David Farrant e kaloi natën në varreza, duke u bërë i pari që dokumentoi përvojat e çuditshme

  • A.P /
  • 28 October 2020 - 15:06
David Farrant e kaloi natën në varreza, duke u bërë i pari që dokumentoi përvojat e çuditshme

Në një letër dërguar gazetave lokale më 6 shkurt të vitit 1970, David Farrant shkruante se, derisa ishte duke kaluar nëpër varrezë, më 24 dhjetor të vitit 1969, ai sërish kishte parë "figurën e hirtë", të cilën e kishte parë gjatë natës të cilën e kishte kaluar në varrezë dhe të cilën e konsideronte mbinatyrore. Në këtë letër të publikuar, ai pyeste se a kishte ndokush tjetër që kishte parë diçka të ngjashme. Më 13 shkurt të atij viti, disa njerëz u përgjigjën, duke përshkruar disa fantazma, për të cilat thoshin se e kishin pushtuar atë varrezë në periferi të Londrës. Rrugica "Swains", ku gjendej kjo varrezë, edhe ashtu ishte vend i një numri të madh të dukurive jo të rëndomta. Shumë njerëz thoshin ta kishin parë një burrë të gjatë, me kapelë, të shoqëruar nga një grua të veshur me të bardha. Të tjerët thoshin ta kishin parë një fëmijë të zbehtë, i cili i shikonte me ngulm nëpërmes telave të derës së varrezave. Njoftimet e tjera flisnin për rënien e zileve, si dhe për zërat, të cilët thërrisnin nga gurët e varreve. Ringjallja e vampirit Një banor tjetër lokal, Seán Manchester, ishte po aq i sigurt në besimin e tij, sa edhe Farrant, se në atë varrezë ishte i pranishëm një entitet mbinatyror. Gazetat lokale "Hampstead" dhe ajo "Highgate Express" njoftonin më 27 shkurt të vitit 1970 sillnin rrëfimin e këtij njeriu, i cili thoshte se "vampiri mbret i pavdekshëm, një fisnik mesjetar i cili kishte praktikuar magjinë e zezë në Uallahia (Rumani), ishte sjellë në Angli, në një arkivol në fillim të shekullit XVIII, nga ithtarët e tij, të cilët e blenë një shtëpi për të në "West End".

Më pas ai ishte varrosur në atë vend, i cili më pas u shndërrua në varrezën "Highgate". Manchester po ashtu thoshte se satanistët modernë e kishin ringjallur vampirin dhe se ajo që duhej të bëhej, ishte që të ngulej një kunj në trupin e vampirit, e më pas atij t'i pritej koka. Por, ky veprim ishte ilegal. E premtja e 13 marsit të vitit 1970 Këtij vampiri i ishte bërë publicitet edhe më i madh me anë të rivalitetit midis Farrant-it dhe Manchester-it, ku secili prej tyre pretendonin se mund ta shkatërronin këtë fantazmë. Manchester kishte deklaruar se do ta bënte një "gjueti zyrtare" kundër vampirëve, të premten, më 13 mars të vitit 1970. Më pas u publikuan njoftime në media me njerëz të tjerë, të cilët pohonin ta kishin parë "krijesën mbinatyrore" në varrezë. Në mbrëmjen e datës 13, një turmë "gjuetarësh në vampirë" nga e tërë Londra dhe më tej, depërtuan nëpër dyert dhe mbi muret e varrezës, përkundër përpjekjeve të policisë që t'i pengonte ata. Manchester tregon se ai, bashkë me gjashtë shokë të tij, kishin hyrë në varrezë, të pa vërejtur nga policia, me ç'rast kishin tentuar ta hapnin derën e një katakombi të veçantë. Por, në pamundësi për ta bërë këtë, ata kishin hyrë nëpërmes një vrime, në kulm. Aty kishin gjetur arkivole të zbrazëta, ku kishin qitur hudhra dhe i kishin spërkatur me ujë të bekuar.

Ngjarjet morën një kthesë tragjike! Disa muaj më vonë, më 1 gusht të vitit 1970 (Dita e të korrave të para), tri vajza që kishin shkuar në këtë varrezë, kishin gjetur mbetjet e djegura dhe të pakoka mortore të një femre, jo fort larg katakombit të thyer. Policia mendonte se gruaja e gjorë ishte përdorë në ritualet e magjisë së zezë, e mediet njoftonin se kjo ishte "flija" e parë për ringjalljen e "mbretit të vampirëve" dhe se përgjegjësinë për këtë e mbante një grup shtrigash. Farrant u burgos në vitin 1974 për shkak të dëmtimit të varrezave. Ai thoshte se këto dëmtime i kishin shkaktuar satanistët.  

(Kosova Sot Online)