Rastet më tronditëse të krimeve të pazgjidhura

  • A.P /
  • 24 September 2020 - 15:06
Rastet më tronditëse të krimeve të pazgjidhura

Vrasja e JonBenet Ramsey-t

Më 26 dhjetor të vitit 1996, John Ramsey e kishte gjetur vajzën e tij gjashtëvjeçare, JonBenet, të vdekur në bodrumin e shtëpisë së tij në Kolorado. Që prej asaj kohe janë bërë dhjetëra hetime në lidhje me rastin, megjithatë vdekja e JonBenet-it vazhdon të jetë njëri nga rastet e më misterioze në SHBA. John Ramsey, bashkëshortja e tij Patsy dhe i biri i tyre nëntëvjeçar, Burke, kanë qenë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e të bijës së tyre, megjithatë ndaj asnjërit nuk është ngritur padi. Në bazë të medieve lokale, entuziastët e hetimit të krimeve edhe sot e kësaj dite shkojnë në shtëpinë ku është bërë vrasja për vizitë, meqë në të tanimë nuk jeton askush. 

Shfaqja misterioze e shputave të këmbëve në bregdet

Sipas revistës 'Time', që prej gushtit të vitit 2007, në bregun e detit në afërsi të Vankuverit kanë dalë pesëmbëdhjetë shputa të këmbëve të njerëzve. Pra, pa trupa. Vetëm shputat e këmbëve, shumica prej të cilave janë gjetur nëpër atlete. Ndonëse ka teori të ndryshme në lidhje me këtë mister, ku disa njerëz pretendojnë që këto shputa këmbësh të jenë të viktimave të aksidenteve me aeroplanë e anije, apo të cunamit që kishte ngjarë në Azi në vitin 2004, teoria më e fuqishme, që mbështetet nga numri më i madh i njerëzve, është që kjo është punë e bërë nga një vrasës i vetëm serik. 

Vrasësi Zodiak

Një vrasës serik, që ishte vetëquajtur vrasësi Zodiak, kishte vrarë pesë njerëz në zonën e Kalifornisë në periudhën prej fundit të viteve të 1960-a deri në fillim të viteve të 1970-a. Viktimat kanë qenë të 'kategorive' të ndryshme, ndonëse vrasësi në fjalë zakonisht për cak ka pasur çiftet. Ai, madje, përveçqë kishte vrarë njerëz, kishte dërguar edhe letra nëpër redaksitë e gazetave, letra në të cilat e pranonte fajësinë e krimeve dhe tregonte detaje për motivet dhe identitetin e tij. Megjithatë, ai nuk ishte zënë asnjëherë dhe krimet e tij mbeten misterioze.  

Rasti misterioz i vdekjes së dashnorëve

Ngjarja ka ndodhur në Nju-Xhersi të SHBA-së në vitin 1922. Trupat e pajetë të një mashkulli dhe një femre ishin fotografuar pranë njëri - tjetrit, të mbështetur në një trung molle. Edward Hall kishte pasur një aferë dashurie me Eleanor Mills-in dhe si rrjedhojë gruaja e Hall-it dhe dy vëllezërit e saj ishin bërë të dyshuarit kryesorë për vrasjen, mirëpo që të tretë ishin shpallur të pafajshëm, në gjykimin e mbajtur në vitin 1926. Edhe sot e kësaj dite ekzistojnë teori të ndryshme në lidhje me identitetin e vrasësit/vrasësve, me disa njerëz që pretendojnë që në këtë krim kishte pasur gisht Klani Ku-Klux, ndërsa të tjerët pretendojnë që ata ishin vrarë nga disa adoleshentë lokalë. Megjithatë, përkundër pretendimeve, ky rast vazhdon të jetë i pazgjidhur. (Vijon)


(Kosova Sot Online)