Rastet më tronditëse të krimeve të pazgjidhura (2)

  • A.P /
  • 25 September 2020 - 15:22
Rastet më tronditëse të krimeve të pazgjidhura (2)

Jack Rrjepësi

Midis 7 gushtit dhe 10 nëntorit të vitit 1888, në Londër u gjetën pesë prostituta të vdekura. Tmerri në East End të Londrës zgjati vetëm 12 muaj, por identiteti i Xhek Rrjepësit (Jack the Ripper) ka qenë subjekt i shumë filmave, librave dhe artikujve. Gazetat e asaj kohe jepnin informata të shumta rreth krimeve, duke e shndërruar vrasësin e Whitechapel-it në një fenomen ndërkombëtar. Dështimi i "Scotland Yard"-it që ta identifikonte vrasësin jo vetëm që dëshpëroi publikun, por ndikoi edhe në lindjen e shumë teorive të konspiracionit. A ishte Jack Rrjepësi pjesëtar i familjes mbretërore? A ishin vrasjet mënyrë e fshehjes së një komploti masonik? A ishte vrasësi doktor, apo artisti holandez-gjerman, Walter Sickert? Që nga viti 1888 janë përmendur më shumë se 100 të dyshuar.

"Black Dahlia"

Bëhet fjalë për rastin më të famshëm të vrasjeve në Hollivud, i cili ndikoi në bërjen e shumë serive TV dhe filmave. Më 15 janar të vitit 1947 u vra aktorja premtuese 22- vjeçare, Elizabeth Short, ku trupi i saj i pajetë, i gjymtuar si mos më keq, u gjet në Los Anxheles. Asaj i ishte prerë goja, duke krijuar një buzëqeshje false, të frikshme. Kishte disa njerëz që pretendonin ta kishin kryer këtë krim, por që më pas ishin liruar, për shkak të mungesës së dëshmive. Ky rast qëndroi gjatë i pranishëm në shtyp dhe u bë burim i disa legjendave urbane. Kurrë nuk u akuzua askush.  

Zonja e dunave

Zonja e dunave është njëri ndër rastet më të njohura, "të ftohta" në Masaçusets. Më 26 korrik të vitit 1974, një vajzë 13- vjeçare që ishte duke e shëtitur qenin e saj në Provinstaun, gjeti kufomën e një gruaje në një dunë të rërës. Duart e viktimës ishin shkëputur dhe në rërë ishin gjetur disa hala të pishave. Nuk kishte shenja se gruaja kishte kundërshtuar vrasjen. Zonja e dunave kurrë nuk u identifikua, kurse vrasësi i saj mbeti mister. 

Vrasjet alfabetike

Këto vrasje ndodhën rreth Roçesterit, Nju Jork, në fillim të viteve 1970, duke krijuar kaos në mesin e zyrtarëve dhe kërkimeve të tyre. Viktimat, tri vajza, ishin tepër të ngjashme. Carmen Colon, Michelle Maenza dhe Wanda Walkowicz, që të gjitha kishin vetëm nga një prind, ishin të fesë katolike dhe kishin vështirësi në mësim. Ky rast i pazgjidhur (i ftohtë) është quajtur "Vrasjet alfabetike" meqë kufomat e secilës vajzë ishin gjetur në qytetet me inicialet e njëjta me atë të emrit dhe mbiemrit të tyre. Ndër të dyshuarit ishin xhaxhai i Carmenit, Kenneth Bianchi dhe Joseph Naso, një fotograf lokal. 

(Kosova Sot Online)