NASA kryen fluturimin e tretë në Mars

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 09:27
 NASA kryen fluturimin e tretë në Mars

Helikopteri eksperimental i NASA-s ka fluturuar për herë të tretë në Mars, njoftoi Agjencia Amerikane e Hapësirës. I quajtur Ingenuity, helikopteri, është ngritur në pesë metra lartësi, dhe më pas ka kryer 50 metra fluturim, duke lëvizur anash.

Ekipet e NASA-s në Tokë morën një fotografi bardhë e zi të sipërfaqes së Marsit. Më pas Ingenuity u kthye në vendin e nisjes, pas 80 sekondash fluturim.

NASA ka thënë se materiali i incizuar gjatë fluturimit do të dërgohet në Tokë në ditët në vijim.

Kjo agjenci është duke planifikuar edhe fluturime tjera me këtë helikopter në të ardhmen, për të vëzhguar terrenin e planetit të kuq si dhe për të dhënë udhëzime për anijet kozmike apo astronautët.

Ky helikopter arriti në Mars në mes të muajit Shkurt nëpërmjet sondës kozmike Perseverance. Helikopteri që peshon 1.8 kg konsiderohet si një armë e fuqishme teknologjike në duart e NASA-s, që synon të testojë fluturimet në atmosferën e rrallë të planetit.

Në të ardhmen, helikopterët mund të përdoren për të zbuluar rrugën përpara për sondat dhe astronautët dhe për të vëzhguar vende të vështirë për t’u arritur. Më 19 Prill, ky helikopter kreu fluturimin e parë të kontrolluar nga një planet tjetër.

(Kosova Sot Online)