NË PRAG TË ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE: KËNË DUHET TA VOTOJNË QYTETARËT?!

NË PRAG TË ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE: KËNË DUHET TA VOTOJNË QYTETARËT?!
NË PRAG TË ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE: KËNË DUHET TA VOTOJNË QYTETARËT?!

Ismail Muçiqi

  • 06 June 2026 - 17:02

Shkruan Ismail Muçiqi

Nëse ia duan të mirën Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, elektorati Shqiptar kësaj radhe nuk duhet të gabojë. Më në fund duhet të mbushemi mend, të lirohemi nga interesat e ngushta personale, familjare, klanore e krahinore, në mënyrë që për Parlamentin e Kosovës të votojmë figura të reja, të cilat nuk kanë qenë pjesë e përçarjeve, bllokadave dhe obstruksioneve që ia kanë sjellë vendit vite me radhë. Pavarësisht se për cilën parti bëhet fjalë, politika Kosovare ka nevojë prej kohësh të reformohet me kuadro të reja, të shkolluara, të kualifikuara dhe të aftësuara në lëmi të ndryshme profesionale, ashtu siç e kërkon koha dhe trendet zhvillimore të vendeve të përparuara. Kosovës dhe Parlamentit të saj nuk i duhen deputetë të cilët që nga paslufta janë betonuar në politikë, duke i marrë peng institucionet e shtetit.

Kjo politikë e verbër e ka sjellë Kosovën në një situatë shumë të palakmueshme dhe dramatike, ku partitë politike, duke mos e përfillur vullnetin e popullit, prej vitesh po e bllokojnë zhvillimin e shtetit. Këtë po e bëjnë liderët e konsumuar me tituj e grada të ndryshme, të cilët janë bërë të neveritshëm për audiencën dhe opinionin publik. Andaj, qytetarët e Kosovës më në fund, me votën e tyre të lirë dhe demokratike, kanë mundësi, por edhe obligim patriotik e kombëtar, që para kutive të votimit të mendojnë thellë se kë do ta votojnë dhe pse do ta votojnë, pavarësisht se cilit tabor politik i takojnë. Është momenti që kësaj radhe të ndahet shapi prej sheqerit, të votohen figura të reja dhe të shkolluara, të cilat në mandatin e kaluar legjislativ dëshmuan me punën dhe veprimtarinë e tyre politike, arsimore e shkencore se dinë dhe mund të sjellin kthesa pozitive në lëmi të ndryshme të shoqërisë Kosovare. Shembuj të tillë reformues kemi pasur në sistemin e arsimit dhe edukimit në Komunën e Prishtinës, ku për herë të parë ish-drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku, realizoi një kthesë pozitive në organizimin dhe zbatimin e reformave të reja në shkollat e kësaj komune. Këso vlerash i duhen Kosovës si në Arsim, Ekonomi, Kulture e sport e jo të përballemi me tragjikomedi, tallava që po i servojn individët private familjarë permes të ashutuquajtureve emisione familjare (odeon) ku personazh dhe “vlerë kryesore” na përsëritet “halla hyrë” e Naim Abazit. Kjo është e dhimbshme për institucionet e shtetit dhe për shtresën intelektuale, arsimore e shkencore, e cila në shumë raste duket se e ka humbur rrugën dhe misionin e saj. Në anën tjetër, jetën kulturore dhe argëtuese e kanë marrë në dorë matrapazë të ndryshëm, të cilët që nga paslufta, përmes përmbajtjeve propaganduese dhe të pavlera, po e degradojnë kulturën, muzikën dhe vlerat tradicionale të popullit Shqiptar. Andaj, në fund, nëse edhe kësaj radhe nuk jemi në gjendje të mendojmë dhe të veprojmë si duhet, atëherë faji do t’i mbetet elektoratit, ndërsa pasojat mund të jenë të paparashikueshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".