, duke u shëtitur e duke i shijuar bukuritë natyrore të atij vendi. Megjithatë, gjërat kishin filluar të përkeqësoheshin gjatë natës.

Të detyruara ta kalonin natën në kasollen me vetëm tre shtretër, vajzat kishin fjetur të gjitha në një dhomë, ndërsa, vajza, gjyshja e së cilës kishte vdekur pikërisht në atë kasolle, kishte fjetur në shtratin, ku kishte dhënë shpirt gjyshja e saj. Më t'i mbyllur sytë, ajo kishte ndjerë një palë duar të ftohta akull, që e kishin ngufatur: kishte qenë gjyshja e saj e vdekur.

Ajo e kishte shtrënguar aq fort, saqë ajo nuk kishte arritur të merrte frymë. Gjithsesi, njëra nga shoqet e kishte dëgjuar frymëmarrjen e saj të vështirësuar dhe e kishte ndezur dritën, gjë që kishte bërë që ankthi i saj të merrte fund, mirëpo vetëm për përkohësisht. Vajzat, përgjatë gjithë natës kishin dëgjuar zhurmat e ecjes së një personi, përkundër faktit që kanë qenë të vetme në kasolle. Besohet që plaka, e cila ka qenë shumë xheloze për shtratin e saj, ka qenë pjesë e partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe si e tillë ka qenë përgjegjëse për një sërë vrasjes gjatë trazirave të atëhershme në Ballkan.

Shtëpia ku e gjithë familja e gjeti vdekjen Kështjella e pushtuar përbën njërën nga historitë më shqetësuese që vjen nga Gadishulli Ballkanik. Bëhet fjalë për një doktor, i cili, bashkë me familjen e tij - bashkëshorten dhe tre fëmijët - ishin bartur për të jetuar në 'shtëpinë e ëndrrave'. Me një hapësirë të madhe, dukej që gjithçka shkonte mirë për familjarët, deri në momentin kur vajza e tyre e madhe ishte rrëzuar keq nga kali, duke e thyer shpinën, për ta përjetuar më pas një vdekje të ngadaltë e të mundimshme.

Pak kohë më vonë, i biri i tyre ishte sëmurë rëndë dhe një natë, pasi që ishte dëgjuar duke bërtitur më të madhe, ishte hedhur në bunarin që gjendej prapa shtëpisë, për t'u mbytur. Të pikëlluar nga vdekja e dy fëmijëve më të mëdhenj, çifti nuk i kishte vërejtur ndryshimet tek vajza e tyre e vogël, e cila kishte filluar të fliste me veten dhe të kalonte më shumë kohë pranë bunarit ku i ishte mbytur vëllai. Dhe, pasi që kishte kaluar rreth një vit nga vdekja e dy fëmijëve më të mëdhenj, çifti e kishte gjetur kokën e vajzës së tyre në kovën e bunarit prapa shtëpisë.

Në pamundësi për ta përballuar dhimbjen, kryefamiljarja e kishte varur veten ndërsa doktori ia kishte hedhur vetes trutë në erë, duke i përgjakur muret e shtëpisë, për të cilën kishte punuar shumë. Çerdhja e pushtuar nga fantazmat Ky është një tregim i mirë, që na mëson se duhet të hulumtojmë shumë për historinë e një vendi, para se të vendosim që në të ta ndërtojmë ndonjë ndërtesë, e lëre më ndonjë çerdhe fëmijësh. Para rreth 25 vitesh, në një tokë që dukej boshe, ishte vendosur që të ndërtohej një kopsht fëmijësh, mirëpo, më të filluar ndërtimet, telashet kishin filluar të shfaqeshin dhe shumë njerëz kishin vdekur.

Mirëpo, pasi që klerikët e krishterë dhe ata myslimanë kishin shkuar për ta 'çliruar' hapësirën, ndërtimet kishin filluar të shkonin për së mbari. Mirëpo, çerdhja kishte funksionuar për vetëm një muaj dhe ishte mbyllur. Autoritetet nuk kishin dhënë asnjë shpjegim, megjithatë ajo që ishte përjetuar nga punëtorët dhe fëmijët, nuk ka mbetur pa u shpërfaqur. Fëmijët kishin filluar të shihnin fantazma të fëmijëve tjerë të vegjël, me të cilët pretendonin që kishin lidhur shoqëri. Çerdhja e fëmijëve ishte hapur përsëri pas dy dekadash, megjithatë kësaj here ishte mbyllur brenda një dite, pasi që të njëjtat gjëra ishin përsëritur.

(Kosova Sot Online)